Të fokusuar në numrin 50-të, Visar Kryeziu dhe Qëndresa Sadriu do të prezantohen me ekspozitë në Zvicër

16 Tetor, 2017 - 11:45 am

Njëri është fotograf kurse tjetra është asambleiste, kurse ajo që i bashkon këta dy, është ekspozita e përbashkët që do ta prezantojnë në Zvicër, shkruan KultPlus.

Qëndresa Sadriu është asambleiste në Komunën e Opfikon të Zvicrës, kurse Visar Kryeziu është fotograf po në këtë vend, të cilët do të prezantojnë kreativitetin e tyre, pikërisht në shënimin e 50 vjetorit të qytetit të Opfikon.

Autorët e kësaj ekspozite kanë bërë të ditur për KultPlus se projekti i tyre për këtë manifestim ka qenë në garë bashkë më 200 projekte të tjera, dhe vetëm 50 sosh kanë kaluar, e në mesin e tyre edhe ekspozita e autorëve shqiptarë.

Ata kanë shpjeguar se ky manifestim do të shënohet me plot ngjarje kulturore, duke përfshirë koncerte, shfaqje teatrale, film të metrazhit të shkurtër, ekspozita… Ekspozita do të përfshijë 50-të fotografi me 50-të portrete të njerëzve të Opfikon, të cilët, ndërlidhen me këtë qytet por edhe me numrin 50-të.
“Portretet do të bëhen në atë vend, ku personazhi në fotografi ka për të thënë diçka, apo edhe i kujton diçka ai vend”, kanë shpjeguar për KultPlus autorët, kurse po sipas tyre, kjo ekspozitë do të mbahet më 20 gusht të vitit 2018, pastaj fotografitë do të vendosen nëpër rrugët e Opfikon, të cilat poashtu do të qëndrojnë për 50 ditë./KultPlus.com

Të ngjajshme