Driton Selmani, me syrin e kaltër në Festivalin e Dritës në Amsterdam

9 Tetor, 2017 - 5:39 pm

Arbër Selmani

Në shumicën e herëve, zgjohemi në mëngjes me zërin e alarmit dhe të njëjtën procedurë e përsërisim çdo natë, për mëngjesin tjetër.

Gjithçka duket normale deri në pyetjen: sa ndihen të ngujuar në këtë shprehi njerëzit? A po e humbasim esencën e ekzistencës sonë në kohën e këtij lloj komunikimi të ri?
‘Eye to Eye’ vë në dyshim ekzistencën tonë, duke qëndruar si monument për të na lidhur ne-me-ne përsëri, në formën më primare të mundshme – dritën.
Vepra e shpalos veten si një ftesë e hapur për një përvojë sy më sy me mikun e saj të ri – qytetin e Amsterdamit.
Puna e Selmanit do të vendoset në Amstelsluizen, në digat e lumit Amstel të ndërtuara në vitin 1674 dhe të mbrojtura nga UNESCO si trashëgimi kulturore me vlerë te lartë.

Drita që vepra ‘Eye to Eye’ emeton shërben si strehë shpirtërore për vizitorët, Sidoqoftë, kjo do të jetë një platformë që vizitorët të vëzhgojnë më tej dhe të hapin nivele të reja të kuptimit.
Duke qëndruar si vegël për një eksperiencë intime të të menduarit.

Festivali fillon me 20 nëntor e zgjatë deri në janar të vitit tjetër.

Rreth 35 punë artistike do të ekspozohen nga artistët si Ai Weiwei, Peter Vink, Vinny Jones, Helmut Dick, Lidy Six, AlexP, Nick Verstand & Sjoerd Ter Borg, Bas Peeters, Verena Hall, Ben Zamora, Claudia Reh e artistë tjerë

Vepra e artistit Ai Weiwei, ndër artistët më të njohur momentalisht në botë, do jetë e vendosur në paralele me punën e Selmanit në këtë organizim dhe duket se të dyja kanë lidhje dhe janë politikisht të përafërta me njëra tjetrën.

“Është një pjesëmarrje shumë e rëndësishme për mua, ndërsa puna ime është “comissioned work”, ose më mirë të them është më pas pronë e festivalit Amsterdam Light Festival” tregon Selmani, duke mos zbuluar më shumë deri në hapjen e festivalit dhe ekspozimin e punës së tij në këtë edicion tjetër të festivalit.

Ky do të jetë edicioni i gjashtë i festivalit, kësaj radhe me temën e “ekzistencializmit”. Kuratori Lennart Booij tregon se inspirimi për këtë temë si fokus të këtij edicioni vjen si rezultat i panikut e shpesh edhe ankthit që përjeton njerëzimi prej ndryshimeve globale.
Pasi drita ka potencialin të krijojë, të japë formë, të bëjë nxehtësi e të krijojë lidhje, do ti bëjë njerëzit më të vetëdijshëm rreth pozitivitetit brenda ekzistencës së tyre.

Driton Selmani është artist i njohur për punët “Call it fate, Call it Karma!”, “I, Why, Why ?”, “,They say you can’t hold two watermelons in one hand”, “Tell me where I am from?” dhe punë tjera artistike. / KultPlus.com

Të ngjajshme