Rusia ndalon shfaqjen e komedisë “Vdekja e Stalinit”

24 Janar, 2018 - 10:27 am

Komedia britanike ‘The death of Stalin’ (Vdekja e Stalinit), nuk i bën për të qeshur rusët. Pas një ekranizimi të rezervuar për personalitete të larta, të cilët, sipas BBC-së, nuk e pëlqyen satirën e regjisorit Armando Iannucci, autoritetet vendosen të ndalonin shfaqjen e komedisë në kinematë e vendit.

Spektatorët e zgjedhur u ankuan se filmi përmbante ‘luftë ideologjike’ dhe ekstremizëm. Liçensa e shpërndarjes së filmit u tërhoq, duke anuluar shfaqjen e tij në kinema ditën e enjte.

Ministria e Kulturës tha për agjencinë Interfax se vendimi nëse filmi do të shfaqej në të ardhmen në Rusi, do të merrej më vonë. Filmi i Iannuccit është një satirë për luftën për pushtet në Moskë, që pasoi vdekjen e Stalinit në 1953-shin. Si rezultat, shumë prej personazheve kryesore janë figura historike reale.

Në ekranizimin e filmit që në Britaninë e Madhe është shfaqur në muajin tetor, morën pjesë anëtarë të parlamentit e gjithashtu përfaqësues të industrisë kinematografike ruse. Shumë prej tyre u pezmatuan nga ajo që panë, me politikanen Yelena Drapeko që tha se kurrë më parë nuk kishte parë diçka kaq të shpifur.

Vajza e Marshallit Zhukov që drejtoi betejën e Stalingradit në 1943-shin, u ankua se filmi parodizonte historinë e vendit dhe denigronte kujtimin e qytetarëve rusë që luftuan kundër nazistëve./ KultPlus.com

Të ngjajshme