Hapet në Milano ekspozita për 100 vjetorin e lindjes së Ibrahim Kodrës

20 Tetor, 2017 - 6:30 pm

Ibrahim Kodra në një ekspozitë bashkë me shokët e tij, Chagall, Kuniyoshi, Cassinari Ajmone, Peverelli.

Gjatë fundjavës është çelur në “Museo della Permanente” në Milano ekspozita e parë në kuadër aktiviteteve të 100-vjetorit të lindjes së piktorit shqiptar. Në këtë ekspozitë marrin pjesë 19 vepra të Maestro Kodrës, të cilat datojnë nga 1944 –‘64. “Pjesa më e madhe e tyre janë vepra të panjohura e të paekspozuara më parë dhe i përkasin muzeut “Ibrahim Kodra” në Milano apo koleksioneve të ndryshme private në Breshia, Palermo a Torino” shprehet kuratori i veprës Fatos Faslliu. Ekspozita, e cila përmban përveç veprave të Kodrës edhe disa nga punët e artistëve të viteve 1950’-60’ është një homazh për artistin shqiptar.

“Kjo është ekspozita e parë, që çel siparin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të 100- vjetorit të piktorit Ibrahim Kodra. Për mua është një emocion i papërshkueshëm, të shohësh maestro Kodrën midis dy artistëve botërorë si Shagall e Kuniyoshi, gjë e cila nuk ndodh shpesh. Aq më shumë kur artist të mëdhenj të pikturës, si Cassinari, Ajmone, Peverelli etj., ekspozojnë në homazh të Maestro Kodrës. Çdo artist që merr pjesë në ekspozitë përfaqësohet me nga një vepër”, shpjegon Faslliu.

Sipas kuratores së ekspozitës Elena Pontiggia, ekspozita ka për qëllim të risjellë në vëmendje një periudhë artistike të harruar të Ibrahim Kodrës, atë të viteve ’50 e ’60. “Flasim për periudhën kur Kodra, i cili ishte zhvendosur në Milano më 1938, i afrohet informales ( lëvizje artistike që lindi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore), pasi kishte provuar gjininë asbstrakte-gjeometrike, e afërt me neokubizmin dhe konkretizmin e M.A.C. Piktura e tij e mbushur me ngjyra dhe lëvizje, pasurohet me motive erotike dhe kujtime, për të mbërritur në një figuralitet surreal dhe fantastik. Ekspozita që çel aktivitetet për 100-vjetorin e lindjes së artistit, përfshin të gjitha veprat më përfaqësuese të kësaj periudhe dhe një nga më të rëndësishmet e krijimtarisë së tij”, shprehet Pontiggia.

Pjesa më e madhe e aktivisteve është e përqendruar në Milano kryesisht me rastin e 100-vjetorit, por edhe Galeria Kombëtare e Tiranës ka konfirmuar një ekspozitë retrospektive për Ibrahim Kodrën gjatë vitit të ardhshëm. Gjithashtu edhe Galeria Kombëtare e Shkupit ka konfirmuar realizimin e një ekspozitë gjatë muajit qershor 2018. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 5 nëntor në Muze, nga ora 9:30 – 19:00.

Ibrahim Kodra lindi në Ishëm më 22 prill të vitit 1918. / KultPlus.com

Të ngjajshme