‘Kësulat’, drama e dy familjeve shqiptare e serbe vjen të shtunën në Prishtinë

11 Tetor, 2017 - 4:41 pm

“Kësulat” është filmi i cili vjen këtë të shtunë premierë në Kinemanë ABC duke filluar nga ora 20:00.
Në film pasqyrohet jeta e dy familjeve, shqiptare dhe asaj serbe, të cilat njihen prej kohësh dhe kanë fqinjësi të denjë, në një fshat Kosove. Lufta e vitit 1999 bëhet shkas i ndarjes së tyre.

Ky film vjen nën regjinë e Alan M.Trow, kurse do të shfaqet për një javë rresht në repertorin e rregullt të Kinemasë ABC, çdo ditë në ora 20:00.

Në një konferencë për media të mbajtur sot, producent Blerim Kaciu tregoi se ky film është realizuar në Kosovë, në komunën e Podujevës, në fshatrat Pollog dhe Dumnicë kurse postproduksioni është bërë në Angli me bashkëpunim mes ekipit shqiptar dhe atij anglez.

Skenaristi Jimi Tihofsi tregoi se zanafilla e projektit daton rreth 14 vite më parë, por projekti nuk ka arritur të realizohet deri tash për shkak të mungesës së fondeve, të cilat ishin refuzuar dy herë nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“Para 10 viteve kemi provuar ta bëjmë filmin, në vitin 2002 kam filluar ta shkruaj këtë skenar, për 4 vite e kam shkruar, për 10 vite jemi munduar t’i gjejmë fondet, ndërkohë kur s’kishim çfarë të bëjmë kemi provuar ti ndryshojmë skenat brenda filmit, kështu që e kemi ndryshuar disa herë. Thelbi megjithatë ka mbetur i njëjti”, ka thënë Jim Tihofsi.

Krejt në fund, filmi ka mbetur pa fonde shtetërore dhe si i tillë është realizuar me fonde vetanake.
Në rolet kryesore në këtë film janë: Selman Jusufi, Bislim Muqaj, May-Linda Kosumovic, Ismail Kasumi, Fatime Sefaj, Jimi Tihofsi, Meli Qena, Labinot Lajçi, Furtuna Aliu, Avni Abazi, Besfort Daka, Nuhi Matoshi, shkruan KultPlus.

Aktori Selman Jusufi tregon se si regjisori në këtë film kishte pasur një interesim më shumë sesa për vetë luftën, duke u futur thellë në etnosin shqiptar, në mërzinë, në të bëmat e këqija. Jusufi paraqitet në rolin e komshiut shqiptar, ai në këtë film shfaqet si më i vjetër, personazh i cili gjatë kohës së luftës qëndron i vetëm në shtëpi derisa familja e tij largohet nga Kosova. Në anën tjetër aktori Ismail Kasumi e quajti rolin si një ballafaqim edhe me vetveten. Ai luan rolin e serbit. Të dy të ndodhur në një fatkeqësi tregojnë mbështetje për njëri- tjetrin, duke u mbrojtur nga rreziqet që vinin në të dy anët.

“Prindi më vdes gjatë kohës së luftës por Selmani më ndihmon për ta varrosur. Nuk mund të largohem lehtë nga Kosova, gjatë filmit. E kam komshiun me të cilin gjithmonë ia kemi dalë bashkë, pa rreziqe. E mbrojmë njëri tjetrin nga luftëtarët dhe rrethanat” tregon aktori Ismail Kasumi.

Distribuimi i këtij filmi është bërë në Kosovë dhe ky film do të shfaqet edhe në disa qytete të tjera të Kosovës, nga e hëna në Prizren ndërsa me datë 24 tetor në Mitrovicë. Premiera në Angli vjen me datën 4 nëntor. G.H / KultPlus.com

Të ngjajshme