Faruk Begolli, dikur një hendbollist aktiv (FOTO)

19 Tetor, 2017 - 5:13 pm

Në vitin 1979, një pjesë e mirë e aktorëve e regjisorëve të ftuar në Festivalin e Filmit në Pula të Kroacisë u pyetën mbi lidhjen e tyre me sportin.

Këta filmbërës, këta aktorë, secili të inkuadruar mirë e mirë në botën e filmit, megjithatë kanë pasionet e tyre në fushën e sportit.

Pos Bekim Fehmiut, për të cilin shkruam disa ditë më parë, dhe për preferencat e tij sportive, mbi sportin u pyet edhe Faruk Begolli.

“Unë kam qenë aktiv në hendboll. Kam qenë pjesë e ekipeve në Kosovë dhe në Beograd, ndërsa tash më shumë luaj vetëm me fëmijët e lagjes. Më duket se gjeneratat po lidhen çdoherë e më shumë me basketbollin” tregon aktori Begolli në vitin 1979.

Yugopapir tregon se si Begolli u çmua lartë në këtë edicion të festivalit, pasi pati disa paraqitje të forta në filmat e shfaqur. Mes tyre, ishte “Era dhe Lisi” krahas Xhevat Qorrajt, Istref Begollit e Abdurrahman Shalës.
Begolli ka qenë edhe pjesë e Bordit të Festivalit të Filmit në Pula, në disa edicione.

“Miljan Miljaniq është heroi im në sport, dhe një trajner fantastik i cili ka bërë që sportistët të japin maksimumin e tyre” tregon mes tjerash Begolli në këtë intervistë të vjetër. / KultPlus.com

Të ngjajshme