Është regjistruar kolona zanore për filmin e madh “Delegacioni”, këndon këngëtarja e madhe shqiptare (FOTO)

10 Tetor, 2017 - 9:21 pm

Konsiderohet të jetë një ndër projektet filmike më prekëse në historinë kinematografike shqiptare, pasi që, përralla e këtij filmi ishte shkruar nga i ndjeri Artan Minarolli, dhe ky projekt, me miratimin e familjes Minarolli, ka kaluar në dorën e regjisorit shqiptar Bujar Alimani, që ky film të rrumbullakohet ashtu sikur edhe e kishte nisur Minarolli, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për filmin “Delegacioni”, që tash e sa kohë ka përfunduar xhirimet, mirëpo, regjisori i këtij filmi i është përveshur punës që ky film të ketë edhe kolonën zanore.

Dhe pikërisht kjo punë i është besuar këngëtares së madhe shqiptare Inva Mula, e cila tashmë ka regjistruar kolonën zanore për këtë film, kolonë kjo që është punuar nga Ilir Bajri e Etleva Turkeshi Minarolli.

Për këtë regjistrim, për KultPlus ka konfirmuar edhe këngëtarja shqiptare Inva Mula, e cila ka treguar se ky regjistrim tashmë ka përfunduar në Prishtinë.

Me rolet kryesore në këtë film luajnë aktorët: Viktor Zhusti, Ndriçim Xhepa, Kasem Hoxha, Tristan Halilaj, Bislim Mucaj, Rovena Lule, Mirela Naska, Fatlume Bunjaku, Kristaq Skrami, Mehmet Xhelili, Armando Dauti, Ilirian Ali, Samuel Vargu, Denardo Neziri, Genc Minarolli, Avdullah Gjikokaj, Artan Selimi, Gjon Kola, Armend Smajli, Gani Morina, Lulzim Zejqa, Todi Llupi, Jorgaq Tushe, Drita Turkeshi, Ilira Turkeshi dhe Selman Lokaj. Ky film është mbështetur nga Qendra Kombwtare e Kinematografisë në Shqipëri dhe asaj të Kosovës./KultPlus.com

Të ngjajshme