“Përtej” nga Fahredin Spahija shpalosë kërkimin e botës sureale në krijimin e artit (FOTO)

21 Mars, 2018 - 9:56 pm

Gili Hoxhaj
Fotografitë nga Fahredin Spahija janë parë jo rrallë herë për publikun shqiptar, madje emri i tij është i vulosur në disa nga fotografitë më të mira që përmbajnë fytyra e pamje të rëndësishme të vendit.

22 fotografi të tij sonte erdhën në Galerinë “Monet”, të cilat përbënin ekspozitën që u hap sonte në këtë ambient. Muret e mbushura me fotografitë e këtij fotografi, kishin mbushur përplot galerinë sa depërtimi tek to po bëhej edhe më i vështirë. Mes përqafimeve e përshëndetjeve fotografi Fahredin Spahija po priste shumë artistë të fushave të ndryshme. Kësaj ekspozite nuk i munguan as studentët e artistit, të cilët ndanin përgëzimet e tyre për profesorin.

Fotografitë e tij kanë vetëm dy ngjyra, bardhë dhe zi por pozicionet në të cilat janë të vendosura subjektet e fotografisë së tij tregojnë për një gjallëri artistike, e një përkushtim në çdo detaj të fotografisë. Subjekt i fotografive të tij janë femrat, sytë e të cilave në pak raste shikojnë drejt aparatit. Mënyra se si fotografi Spahija i ka sjellë këto fotografi flasin për një dimension të veçantë artistik. Trupat e femrave vijnë nudo dhe përmes ngjyrës bardhë dhe zi. Rëndom mes trupit të tyre e fotografit ekziston një mjegullim që autori e ka vendosur përmes formave të ndryshme. Ato vijnë përmes pozicioneve të ndryshme por gati asnjëherë në të njëjtin pozicion dhe asnjëherë si tërësi. Gjithmonë është një anë që fshihet, për ta bërë të dukshme anën tjetër.

Kjo ekspozitë është e krijuar nga dy cikle, por e përbashkëta e tyre është pikërisht barriera e fotografit me subjektin e fotografisë së tij, pikërisht nga kjo specifikë, ekspozita edhe e ka marrë emrin “Përtej”.
“E kam emërtuar “Përtej” sepse të dy ciklet e kanë një të përbashkët, është gjithmonë një barrierë mes meje dhe subjektit që e trajtoj dhe unë gjithnjë shikoj përtej asaj barriere. Kjo mund të shpjegohet edhe në aspektin fizik si një barrierë, xham me strukturë, ndonjëherë plastikë me strukturë ndërsa në ciklin e fundit edhe akull natyral”, u shpreh Spahija për KultPlus, ndërsa shtoi se kjo ka një kuptim tjetër në aspektin artistik e që nënkupton kërkimin e tij artistik përtej reales në një botë tjetër, ndoshta sureale apo dhe abstrakte, atje ku ai thotë se e kërkon krijimin e artit të tij.

Fahredin Spahija ka tetë vite që nuk është paraqitur para publikut prishtinas, ndërsa thotë se ky ambient edhe e ka përmbushur synimin e tij se si do duhej të dukej ekspozita e tij.
“Dikur kanë ekzistuar vetëm dy galeri shtetërore, në të cilat nuk jam akoma i gatshëm të ekspozoj për arsye se aty është e përfshirë edhe politika. Tashmë janë krijuar kushte shumë të mira për shkak se janë hapur galeri private shumë të mira si është kjo këtu Galeria “Monet” e cila më është dukur shumë e përshtatshme për ekspozimin e fotografive”, u shpreh fotografi Spahija.

Për t’u dhënë pamjeve nudo aspektin artistik dhe për të mos kaluar limitin përtej kësaj, natyrisht që duhet një pjekuri dhe guxim artistik. Fotografi Spahija mendon se pikërisht kur arrihet pjekuria artistike, artisti dhe guxon më shumë sepse është më i vetëdijshëm që nuk mund të bëjë gabime. E kjo e bën që artisti ta kuptojë sinjalin se ku është limiti i punës në një fotografi.
“Në temën e nudove është shumë e rëndësishme që mos ta dëmtosh subjektin pasi që është një temë shumë delikate, artisti mund edhe ta kalojë edhe vijën e kuqe që nga estetika ta dërgojë në erotikë apo fotografi”, tregoi Spahija për KultPlus.

Në mesin e të pranishmëve ishte edhe poetja nga Shqipëria, Elona Çuliq e cila thotë se është privilegj të flasësh për një fotograf si Fahredin Spahija, veçmas bazuar në faktin që edhe ka qenë një nga personazhet e fotografisë së tij.
“E kam parë se si ai punon, çfarë e frymëzon, çfarë i jep vëmendje dhe përkushtim shkrepjes së fotografisë që për të nuk është vetëm një proces që duhet të përfundohet por është një frymëzim dhe vëmendje maksimale ndaj personazhit dhe vendit ku bëhet fotografia. Në këtë ekspozitë e shoh Fahredinin saktë përtej duke abstragu me nudizmin që është një temë aq delikate në aspektin social dhe kulturor dhe e pëlqej se si Fahredini i qaset kësaj teme dhe e sjellë tek ne”, u shpreh Elona Çuliq për KultPlus, e tha se e veçanta e punimeve të këtij fotografi është se ato të bëjnë të mendosh dhe kur një fotografi të bën të mendosh, ky është sinjali që ajo e ka arritur qëllimin e saj.

Artisti, Artan Balaj tha për KultPlus se punimet e Fahredinit e kanë gjithnjë një pamje pak më ndryshe prej fotografive të zakonshme ndërsa kësaj here kjo bëhet edhe më e theksueshme për shkak të mënyrës së fotografimit dhe ngjyrave bardhë dhe zi por edhe me anë të teksturave që përdoren për ta mjegulluar fotografinë e që sipas tij ia shtojnë edhe më tepër sharmin fotografive të tij.
Të gjithë ata që duan ta shohin ekspozitën e fotografit Fahredin Spahija, ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në fillim të muajit tjetër, deri më datë 4 prill./ KultPlus.com

Të ngjajshme