Thomas Hirschhorn: Pikësellimi apo mjegullimi ka marrë përsipër rolin e autentikes (FOTO)

6 Mars, 2018 - 1:06 pm

Gili Hoxhaj

Thomas Hirschhorn është artist i njohur zviceran por që tash e një kohë jeton në Paris. Veprat e tij janë ekspozuar në shumë muze e galeri të botës, përfshirë këtu edhe Bienalen e Venedikut, Documenta 11, Bienalja e 54-të e Venedikut, Bienalja e 9-të e Shangait, Galeria Gladstone në New York e vende të tjera.

Kurse sonte do të ekspozoj punën e tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Para kësaj ekspozite, ai mbrëmë mbajti një takim me dashamirët e artit pamor. Në Galerinë Kombëtare të Kosovës ai prezentoi pikëpamjet e punës së tij që lidhen me imazhet konfrontuese dhe përballjen me teknikat e rrejshme dhe maskuese të mediave. Pyetja e tij thelbësore është se ‘Pse është e rëndësishme sot të tregojmë dhe shikojmë imazhe të trupave të shkatërruar të njerëzve’. Viteve të fundit, Hirschhorn ka zbarkuar në këtë lloj pune thellësisht personale, politike dhe sociale, e cila eksploron limitet dhe mashtrimet e kulturës dhe media.

Nikoqirja e kësaj mbrëmje, Arta Agani- Bunjaku ishte ajo që u uroi mirëseardhje artistit zviceran Thomas Hirschhorn dhe kuratorit të ekspozitës Dirk Snauwaert. Ajo fillimisht lexoi biografitë e tyre në mënyrë që publiku të njihet me gjerësisht me punën e tyre. Në mes të tjerash ajo përmendi edhe çmimet e shumta të Thomas Hirschhorn si çmimin “Marcel Duchamp”, çmimin “Joseph Beuys”, çmimin “Kurt Schwitters”…

Thomas Hirschhorn para se të filloi prezantimin e tij, tha se ndihet shumë i lumtur që është këtu dhe se kjo ishte hera e parë e tij në Kosovë. Tematika e tij lidhej me Kolazhin që bëhet përmes piksellimit e që identifikohet edhe në shumë punime që ai prezantoi mbrëmë. Kolazhi që është shumë i pranishëm në punën e këtij artisti është një punë që ai e ka dashur qysh si i vogël ndërsa mbrëmë tregoi edhe disa arsye të kësaj.

“Më pëlqen të bëjë kolazhe sepse më pëlqen që t’i bashkoj elementet e punëve ekzistuese dhe arsyeja përse bëj kolazh është sepse tregon se ajo nuk është një punë e përfunduar por është gjithnjë në progres”, tregoi artisti Hirschhorn.

Në mes tjerash artisti zviceran Hirschhorn ngrit çështjen mes raportit të estetikës dhe etikës jo vetëm në nivel individual të gjykimit por edhe në nivel kolektiv. Për të ngjallur debat lidhur me këtë ai prek disa tematike ekstreme të dhunës, gjymtimit, vojërizmit dhe urgjencës së imazheve. Me punën e tij aq sa përpiqet të nxjerrë pjesën e të vërtetës, ai mundohet ta nxjerrë në pah edhe pjesën manipulative dhe atë që ne nuk mund ta shohim dhe që i mohon faktet. Ndërsa në fotografitë e mjegulluara është gjithnjë një arsye përse dikush ka vendosur që t’i mjegulloi ato.

Arti është rezistencë dhe si i tillë i reziston fakteve. Ai thotë se pikësillimi në abstraksionin e tij arrin ta krijoi një formë të re.

“Qëllimi është të kuptohet se si një fotografi ekzistuese e publikuar mund të bëhet abstraksion. Më duket që në mënyre paradoksale, gatishmëria autoritare përdor pikësillimin në mënyrë që ta fsheh, ta “mbrojë”, të mos paraqes, në të vërtetë është bërë një mënyrë për ta prekur të vërtetën. Të prekësh të vërtetën nuk nënkupton verifikim të informatave, të prekësh të vërtetën është veprim i emancipimi”, deklaron Hirschhorn.

“Unë dua ta përdor mjetin art sepse më lejon t’i rezistoj fakteve historike. Unë e përdor atë në mënyrë që vepra ime të arrij përtej historisë, historisë në të cilën unë jetoj. Arti është mjet për të mbajtur koncentrimin të përqendruar në atë që vlen për mua, në atë që është thelbësore në formë”, është një nga përgjigjet e artistit se përse e përdor mjetin apo instrumentin të cilin ai e përdor.

Ekspozita ‘Pixel-Collages’ e autorit zviceran do të hapet sonte në Galerinë Kombëtare të Kosovës duke filluar nga ora 19:00./ KultPlus.com

Të ngjajshme