Hapet kampi me të rinjtë nga Diaspora

24 Korrik, 2017 - 1:38 pm

Organizuar nga Ministria e Diasporës dhe OJQ “Toka”, në qendrën rekreative “Gërmia” në Prishtinë u hap kampi veror me të rinjtë nga diaspora, Shqipëria dhe Kosova.

Në këtë kamp po marrin pjesë të rinjtë e moshës 14 -17 vjeçare.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Diasporës, qëllimi i këtij aktiviteti është krijimi dhe thellimi i lidhjeve mes të rinjve nga diaspora dhe atyre nga Kosova. Përmes këtij kampi, të rinjve nga diaspora do t‘u krijohet mundësia të njihen në mënyrë interaktive me natyrën, kulturën, historinë, por edhe të krijojnë shoqëri me moshatarët e tyre, si dhe t’i tregojnë shkathtësitë e tyre në fusha të ndryshme.
Hapjen zyrtare të kampit veror e bëri ministri i Diasporës, Valon Murati.
“Misioni i këtij kampi është që të rinjtë nga diaspora të afrohen me atdheun, që përmes aktiviteteve të njihen më mirë me njëri-tjetrin. Këto aktivitete i konsiderojmë jashtëzakonisht të dobishme, ngase janë në funksion të ruajtjes së identitetit kombëtar të fëmijëve nga diaspora”, citohet të ketë thënë ministri në detyrë, Valon Murati.
Kampi veror me të rinjtë do të vazhdojë deri më 28 korrik 2017./ KultPlus.com

Të ngjajshme