Aktori shqiptar pjesë e serialit të njohur gjerman (FOTO)

24 Tetor, 2017 - 3:00 pm

Sarandë Selimi

‘Tatort’ është seriali gjerman i cili që nga viti 1970-të, sjellë emra të ndryshëm aktorësh për të jetësuar personazhet e këtij seriali.

Regjinë e episodit filmik i cili do të shfaqet para audiencës gjermanofolëse në vitin 2018-të, është duke e bërë regjisorja gjermane Maris Pfeiffer me produksionin filmik Warner Bros. Ky episod përveç risive të tjera në kastën e tij sjellë një aktor shqiptar.

Ilir Rexhepi, aktori me prejardhje nga Kosova, i cili karrierën e tij tashmë po e ndërton në Gjermani aty ku jeton dhe vepron, ka treguar ekskluzivisht për KultPlus, për rolin e tij në serialin ‘Tatort’, serial ky i cili ka qenë ëndërr e aktorit. Rexhepi ka luajtur përkrah aktorëve të mirënjohur si: Jörg Hartmann, Anna Schudt, Samuel Finzi…

“Gjithmonë kam pasur dëshirë të luaj një rol në ‘Tatort’, i cili që nga viti 1970-të gëzon popullaritetin më të madh të të gjithë filmave-serik televiziv në Gjermani, Austri dhe Zvicër, i cili vazhdimisht kishte dhe ka një kast prej aktorëve më të mirë gjerman, austriak dhe zviceran”, ka thënë për KultPlus, Ilir Rexhepi, i cili vazhdoi të thotë se mendon që secili aktor në vendet gjermanofolëse e ka ëndërr dhe dëshirë të luaj në këtë seria të famshëm.

“Kësaj radhe më është realizuar ëndrra dhe dëshira edhe mua. Unë kontaktova me Warner Bros për të luajtur një rol në ‘Tatort’ dhe këto ditë isha në xhirime në vende të ndryshme në Gjermani. Poashtu them se kam nderin që në këtë pjesë të serialit të luaj me aktorët e mirënjohur siç është si Jörg Hartmann, Anna Schudt, Samuel Finzi”, theksoi për KultPlus, Rexhepi.

Foto:Emanuela Danielewicz

Seriali ‘Tatort’ në Gjermani transmetohet në prime-time çdo të diel nga ora 20:15 në televizionin e parë publik gjerman ARD ndërsa reprizohet edhe në shumë televizione të tjera publike gjermane si ZDF, WDR, NDR BR…

Disa pjesë të tjera të serisë realizohen edhe nga televizioni austriak ORF dhe radiotelevizioni zviceran SRF me një bashkëpunim të ndërsjellë. Kështu ‘Tatort’ është bërë kult serial me një tematikë kriminale në vende gjermanofolëse. Episoda ku bashkëkombësit e tij mund ta shohin aktorin Ilir Rexhepi, do të shfaqet në vitin 2018-të./ KultPlus.com

Të ngjajshme