Dhjetë vjet jetë, dhjetë vjet shtet, Darsej Kastrati ka një mesazh për kosovarët

16 Shkurt, 2018 - 2:03 pm

Për 2 minuta e 49 sekonda, Darsej Kastrati i cili ka lindur më 18 prill në vitin 2008, vetëm dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka treguar se si është të rritësh së bashku me Kosovën. Ai në një video të realizuar së bashku me nënën e tij, regjisoren Vjosa Abazi, ka shfaqur përditshmërinë e tij por edhe disa nga problemet që ka Kosova, shkruan KultPlus.

Fillimisht dëgjohen tingujt e pianos gjersa ai luan në të, himnin e Kosovës, për të sqaruar tutje se sa të lumtur kanë qenë prindërit e tij 10 vite më parë, kur Kosova u shpall shtet i pavarur dhe demokratik. Gëzim ky që sipas tij tani është venitur.

“As unë nuk e kam mendur se po rritem në një shtet të ri, që kur të dalë nga shtëpia nuk kam ku të eci e ku të luaj”, shprehet ai gjersa tregon se futbolli është sporti i tij i preferuar. Darsej Kastrati duke treguar një ditë të tij të përditshme shfaq edhe problemet që ka Kosova, e të cilat i kanë rënë në sy edhe atij. Me të dalë në rrugë ai shprehet se nuk ka menduar se do të rritet në një shtet ku nënat me fëmijë në dorë kërkojnë lëmoshë, e as në një shtet ku fëmijët punojnë në rrugë dhe kërkojnë bukë nëpër kontenjerë të mbeturinave.

“ Kam shumë dëshirë që shkolla ime të më ofrojë kushte më të mira për mësim, por kot, arsimi nuk është prioritet në vendin tim”, mendon ai gjersa është në shkollë. Kurse me tu kthyer në shtëpi tregon se do i mungojnë bisedat me shoqen e tij, Nitën, e cila banon në katin e pestë të banesës së tij.

“”Nuk du me besu që shumë shokë e shoqe, e familjarë të mi po e shohin të ardhmen e tyre jashtë Kosovës. Pikërisht në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Nita po shkon me jetu me familje në Gjermani”, tregon 10-të vjeçari Kastrati, i cili edhe vetë ka dashur që të dalë jashtë Kosovës për të vizituar tezën dhe dajën e tij, dëshirë e cila i është kufizuar për shkak të vizave.
Por një gjë e bënë atë e mbase edhe shumë të tjerë që të harrojnë të gjitha pakënaqësitë që kanë. Ato janë rrëfimet mbi luftën dhe për heronjtë që kanë dhënë jetën për liri.

Tutje, Kastrati tek varrezat e dëshmorëve në Velani, të cilat i ka vizituar, thekson se do të do të jetojë e kontribuojë për Kosovën të cilin ai e do shumë gjersa ka një mesazh edhe për të tjerët. ‘Duaje edhe ti’, thotë ai në përfundim të kësaj video./KultPlus.com

Të ngjajshme