“The Guardian” shkruan për billbordet e HAVEIT, të vendosura midis Prishtinës (FOTO)

11 Mars, 2018 - 1:15 pm

Foto: Armend Nimani
Filmi “Three Billboards Outside of Ebbing, Missouri”, i cili ka fituar dy çmime Oscar këtë vit, është bërë referencë e aktiviteteve të ndryshme në botë duke krijuar një metodë të re globale për të protestuar.

Shembulli i njëjtë është ndjekur edhe në Kosovë, ku grupi i vajzave Haveit, kanë krijuar tri billborde pranë selisë së Policisë, shkruan KultPlus.

Lidhur me këtë, ka shkruar edhe gazeta prestigjioze “The Guardian”, në shkrimin e publikuar sot. Në mesin e aksioneve të njëjta në botë, ky shkrim i ka dhënë hapësire edhe billbordeve të vendosur nga HAVEIT në Kosovë. Shkrimi tregon se si ky grup i vajzave kanë krijuar tri billborde të ngjashme me filmin, ndërsa ngritin një pyetje qenësore se deri kur do të neglizhohet dhuna ndaj grave.

“Edhe sa thirrje të humbura?”, “Diana Kastrati” dhe “Zejnepe Bytyqi”, është shkruar në billbordet të cilat janë vendosur në rrugën Luan Haradinaj, ku gjendet edhe stacioni i Policisë së Kosovës . Billbordet e krijuara nga Haveit i referohen dhunës ndaj grave dhe vrasjes së Diana Kastratit dhe Zejnepe Bytyqi, të cilat ishin vrarë nga bashkëshortët e tyre.

HAVEIT (Alketa Sylaj, Hana Qena, Vesa Qena, Arbërore Sylaj) është një grup prej katër grave të cilat tentojnë të shkojnë përtej kënaqësive të përditshme, rregullave morale dhe refuzojnë të bien dakord me çështjet që po servohen.

Ato nuk bëjnë asgjë përpos se tregojnë historinë e tyre dhe të juajën! Grupi është themeluar në 2011, në Prishtinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme