Në 10-të vjetorin e Pavarësisë, kujtohen sfidat e GKK-së dhe arti alternativ nëpër kafenetë e Prishtinës

Shkurt 13, 2018 - 3:00 pm

Galeria Kombëtare e Kosovës ishte sot nikoqire e konferencës me temën “Tejkalimi i kufijve dhe rinjohja përmes artit” nën ombrellën e aktiviteteve për shënimin e 10-të vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Alberina Haxhijaj

Arti dhe kultura gjithmonë kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë platforma të cila tejkalojnë politikën, problemet dhe diferencat në mes popujve dhe grupeve të ndryshme shoqërore. Kurse tejkalimi i këtyre kufijve dhe thyerja e tabuve mbesin një mision i artit. Mirëpo, cilat janë hapësirat shkëmbyese të cilat kanë qenë me vite në Kosovë? Çfarë roli kanë pasur institucionet publike? Çfarë ka pasur skena kulturore dhe cili është pozicioni i tyre sot në këto lloj shkëmbimesh? Kanë qenë disa nga pyetjet që kanë gjetur përgjigje në këtë konferencë.

Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Arta Agani, e cila edhe bëri hapjen zyrtare të kësaj konference tha se tema mbi të cilën do të diskutojnë është shumë e rëndësishme.
“Titulli i konferencës mund të ndjellë shumë pyetje dhe mund të tingëllojë si një titull i dëgjuar edhe më parë. Mirëpo, ne duhet ta pranojmë se kjo çështje akoma ekziston, kufijtë akoma ekzistojnë dhe ne nuk njihemi mirë në mes veti sa ai përket kulturës, zhvillimit të institucioneve dhe kështu më radhë. Besoj që kjo konferencë do të ngjallë diskutime në mes nesh dhe ne do të vendosim për një bashkëpunim më kualitativ dhe se shkëmbimi i thjeshtë i ekspozitave nuk do të jetë i mjaftueshëm për ne, por do i qasemi një agjende të përbashkët me shtetet në Ballkan”, u shpreh ajo duke theksuar se bashkëpunimet e tilla kanë ndihmuar çdo herë në periudha pas konflikteve.

Fillimisht drejtori i parë i Galerisë Kombëtare, Shyqri Nimani, solli para të pranishmëve kujtimet nga fillimet e punës së këtij institucioni, duke përfshirë vështirësitë që ka hasur kjo Galeri, por edhe krenarinë që kanë pasur kur kanë filluar punën. Ai para të pranishmëve solli kujtimet nga ekspozitat e para.

“Atëherë kemi pasur tri ekspozita kryesore dhe tri ekspozita të artistëve të rinj. Besoj që i rëndësishëm ka qenë fakti, se atëherë secilit artist që i janë ekspozuar punimet në Galeri, ne si këshill ju kemi blerë veprat, afër 500 vepra. Dhe atëherë patëm trashëguar edhe rreth 200 vepra të cilat kanë qenë të mbledhura nga BVI-ja për kulturë”, u shpreh ai, duke i bërë thirrje Galerisë që ajo të vazhdojë këtë traditë të blerjes së veprave të artistëve si dhe të përkrahë artistët shqiptarë të cilët po jetojnë dhe veprojnë jashtë vendit.

Përveç fillimeve u diskutua edhe për një periudhë tjetër të rëndësishme jashtë jetës institucionale. Artistja Eliza Hoxha shpjegoi këtë periudhë, kur Galeria Kombëtare nuk ju ka takuar artistëve, të cilët pikërisht gjatë kësaj periudhë kanë realizuar vepra të shumta.

“Janë krijuar vepra nëpër skena alternative e cila vazhdon të mbetet alternativë dhe asnjëherë nuk legjitimohet si e tillë e që është një vlerë shtesë e Kosovës. Kjo periudhë e cila ka qenë e shkëputur prej institucioneve ka krijuar mundësi të tjera të komunikimit dhe rryma të tjera. Mendoj që është shume e rëndësishme kjo hapësirë kohore edhe gjetja e një nyje e cila kish me e lidhë galerinë e asaj kohe, këtë 10 vjetësh të zbrazëtisë institucionale por edhe të skenës tjetër që eshtë zhvilluar paralelisht si dhe periudhën pas vitit 2000”, u shpreh Hoxha, e cila theksoi se sikur të mos kishin qenë kafe-galeritë apo shkollat-shpija ne kishim qenë dhjetë gjenerata të pashkolluara dhe të mohuar nga çdo gjë që ka të bëjë me jetën publike.

Për këtë periudhë diskutuan artisti Mehmet Behluli dhe Shkëlzen Maliqi duke kujtuar kafenetë e miqve të tyret cilat kanë shërbyer si hapësira ekspozuese si: Hani i dy Robertëve dhe Koha në Prishtinë, pastaj kafenetë e tjera në Pejë dhe në Prizren.

“Ne, Galerinë Kombëtare e kemi pasur bazë të krijimit tonë artistik, aty kanë qenë edhe disa ekspozita tradicionale për të cilat ne punonin shumë për të marrë pjesë si ‘Salloni i Pranverës’. Mirëpo edhe pse gjithçka ka qenë e dirigjuar, ka ekzistuar liria e shprehjes, për dallim nga Shqipëria ku edhe shprehja artistikë ka qenë e kufizuar. Artistët kanë qenë të lirë. Sigurisht këtu nuk hyjnë temat si nacionalizmi, ato të cilat i kemi shprehur me metafora, ku me forma e shtresa të ndryshme e kemi treguar edhe ambicien tonë që të jemi të barabartë apo komplet të pavarur”, u shpreh ai duke shtuar se pasi që janë përzënë nga institucionet nga pushteti serb, artistët kanë krijuar këto hapësira alternative.

“Kafetë tona u shndërruan në institucione shumë të rëndësishme për jetën publike, jo vetëm në art por edhe në politikë. Kurse arti për neve në kohën e alternativës ka qenë formë e rezistencës, protestë, mbijetsë, revoltë”, përfundoi ai. Tutje diskutoi edhe Luan Mulliqi mbi menaxhimin e GKK-së pas viti 2000 dhe iniciativat fillestare për Muzeun e Artit Bashkëkohor i cili u konsiderua i rëndësishëm dhe u bë thirrje për ndërtimin e tij. Në anën tjetër, kryetarja e Këshillit Drejtues të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Zake Prelvukaj, shpalosi planet të cilat i ka tani e tutje në Galerinë Kombëtare.
“Në plan programin tonë së pari e kemi programin e ekspozitave, dhe në këtë program hyjnë 16-të ekspozita. Në këto ekspozita kemi artistë vendor, kosovarë por edhe kosovarë që veprojnë jashtë dhe që janë shumë të suksesshëm, mirëpo edhe artistë ndërkombëtarë. Kurse në pikë të dytë e kemi programin e ligjëratave dhe debatit të cilin e konsiderojmë shumë të rëndësishëm, sikurse edhe programin e edukimit”, u shpreh ajo duke theksuar se roli i Galerisë tani mund të ndahet në ruajtjen e aseteve që kanë, sjelljen e ekspozitave të reja por edhe në edukimin dhe stimulimin e artistëve të rinj.
Konferenca do të vazhdojë edhe nesër . Ajo do të jetë e hapur për publikun dhe do të diskutojnë: Andin Tepelena, Dita Starova, Bojana Janeva, Milan Lucic./ KultPlus.com

Të ngjajshme