Dy ambasadat shqiptare në Londër, lule tek busti i Skënderbeut

17 Janar, 2018 - 7:17 pm

Sot, në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dy ambasadat, e Kosovës dhe Shqipërisë, së bashku edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar, kanë vënë lule tek busti i Gjergj Kastriotit Skënderbeut në Londër.

“Në këtë vit mbarëkombëtar të Skënderbeut, përkulemi para veprës së heroit tonë, i cili, jo vetëm që u doli zot tokave shqiptare, por u vu në mbrojtje edhe të vlerave më të larta të qytetërimit evropian. Busti i tij sot i jep nder dhe krenari qytetit të Londrës, falë kontributit të ish ambasadorit shqiptar Mal Berisha, komunitetit shqiptar në Londër dhe autoriteteve britanike” ka shkruar në rrjetin e tij social Lirim Greiçevci – Ambasador i Kosovës në Londër.

Aktivitete të ndryshme po organizohen në disa shtete evropiane për të nderuar figurën e trimit Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në përvjetorin e vdekjes së tij.

Epoka e Skënderbeut e shekullit XV dhe vetë figura e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut ndikoi fuqishëm në jetën shpirtërore të shqiptarëve dhe për rritjen e vetëdijes kombëtare të tyre. Të frymëzuar prej tyre, intelektualë të shquar shqiptarë, i pasqyruan e i përjetuan ato në vepra historike monumentale, në të cilat nisi jetën e vet historiografia shqiptare. / KultPlus.com

Të ngjajshme