BKK, hapë ekspozitën me koleksionin e pazbuluar të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut (FOTO)

17 Janar, 2018 - 12:42 pm

Gili Hoxhaj

Ekspozita me titull “Lirinë e gjeta këtu” kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, sot mblodhi shumë vizitorë të cilët më shumë vëmendje shikonin materialet e koleksionit të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, shkruan KultPlus.

Kjo ekspozitë prezantoi një kronologji të materialeve për Gjergj Kastriotin – Skënderbeun, duke shfaqur një korpus të përzgjedhur të librave, artikujve, citateve dhe fotografive, që po ekspozoheshin për herë të parë dhe që shumë prej tyre pasqyrojnë ndikimin e figurës emblematike të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, në kulturën dhe dijen në Kosovë.

Ekspozita nxjerrë në pah rëndësinë e kësaj figure emblematike e cila kishte zgjuar interesin e krijuesve nga vende të ndryshme të botës. Gravurat angleze, franceze, gjermane, e italiane kishin zënë vend në hollin e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Ndërsa artikuj gazetash që qëndronin në anën tjetër të hollit, nxirrnin në pah fakte tejet të rëndësishme lidhur me figurën heroike të Skënderbeut. Ndërsa në hollin sipër ndodheshin një serë botimesh të huaja dhe shqiptare, ku përfshiheshin botimet që nga koha Marin Barletit. Ilustrimet sipër po ashtu tregonin rrugëtimin heroik të jetës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut.

Hapjes së kësaj ekspozite i paraprinë fjalët e drejtorit të BKK-së, Fazli Gajrakut i cili tha se Skënderbeu ishte prirës me të cilin ka filluar dhe ka marrë formë ideja identitetit shqiptar, shtetit shqiptar dhe ideja e bashkimit shqiptar ndërsa shtoi se Gjergj Kastrioti është figura më e madhëruar e shqiptarëve.

“Figura e Gjergj Kastriotit është figura më monumentale që është thirrur në ndihmë gjatë periudhave të vështira. Ne po i zbulojmë këto materiale që të ngjallim kujtesën për lavdinë e një të kaluare të cilën sa më shumë e kujtojmë, aq më mirë i kemi punët. Edhe pas pesë shekujve dalin fakte interesante dhe të pazbuluara ndonjëherë duke u bazuar në monedha, letra zyrtare, pamflete, kronika, regjistra të gjetura në arkiva turke dhe ato evropiane” ka thënë Gajraku sot gjatë hapjes së kësaj ekspozite.

Gajraku tha se ky koleksion tregon se Figura e Gjergj Kastriotit nga koha e Barletit e deri më sot ka tërhequr vëmendjen e politikanëve, historianëve studiuesve të letërsisë së shkruar dhe popullore, të historisë së qytetërimeve, të piktorëve, skulptorëve, regjisorëve e të rapsodëve.

Pas tij fjalën e mori Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi i cili tha se ndihet i nderuar të jetë pjesë e hapjes së kësaj ekspozitë ndërsa tha se figura e Skënderbeut gjatë shekujve të tërë ka qenë frymëzim për gjenerata të tëra se si duhet dashur e ruajtur atdheu, ndërsa theksoi se ai po ashtu ka qenë frymëzim për shumë krijues.

“Skënderbeu me veprimtarinë e tij ka nderuar popullin shqiptar duke u bërë ambasadori më i mirë i mbrojtjes se vlerave civilizuese dhe evropiane. Sa më shumë kohë që do të kaloi figura e Skënderbeut do të bëhet gjithnjë e më e rëndësishme” tha ministri Gashi ndërsa shtoi se kjo ekspozitë është një kontribut i çmuar i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe duhet të mbete si një shembull i mirë që secili nga ne të jap kontribut në ndriçimin e historisë tonë të pasur. / KultPlus.com

Të ngjajshme