Shfaqja “Mullinjtë me erë” e Jeton Nezirajt, të shtunën në Heilbronn

8 Dhjetor, 2017 - 2:41 pm

Heqja e paragjykimeve, proces që shpesh ngjan me një luftë kundër mullinjve me erë, është në fokus të dramës dhe njëherësh një temë jetësore për Jeton Nezirajn.

Këto ditë në Teatrin e qytetit në Heilbronn është duke u shfaqur drama për fëmijë “Windmühlen” (Mullinjtë me erë), e autorit tashmë të njohur shqiptar nga Kosova, Jeton Neziraj. Teksti të cilin Neziraj e ka shkruar enkas për këtë teatër bën fjalë për një inxhinier gjerman (Müller), i cili ka marrë për detyrë ngritjen e turbinave të fuqishme për prodhim të energjisë elektrike me fuqinë e erës në Kosovë. Pasi që ky projekt duhet të zgjasë disa vite, inxhinierin duhet ta shoqërojnë në Kosovë edhe bashkëshortja dhe vajza, Gisela, shkruan stimme.de. Atyre nuk u pëlqen aspak vendi i ri. Njohuritë e tyre për Kosovën janë të ndikuara nga mediet, të cilat shpesh fokusohen vetëm në katastrofa dhe probleme.

Familja gjermane fillmisht jeton në një ambient të izoluar, në një kuart diplomatësh të huaj, transmeton albinfo.ch. Por një ditë, në lojë e sipër, vajza, (Gisela) hyn në kontakt me fëmijët kosovarë dhe e njeh Kosovën nga një anë krejtësisht tjetër. Ajo shoqërohet me “Danin me sy të larëm”, moshatar i saj.

Gisela, duke sfiduar ndalesën nga babai, përmes mikut të saj të ri, Danit, njihet edhe me fëmijët tjerë duke shëtitur nëpër Prishtinë. Ata kanë kënaqësi nga ky shoqërom ndërsa gjëja që Gisela dhe Dani duan më së shumti është tregimi i rrëfimeve njëri tjetrit. Kështu, ndërkohë që Gisela atij i tregon përralla si “Bukuroshja e fjetur” dhe të ngjashme, Dani i flet asaj për aventurat interesante të Mujës, një heroi të njohur të Ballkanit, përcjell albinfo.ch. Ai është jashtëzakonisht i fuqishëm dhe mund të fryjë aq shumë me gojë sa t`i nxjerrë shtëpitë “me rrënjë”. Një hero i tillë mund t`i hynte fare mirë në punë babait të Giselës, të cilit duket se nuk i shkon aq mirë puna me projektin e tij të turbinave me erë.

Heqja e paragjykimeve, proces që shpesh ngjan me një luftë kundër mullinjve me erë, është në fokus të dramës dhe njëherësh një temë jetësore për Jeton Nezirajn.

Shfaqja për fëmijë jepet këtë të shtunë, më 9 dhjetor, eme fillim në orën 15:00 në Teatrin e qytetit të Heilbronn-it./KultPlus.com

Të ngjajshme