Piktorja 14 vjeçare Erlisa Çerkini shpërblehet me Mirënjohje për Qytetari Aktive

Dhjetor 5, 2017 - 5:24 pm

Gili Hoxhaj

Instituti Demokracia për Zhvillim ka mbajtur sot Ceremoninë e ndarjes së Çmimeve për Vullnetarët dhe Aktivistët Qytetarë të Vitit, në kuadër të projektit “Vullnetarizmi për Zhvillim: Promovimi i Vullnetarizmit dhe Qytetarisë Aktive në Kosovë”, shkruan KultPlus.

Çmimin kryesor “Vullnetar i Vitit” e mori Silvar Hysenaj, i cili ushtron profesionin e tij përtej kohës së rregullt të punës si teknik medicinal, duke punuar si vullnetar edhe në ndërrime të dyta, vetëm që të jetë në shërbim të qytetarëve në raste emergjente.

Në mesin e shumë çmimeve që u dhuruan sot, piktorja 14 vjeçare Erlisa Çerkini u shpërblye me Mirënjohje për Qytetare Aktive nga Instituti Demokraci për Zhvillim. Ajo para pak javësh ka magjepsur publikun me ekspozitën e saj të parë personale, në kuadër të së cilës ka prezantuar rreth 30 punime, ky të ardhurat e dy prej tyre ka vendosur që t’i ndajë për bamirësi.

“Erlisa Çerkini pikturimin jo vetëm që e ka pasion dhe profesion, por edhe e dedikon për qëllim të mirë. Fitimet nga piktura e parë e shitur i dhuroi për Fshatin SOS, dhe këtë vazhdon ta bëjë edhe në ditët e sotme. Kontributi i saj sot vlerësohet me Mirënjohje për Qytetare Aktive”, u tha sot gjatë ndarjes së shpërblimeve.

“Fëmijët në SOS Fshat janë njëra nga kategoritë të cilat më prekin më së shumti andaj edhe ua kam dedikuar atyre paratë”, ishin fjalët e piktores së re me shpirt human e artistik.

Ajo më pas tregoi për KultPlus se ndihet tejet e emocionuar për këtë çmim, dhe se ky çmim e motivon edhe më shumë punën e saj të mëtutjeshme.

“Jam shumë e kënaqur qe me veprimin tim humanitar kam arritur të vlerësohem nga Instituti D4D. Ishte babi im, i cili më ka nominuar për këtë çmim ndërsa storja ime që paratë e fituara nga piktura ime e shitur t’ia dhuroj SOS fshatit, ju ka bërë shumë përshtypje komisionit. Ndihem shumë e nderuar që edhe pse në këtë moshë, kam arritur të kontribuoj në një kategori të njerëzve që më emocionojnë shumë, ky është një motiv qe unë të vazhdoj të jap edhe më shume nga veprat e mia”, tha piktorja Erlisa Çerkini.


Në këtë ceremoni çmimet u ndanë nga Ambasadori britanik në Kosovë Ruairi O’Connell, i cili gjatë fjalës hyrëse në këtë ceremoni theksoi se vullnetarizmi është baza e një shoqërie demokratike.

“Vullnetarizmi është gjaku i një shoqërie demokratike. Çdo demokraci në botë ka nevojë për institucionet, zgjedhjet, parlamentet por më së shumti demokracia ka nevojë për qytetarët aktiv, për vullnetarë, për njerëzit të cilët nuk presin që dikush tjetër do t’i zgjedhë problemet të gjithëve por që mbajnë fatin në duart e tyre dhe bëjnë përpjekjet për ndryshim, bëjnë përmirësimet në shoqërinë e tyre”, ishin disa nga fjalët e fjalimit hyrës të Ambasadorit Ruairi O’Connell.

Qëllim i Çmimit për Vullnetarët dhe Aktivistët Qytetarë të Vitit është promovimi i punës dhe angazhimit të vullnetarëve në Kosovë, aktivizmi dhe shërbimi i të cilëve ka bërë ndryshim të dukshëm në komunitetet e tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme