Shpallet fituesi i bursës së PriFest për studime në Sarajevo Film Academy

10 Gusht, 2017 - 10:54 am

Pas marrëveshjes së PriFest – Prishtina International Film Festival dhe Sarajevo Film Academy (SFA) që u publikua në edicionin e kaluar të PriFest, sot u bë publike përzgjedhja e studentit të parë nga Kosova që është pranuar në këtë akademi dhe ka fituar bursën e plotë për studime tre vjeçare Bachelor në Sarajevo Film Academy, përcjellë KultPlus.

Sovran Ndrecaj nga Kosova do të fillojë studimet Bachelor në Akademinë e Filmit në Sarajevë (SFA) në drejtimin Regji Filmi.

Nrecaj, i cili do të fillojë studimet në shtator 2017, ka fituar bursën e plotë prej 8,500 euro për vit shkollor, programi i studimeve Bachelor (BFA) në Sarajevo Film Academy në degën International Students. Në këtë degë ka studentë nga gjithë bota, ndërsa Sovran Nrecaj është studenti i parë nga Kosova që do të ketë këtë mundësi studimi falë Prishtina International Film Festival (PriFest).

Vjosa Berisha, drejtoresha e PriFest me këtë rast deklaroi: “Jam e lumtur që marrëveshja PriFest – Sarajevo Film Academy solli frytin e parë. Z.Nrecaj, student nga Kosova, do t’i epet kjo mundësi e mrekullueshme studimi dhe ngritje profesionale në lëmin e filmbërjes në njërin nga institucionet më të mira filmike në rajon dhe më gjerë.

Kjo është njëra nga shumë aktivitetet e PriFest që ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin e industrisë së filmit në Kosovës si dhe stimulon e përkrah të rinjtë Kosovar duke ju ofruar mundësi që të aftësohen profesionalisht dhe të realizojnë ëndrrat e tyre. Sovranit i dëshirojmë shumë fat dhe shumë filma të mirë që presim t’i shfaqim në PriFest viteve në vijim.”

Ndërsa Sovran Nrecaj me të pranuar lajmin për pranimin në SFA, deklaroi: “Ajo andrra që e shihja për çdo natë, thirrja e pranimit më zgjoi ta jetoj atë andërr që më paraqitet si mundësi, motiv, privilegj dhe sfidë. Faleminderit të gjithëve që e mundësuan këtë për mua”.

Sarajevo Film Academy është themeluar nga Universiteti – Sarajevo School of Science and Technology (SSST) në vitin 2010. Është shkolla e parë private e filmit në Bosnje e Hercegovinë dhe e vetmja shkollë e filmit në Evropën juglindore me kurikulën e plotë në gjuhën angleze. Shumë nga ligjëruesit në këtë Akademi janë kineastë të mirënjohur ndërkombëtarë, si: Bella Tarr, Juliette Binoche, Tilda Swinton, Gus Van Sant, Angieszka Holland, Abel Ferrara etj.

PriFest dhe Sarajevo Film Academy do të vazhdojnë bashkëpunimin edhe vitin tjetër, për t’u mundësuar edhe studentëve tjerë të interesuar nga Kosova të studiojnë në këtë institucion prestigjioz filmik ndërkombëtar. / KultPlus.com

Të ngjajshme