Flaka Haliti, pjesëmarrëse në Bienalen e Busan në Kore të Jugut

Gusht 9, 2018 - 6:59 pm

Busan Biennale ka zbuluar emrat e artistëve për edicionin e radhës.

Janë 65 artistë nga 34 shtete ata që u zgjodhën të jenë pjesë e Bienales.

Artistja Flaka Haliti do të jetë pjesëmarrëse në Bienalen e njohur në Korenë e Jugut.

Flaka do të krijojë rreth konceptit të Bienales – Divided we stand – ose Të ndarë qëndrojmë. Muzeu i Artit Bashkëkohor në Busan dhe ish Banka e Koresë janë dy objektet në të cilat këtë vit zë vend Bienalja, në edicionin e nëntë të saj.

Në mes të fokusit do të jetë edhe koha e Luftës së Ftohtë dhe prezenca e saj edhe sot, njëjtë sikur edhe territoret e ndara dhe reflektimi i artistëve mbi to. Ballafaqimi me realitetin dhe me vakuumin që prodhojnë ndarjet territoriale janë pjesë e mirë e kësaj bienaleje.

Bienalja do të hapet me 8 shtator e do të zgjasë deri me 11 nëntor.

Në anën tjetër, Flaka Haliti është një artiste nga Kosova e njohur për punën e saj aktive. Fituese e disa çmimeve artistike, përfshirë këtu Sallonin e Tetorit në Beograd, Flaka vazhdon të sfidojë ekspozitat e ndryshme artistike me inspirimin e saj multidimensional. / KultPlus.com

Të ngjajshme