Pritet raporti i autopsisë në rastin e aktorit Art Kurti

22 Maj, 2018 - 4:24 pm

Prokuroria Themelore në Gjakovë deri tash nuk ka asnjë pistë hetimi rreth vdekjes së aktorit 23-vjeçar, Art Kurti.

Kryeprokurori Ali Selimaj thotë se as ekzaminimi i telefonave të Kurtit nuk ka treguar ndonjë detaj i cili mund të shtynte te ndonjë pistë hetimi, që do të tregonte se ky person është vrarë.

Ekzaminimi i telefonave të aktorit të ndjerë Art Kurti, i cili u gjet i vdekur mëngjesin e 24 prillit, nuk ka nxjerrë ndonjë dyshim se i njëjti ka qenë shënjestër e dikujt apo ishte shtyrë të vetëvritet.

Megjithatë, Prokuroria Themelore në Gjakovë ende është në pritje të raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore për t’i nxjerrë përfundimet nëse vdekja e Kurtit ishte vrasje apo vetëvrasje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Ali Selimaj, i ka thënë gazetës “Zëri” se deri tash as ekzaminimi i telefonave të Kurtit nuk ka hapur dyshime për ndonjë pistë të mundshme të hetimeve rreth vdekjes së tij.

“Prej kontakteve dhe prej numrave të telefonit nuk është zbuluar asgjë që dikush ka mundur ta privojë atë nga jeta. Deri tash nuk kemi diçka as nga telefoni, i cili është dërguar për ekzaminim, edhe pse ende nuk na ka ardhur përgjigja, mirëpo me gojë na është thënë se nuk ka ndonjë të dhënë, e cila mund të na shtyjë te ndonjë pistë që do të na tregonte se ky person është vrarë apo diçka e tillë”, u shpreh Selimaj.

Kryeprokurori Selimaj thotë se në bazë të informatave që kanë marrë nga mjeku ligjor i cili e ka kryer autopsinë e trupit të Kurtit del që gjatë shkrepjes arma nuk ishte e mbështetur në kokë.

Të ngjajshme