Drejtori i ri shpalos planet për zhvillimin e QKK-së në Cyrih

10 Tetor, 2017 - 2:02 pm

Udhëheqësi i ri i QKK-së, Ridvan Murati ka folur me përfaqësues shoqatash kulturore dhe artistë të tjerë për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit. Ridvan Murati, i cili po udhëheq tashmë nga muaji korrik me Qendrën Kulturore të Kosovës në Cyrih, ka folur në një takim njohës të shtunën mbrëma me përfaqësues shoqatash kulturore dhe artistë shqiptarë lidhur me ardhjen e tij në këtë pozitë, si dhe për planet dhe synimet që ka si drejtues i ri i kësaj qendre në Zvicër.

Murati, të cilin e njohim si aktor të serive të realizuara në Kosovë, është zotuar se do të sjellë një frymë të re në promovimin e kulturës dhe artit shqiptar në Zvicër. Veç kësaj, ai ka premtuar se do të angazhohet në zgjidhjen e statusit të Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë – Zvicër, e cila vazhdon të mbetet në këtë gjendje që prej themelimit në mungesë të ligjit për diasporën.

Udhëheqësi i ri ka folur me përfaqësues shoqatash kulturore dhe artistë të tjerë për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit. Murati ka bërë të ditur se ka formuar një bord këshillëdhënës joformal me njerëz të muzikës, pikturës, fotografisë dhe teatrit, që në të ardhmen do ta ndihmojnë në realizimin e projekteve kulturore.

“Qendra Kulturore e Kosovës nuk është e askujt, por është e secilit. Prandaj, bashkë me ju do t’ia arrijmë qëllimin. Ne duhet t’u tregojmë zviceranëve për kulturën dhe artin tonë. Qendra Kulturore është për të treguar se çfarë kulture promovojnë shqiptarët në Zvicër”, tha drejtuesi i ri i Qendrës Kulturore të Kosovës, Ridvan Murati.

Në këtë takim janë njoftuar nga afër të pranishmit edhe me punën e deritanishme të Shukrije Ramadanit, e cila ishte deri tani në krye të Qendrës Kulturore për Diasporë e Mërgatë – Zvicër. Ajo ka numëruar disa nga projektet që ishin realizuar nën udhëheqjen e saj, ndërsa ka treguar për shkaqet e largimit të saj nga Qendra Kulturore e Kosovës në Cyrih. Statusi i pazgjidhur i Qendrës Kulturore të Kosovës dhe buxheti i vogël që ndahet për të, ka detyruar Shukrije Ramadanin që të tërhiqet përfundimisht nga Cyrihu.

„Na është ndarë një buxhet i vogël që nuk tolerohet këtu në Zvicër. Por, nga ana tjetër, nuk kam besuar që aq shumë punë mund të bëhen me aq pak buxhet“, tha Shukrije Ramadani. Për të mos ndërruar mendjen kishte ndikuar edhe ekspozita në Cyrih, homazh me portretet e 64 dëshmorëve që dhanë jetën për lirinë e Kosovës. “Ekspozita në tender i ishte dhënë një kompanie më të lirë në Kosovë, por kur erdhën fotografitë, ishin si karikatura”, tregon Ramadani, e cila kishte kërcënuar se do të dorëhiqet nëse nuk përsëritet ekspozita.

Ekspozita nuk ishte përsëritur, Shukrije Ramadani kishte dhënë dorëheqjen. Sido që të jetë, ajo ka falënderuar të gjitha shoqatat dhe njerëzit e artit dhe të tjerët që ndihmuan në realizimin e projekteve nga Qendra Kulturore në Cyrih. Në këtë takim ishte i pranishëm edhe Ramadan Mramori, udhëheqës i Divizionit për Regjistrim të Diasporës, i cila i ka njoftuar të pranishëm për rrjedhën e deritanishme të regjistrimit të mërgimtarëve.

Ai tha se regjistrimi do të vazhdojë online në fazën e dytë, ndërsa deri tani kanë arritur të regjistrojnë 400 mijë shqiptarë jashtë vendit. Gjermania prin me numrin më të madh të regjistruarve, me 37 për qind, Zvicra numëron 30 për qind. Ramadan Mramori, udhëheqës i Divizionit për Regjistër të Diasporës, ka përsëritur rëndësinë që ka regjistrimi, benefitet që mund t’i kenë me regjistrimin pas plotësimit të statistikave të mërgimtarëve.

Zyrtari nga Prishtina ka mohuar edhe një herë që të dhënat e regjistrit do të përdoren për t’i ngarkuar me tatime mërgimtarët, por vetëm për projekte të tjera studimore të institucioneve kosovare./albinfo.ch

Të ngjajshme