Vigan Nuza vjen këtë javë me ekspozitën ‘Hope’

3 Tetor, 2017 - 6:22 pm

Me profesion është aktor por ka një pasion që ushqen tek ai fotografinë. Vigan Nuza ka realizuar deri tani disa ekspozita, por duket se pjesa e artit pamor po i pëlqen pasi një ekspozitë tjetër e tij vjen këto ditë.

Me titullin “Hope” (Shpresë), Nuza do të hapë ekspozitën e radhës në Prishtinë.

“Gjithmonë në ekspozitat e mia synoj të paraqes realitetin, atë që na rrethon, të mirën dhe të keqen. Kësaj radhe ekspozita synon të merret me shpresën, por edhe me politikën dhe me atë se sa jemi të gatshëm ne të fluturojmë drejt ardhmërisë, drejt institucioneve ndërkombëtare” tregon Nuza për KultPlus.

Gjithçka mbetet e fshehtë deri në hapjen e ekspozitës, e cila do të bëhet me 5 tetor, në ora 19:00 në Kafenenë “Bank Lounge Bar” në kryeqytet. Ekspozita e fotografisë është e teta me radhë për Nuzën.

“Dua që me anë të ekspozitës të rroket edhe tema e vizave, e lëvizjes, e ndoshta në të ardhmen do të mund ta kemi ndjesinë e tillë, pa pengesa e pa barrikada, për të marrë ajër lirshëm dhe për të pasur më shumë fqinjësi” tregon Nuza për fund. / KultPlus.com

Të ngjajshme