Përfundojnë xhirimet e filmit “Derë e hapur”, në fokus historia e dy motrave

23 Nëntor, 2017 - 9:14 am

Filmi “Derë e hapur” ka bërë bashkë regjisorin Florenc Papas dhe producentin Eno Milkani. Një filmi cili sjell në role aktorë të njohur të kinemasë shqiptare, por dhe emra të rinj, një projekt me skenar nga Florenc Papas dhe Ajola Daja.

Ky është një film i metrazhit të gjatë dhe regjisori tregon se xhirimet kanë përfunduar, duke shtuar se ka shumë rëndësi në aktivitetin e tij ky projekt. “Për mua realizimi i këtij projekti kinematografik ka rëndësi dhe përgjegjësia është e madhe. Një regjisor debutant merr një përgjegjësi ndryshe nga ato të karrierës, pasi vepra e tij do ta ballafaqojë me audiencën dhe me industrinë e filmit. Nga ana tjetër përgjegjësia vjen dhe prej bashkëpunëtoreve të tu, institucioneve financiare dhe një gjë e rëndësishme është sfida që ti bën me veten”, tregon regjisori. Sipas regjisorit Florenc Papas në këtë film në qendër është njeriu i thjeshtë.

““Derë e hapur” do të jetë një film intim, ku në qendër është ai njeriu i thjeshtë me plot ndjesi dhe komplekse brenda tij”, zbulon ai për filmin e tij që ka përfunduar xhirimet. Rolet në filmin “Derë e hapur” i janë besuar aktorëve të njohur për publikun por nuk mungon dhe një djalë 5 vjeçar. “Kasti i aktorëve përshin një shumëllojshmëri aktorësh, që nga djali i vogël 5-vjeçar deri tek emra të mëdhenj të kinemasë shqiptare si Guljelm Radoja, Lutfi Hoxha dhe Sotiraq Bratko”, vijon më tej regjisori. Ai tregon se dy personazhet kryesore i luajnë emra të njohur të ekranit Luli Bitri dhe Jonida Vokshi.

“Një dyshe mjaft e mirë dhe do ta quaj me plot bindjen të suksesshëm bashkëpunimin. Surpriza më e madhe ka qenë djali i vogël, i cili mund ta quajmë kryesor në film pasi përshkon edhe ai gjithë rrugëtim dhe ai është Maxwell Guzja”, shprehet mes të tjerave Florenc Papas regjisor i filmit “Derë e hapur” që ka përfunduar xhirimet gjatë vjeshtës. Shumë shpejt regjisori bën me dije se do të fillojë postproduksioni i filmit. Projekti kinematografik i filmit artistik me metrazh të gjatë “Derë e hapur” është financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Shqipëri, Qendra Kombëtare e Kinematografisë në Kosovë, por ka gjetur financime dhe nga Eurimages, SEE Cinema Network. Producent Eno Milkani, Co-producent Besnik Krap, Goran Stojilkovic, Line producer Gerta Qurku

Ngjarjet në film

Filmi “Derë e hapur” i vendos ngjarjet në ditët tona dhe zhvillohen sipas regjisorit në Tiranë, Krrabë, Prrenjas dhe Lin. Filmi ka në qendër tre personazhe, dy motrat Rudina dhe Elma dhe djalin 5 vjeçar të Rudinës. Sipas regjisorit, personazhet e tjera janë episodike, por të rëndësishme përgjatë udhëtimit të tre personazheve kryesore. “Ka këtë gjeografi, pasi zhanri i filmit i përket asaj që quhet road-movie, pra filmi ndodh në rrugëtim dhe hera- herës skenat zhvillohen në “kutinë” e veturës së personazhit kryesor.

Një hapësirë e limituar nga ana vizuale, por e fortë dramaturgjikisht për dy heroinat e filmit”, cilëson regjisori Florenc Papas. Filmi “Derë e hapur” tregon historinë e rrugëtimit të dy motrave, duke shkuar tek babai i tyre në fshat, tek e shkuara, fëmijëria e tyre. Motra e vogël kthehet shtatzënë dhe e pa martuar nga Italia. Motra madhe e pret në port dhe të dyja nisin rrugën për në fshat pa ditur se si do ballafaqohen me babain e tyre. Pas shumë peripecish dhe një mori marrëdhëniesh midis motrave, në një moment në histori ato i lidh e shkuara dhe i bën bashkë derisa ja dalin të shkojnë të babai i tyre në fshat, shkruan SotNews./ KultPlus.com

Të ngjajshme