Ergin Oda me instrumentistët shqiptarë do të sjellin në New York perlat e muzikës shqipe

Shkurt 6, 2018 - 7:33 pm

Vokalisti Ergin Oda, me rastin e dhjetëvjetorit të pavarësisë së Kosovës, do të realizojë një koncert me bendin që përbëhet nga instrumentistët më të dalluar shqiptarë në Amerikë, shkruan KultPlus.

Oda do të shoqërohet nga bendi i përbërë prej Lekë Salihut në piano, Taulant Mehmeti në bass, Jeta Hyseni në kitarë, Igli Tuga në klarinetë dhe Faton Kaja në timpane.

Koncerti titullohet “O vendi im”, ndërsa për publikun atje do të vijnë këngë arbëreshe, këngë të Shqipërisë së Jugut dhe këngë të dy këngëtarëve të mëdhenj, Muharrem Qenës e Nexhmije Pagarushës.

Vokalisti Ergin Oda, kohë më parë ka sjellë një interpretim të mahnitshëm të ‘Bring Him Home’ të Les Misérables, në Metropolitan Room në New York.

Kjo pjesë e kënduar nga vokalisti shqiptar, konsiderohet si një nga pjesët më të vështirat të arieve Broadway pasi që kërkon kontroll të fortë të tingullit. KultPlus ju sjellë një video nga koncerti i tij recital, “Ergin Oda Show”, që është mbajtur kohë më parë ndërsa kjo shfaqje u ka rezistuar shfaqjeve më të shitura dhe më të kërkuara Broadway të të gjitha kohërave.

Ky koncert do të mbahet më 17 shkurt ne Riverdale, në New York. Ky koncert i kushtohet Pavarësisë së Kosovës, dhe u dedikohet të gjithë banorëve shqiptarë të New Yorkut. / KultPlus.com

Të ngjajshme