Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë, akti i solidaritetit me anë të fotografive (FOTO)

Korrik 25, 2017 - 9:11 am

Pajtimi i Gjaqeve në Kosovë konsiderohet si një prej periudhave më të bardha të historisë shqiptare.

Hasmëritë disavjeçare morën fund me një procedurë të tillë ku u desh të përzihej dashuria, dhembshuria, solidariteti dhe mbijetesa.
Dikush fali gjakun e babait, dikush të të birit e dikush të vëllait. Shumë nga ata që falën, thonë se vepruan mirë që e ndërprenë hasmërinë.
Tubimi në Verrat e Llukës do të mbetet si momenti bashkimit më të madh të shqiptarëve të Kosovës.

Më 2 shkurt 1990 me nismën e Anton Çetës nisi në Kosovë aksioni atdhetar e humanitar i faljes së gjaqeve që mori përmasa të gjera, duke u përhapur anembanë vendit.
Ky konsiderohet edhe si viti më i organizuar dhe më frytdhënës i kombit shqiptar që hyri në histori si vit i bashkimit e i pajtimit të popullit shqiptar kudo që jetonte, brenda trojeve etnike dhe mërgatë.
Nuk kishte kaluar shumë kohë nga formimi i Lëvizjes gjithëkombëtare si përgjigje Millosheviqit për vetë emërimin si kral i të gjithë serbëve në Fushë Kosovë, mbylljes së shkollave, helmimit, mbylljen e universitetit, gazetave e mjeteve tjera të informimit, zgjimi i vetëdijes kombëtare ishte i pa evitueshëm.

Kjo lëvizje u emërua si Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kryetar u zgjodh Ibrahim Rugova. Rugova kishte pranë vetes edhe njerëz të njohur si atdhetar. Askush nuk luftonte për bajraktarizëm por për atdheun.
Kjo rini e shëndoshë pa hezitim timonin e pajtimit ia ofroi Anton Çetës dhe profesorëve tjerë nga Instituti Albanologjik, intelektualëve kudo që gjendeshin, akademikëve, punëtorëve e fshatarëve, aktivistëve nga mbar trojet tona etnike.
Njerëzit në atë kohë në krye me Prof. Anton Çetën, marshonin para qindra ekipe profesorësh, studentësh, aktivistësh, këngëtarësh e poetësh…pajtonin popullin, pajtonin ata që deri dje ishin armiq, për tu bërë miq e vëllezër. Heronjtë e këtij aksioni kombëtar, padyshim ishin ata që falnin, falshin për hatrin e atdheut.

Në këto tubime madhështore që organizoheshin anë e mbanë Kosovës e trojeve tjera etnike, si në Kaçanik e Lug të Drinit, Rrafsh të Dukagjinit e n´Verra të Llukës, në Shalë e në Karadak, në Llap, Drenicë e Gollak, në Has, Rekë, Podrime, Lapushë, Podgur e Rugovë, Rrafsh i Kosovës dhe kudo, e kudo në viset tjera, tregonte se për popullin tonë e atdheun kishte kris ora më e madhe e historisë sonë. / KultPlus.com

Të ngjajshme