Erza Muqolli me një milion e gjysmë albume të shitura: Dëshiroj të këndoj edhe në Kosovë

31 Dhjetor, 2017 - 12:00 pm

Duket sikur një vazjë nga përrallat. Me sy ngjyrë qielli e me flokë të verdha e të gjata deri në bel, këngëtarja e vogël shqiptare Erza Muqolli edhe jetën e ka mu si në përralla.
Sikurse të mos e merrnin vendimin prindërit e saj që të lëshonin Kosovën dhe t’ia mësynin rrugës për një jetë më të mirë, vështirë mund të besohet se suksesi i Erza Muqollit do të ishte ky të cilin po e shijon ajo bashkë me prindërit e saj.
Vetëm 12 vjece, ajo po konsiderohet si një yll francez, e cila bashkë me anëtarët e bendit të saj “Kids United”, që është themeluar në vitin 2015, po bëjnë namin ane e mbanë Francës, ku bashkëmoshatarët e tyre bëjnë të pamundurën që të sigurojnë biletën për të parë nga afër koncertet e Erza Muqollit. Në mbyllje të vitit 2017, ajo bashkë me fëmijët e grupit “Kids United”, ishte ftuar në Elyse nga presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, ku këta fëmijë kanë dhënë koncert. E më pas, Zonja e Parë e Francës Brigitte Macron poashtu ka pritur në një takim Erza Muqollin, e cila bashkë me grupin e saj kanë ndarë 1.5 milion euro për UNICEF. Erza Muqolli, e cila bashkë me grupin e saj tashmë kanë shitur mbi 1.7 milion kopje të albumeve, ka dhënë një intervistë për KultPlus, duke shprehur edhe dëshirën që një ditë të këndojë edhe në Kosovë. Ajo poashtu ka njoftuar se viti 2018 do ta gjejë edhe në film, pasi që do të fillojnë xhirimet e këtij projekti ku Erza Muqolli ka rolin kryesor.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Jeni një ndër fëmijët më të famshëm shqiptarë, çfarë emocioni të sjellë ky fakt?
Erza Muqolli:
Ndihem shumë mirë që kam arritur të kem këtë famë, e sidomos ndihem e emocionuar kur kam mundësi që ta paraqes në raste të ndryshme faktin që jam shqiptare, sikurse ishte rasti i prezantimit tim në New York, përkatësisht në Kombet e Bashkuara, ku u prezantova dhe përshëndeta mysafirët në gjuhën shqipe, me të vërtet ishte një kënaqësi që si një fëmijë shqiptarë të prezantoj kombin tim në një shtet dhe në një institucion aq të rëndësishëm sikurse janë Kombet e Bashkuara.

KultPlus: Përpos si fëmijë i famshëm shqiptar, ju jeni edhe fëmijë i famshëm francez, si reagojnë apo si reagon me bashkëmoshatarët e juaj?
Erza Muqolli:
Këtu në Francë kemi një popullaritet shumë të madh së bashku me grupin “Kids United” ku gjatë vitit 2016 dhe 2017 ishim në toplistën e albumeve më të dëgjuara dhe të shitura, albumi i grupit tonë përgjatë këtij viti është radhitur në vendin e dytë si albumi më i shitur, kurse albumi i parë është radhitur në vendin e katërt. Unë me bashkëmoshataret e mi jam gjithmonë e njëjtë, sepse nuk e kam ndalur asnjëherë shkollën dhe vazhdoj të kem një shkollim normal, në krahasim me të tjerët që kanë zgjedhur shkollimin me alternancë.

KultPlus: Tashmë, përpos disa paraqitjeve edhe në gjuhën shqipe, ju jeni treguar edhe në gara të fëmijëve në Francë, ku keni zënë vendin e tretë në “France Got Talent”, sa ju ka ndihmuar kjo garë për rrugëtimin e mëtutjeshëm?
Erza Muqolli:
Po, para 3 viteve isha pjesëmarrëse në “Frence Got Talent”, ku arrita vendin e tretë dhe kjo pjesëmarrje më ka ndihmuar shumë për fillimin e rrugëtimit në vazhdim.
KultPlus: Pastaj jeni takuar edhe me këngëtaren e famshme Celine Dion, si erdhët deri te ai takim?
Erza Muqolli: Me Celin Dion jam takuar në koncertin e saj dhe është realizimi i një dëshire të madhe që kam pasur. Ky takim erdhi pasi edhe ajo kishte dëgjuar për mua dhe më kishte dëgjuar si këndoja, unë isha e priveligjuar që të jem e ftuara e Celine para fillimit të koncertit.

KultPlus: Flasim më shumë për grupin “Kids United”, grup me të cilin po shënoni shumë suksese, si po ec karriera e juaj me këtë grup?
Erza Muqolli:
Unë jam pjesë e grupit “Kids United” që nga fillim dhe ende qëndrojmë bashkë, deri tash kemi nxjerr në shitje tri albume të cilat janë ndër albumet më të suksesshme në Francë . Ne gjithashtu kemi pas një turne koncertesh nëpër të gjithë Francën me mbi 80 data koncertesh, që kanë përfunduar më 17 dhjetor të vitit 2017, në sallën më të madhe në Francë në “Accor Hotel Arena”. Përgjatë këtyre koncerteve që kemi mbajtur, në sallë kanë qenë të pranishëm rreth 12 mijë persona.

KultPlus: Gjithë ky sukses përgjatë vitit 2017, po për vitin 2018, keni ndonjë projekt të ri?
Erza Muqolli:
Lidhur me projektet e reja, ne kemi oferta të ndryshme, mirëpo nga fillimi i muajit mars i vitit 2018, do të fillojmë turneun e ri me koncerte anë e mbanë Francës deri në fund te korrikut. Po ashtu nga korriku sigurisht do të filloj xhirimet e një filmi ku kam marr rolin kryesor dhe po ashtu kam edhe disa projekte të tjera.

KultPlus: Jeni prezantuar së fundi edhe në një ngjarje të Ambasadës së Kosovës në Francë, çfarë emocioni të ka sjellë të prezantohesh në një organizim nga Ambasada?
Erza Muqolli:
Po kam qenë pjesë në një tubim të organizuar nga Ambasada e Kosovës dhe gjithmonë është kënaqësi dhe ndihem mirë.

KultPlus: Por tash janë bërë disa vite që ju jeni në skenë, por akoma kosovarët nuk kanë pasë rastin që të dëgjojnë për së afërmi, a jeni duke punuar që të prezantoheni me ndonjë koncert në Kosovë?
Erza Muqolli:
Po, kam pasur dëshirën që një ditë të prezantohemi në Kosovë. Në muajin gusht të vitit 2017 kemi qenë të ftuar ta bëjmë një koncert në Kosovë, në Ditët e Diasporës, mirëpo nuk arritëm që ta finalizojnë ketë koncert dhe na u është dashur që ta anulojmë pjesëmarrjen. Shpresoj për një herë tjetër.

KultPlus: Ju keni kënduar këngë cover në gjuhën shqipe, por jo edhe këngë tuajën, do të dëshiroje që të prezantoheshit në gjuhën shqipe?
Erza Muqolli:
Gjithmonë jam e gatshme te performoj në gjuhen shqipe, mirëpo për momentin jam e angazhuar në shumë projekte lidhur me të ardhmen e karrierës sime e cila menaxhohet nga babi im dhe besoj që do ketë diçka edhe në gjuhen shqipe.

KultPlus: E mendoni se kënga do të mbetet profesioni kryesor?
Erza Muqolli:
Këngën e kam pasion dhe besoj që të vazhdoj gjithmonë në këtë drejtim dhe njëkohësisht jam e përcaktuar që edhe të shkollohem që t’i kem të dyja reciproke.

KultPlus: Dhe për fund, cili është urimi i juaj për Vit të Ri?
Erza Muqolli:
Urimi im ju shkon të gjithë shqiptarëve kudo që janë dhe të gjithë moshatarëve kudo në botë që të kenë shëndet dhe paqja dhe dashuria të jenë pjesë e jetës së tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme