Kuzhinieri shqiptar Ravajol Hasani vlerësohet me tri çmime nga ‘Eating Awards 2016’

24 Korrik, 2017 - 9:40 am

“Emigracioni është bërë pjesë e jetës sime nga angazhimet e shumta që kam me kompaninë që ushtrojë, por sigurisht do kemi shumë surpriza në të ardhmen por pse jo edhe një restaurant të superfuqishëm botërorë në Shqipëri si ata që menaxhoj deri tani”, ka thënë Jorgo Hasani për KultPlus, i cili ka shpjeguar se përgjatë punës së tij si kuzhinier, ai deri më tash ka gatuar edhe për njerëz shumë të famshëm.

Ravajol Jorgo Hasani, ditën e djeshme është vlerësuar nga ‘Eating Awards 2016’ me ‘Lugën e Argjend’, ‘Kapelën e Artë’ dhe ‘Shefi më i mirë i kuzhinës për vitin 2016’. Përveçse është ambasador i Jamie Oliver në Shqipëri, tani Ravajoli është edhe ambasador i Shqipërisë në Qipro në fushën e gastronomisë.
“Jemi vlerësuar nga ‘Eating Awards 2016’ që vlerëson restaurantet dhe hotelet në tërë fushën e gastronomisë dhe mbahet një herë në vit dhe vlerëson punën që bëhet në këto restaurante”, ka thënë Jorgo Hasani për KultPlus, lidhur me suksesin e tij të fundit.
Larguar nga vendlindja qysh në fëmijëri, Ravajol Jorgo Hasani edhe pse në vend të huaj punoi shumë për të arritur aty ku donte edhe pse fillimisht pa idenë se çfarë do të bëhej. Por në kushte të rënda ekonomike, si një i emigruar u detyrua që për pak para të punonte si pjatalarës, por gjithmonë duke u ngritur në detyrë. Kështu kur ai arriti të hynte në kuzhinë, aty edhe zbuloi artin e gatimit dhe dashurinë e fshehur që kishte për të.

“Rrugëtimi im nisi para 15-të viteve, një rrugëtim shumë i vështirë ku unë duhesha të punoja si pastrues shumë orë për pak lekë. Emigracioni sa kishte filluar, ne si emigrant nuk kishim krijuar asgjë, as besimin as vlerat, por me ëndrra dhe zemër filluam të tërë për një rrugë shumë të vështirë, një luftë e përditshme për të arritur ëndrrën, por e dija që një ditë do të shpërblehesha dhe kjo ditë erdhi”, ka thënë fillimisht Ravajol Hasani për KultPlus.
Bashkëpunimi me P.H.C, kompani gjigante në fushën e gastronomisë dhe turizmit në Qipro, me rreth 200 restorante nën menaxhim, bëri që për Jorgon të hapen dyert e sukseseve të mëdha. Me shumë punë dhe vullnet, ai fitoi besimin e menaxherëve të tij, të cilët i lanë në dorë drejtimin e disa restoranteve me emrat më në zë në botë. Pas 8-vjetësh punë në Qipro, vendin ku ushtron profesionin edhe sot e kësaj dite, një bashkëpunim shumë i suksesshëm ishte edhe ai me kuzhinierin e famshëm britanik, Jamie Oliver.
“Gatimi është një art që nuk shikon as ngjyrën, as nacionalitetin, as nëse je i varfër apo i pasur. Gatimi të udhëton në çdo anë të botës, është magji dhe qetësi që dorëzon shpirtin dhe zemrën, është delikate dhe duhet ta përdorësh me respekt dhe dashuri” është shprehur Hasani.

Por për të arritur kaq shumë sukses duhet pasur një armë të fortë në atë që bënë. Respekti për veten dhe për profesionin ishte arma e fortë e Hasanit për të arritur këtu ku është. “Kam pasur shumë goditje dhe shumë herë kam rënë por gjithmonë ngrihesha më i fortë, kam qenë gjithmonë vetvetja, nuk jam fshehur pas dikujt. Arma më e fortë është zemra dhe shpirti por edhe qëllimet ku do të arrish”, pohoi Jorgo Hasani.
Në këto 15-të vite punë, në çdo anë të botës ai ka gatuar për emra të famshëm si këngëtarë, aktorë dhe presidentë. “Gatimi për mua nuk dallon njerëzit, gatimi është për të gjithë njësoj, të gjitha kanë të drejtë të shijojnë çdo recetë ose shije, por kur gatuajë për të famshëm kam pak më shumë kujdes, ky është ndryshimi i vetëm”, ka thënë tutje Jorgo Hasani.
Ravajoli këto ditë u kthye në Shqipëri tashmë i specializuar në një fushë të caktuar, në atë të gastronomisë. Gjatë kësaj vizite ai tha që si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë ka ndjerë shumë respekt, miqësi dhe ngrohtësi, kjo gjë e ka gëzuar shumë. Por, gjatë kësaj vizite, Jorgo vizitoi disa restaurantet dhe sipas tij, niveli është i mirë por do ende punë për të arritur vendet evropiane.
“Duhet punuar në informacion, në përmbushje të standardeve të gastronomisë dhe pastaj niveli mund të arrihet brenda 5 viteve”, ka thënë Jorgo.

Përveç vizitave që ka realizuar në të dyja vendet, Jorgo kishte edhe një gala mbrëmje në Otium në Tiranë, ku ka gatuar për 40 persona të rëndësishëm. Gjithashtu ai ka realizuar edhe një bashkëpunim me Arvin Kita të Otium Restaurant.
Jorgo beson që Shqipëria dhe Kosova ka talent të veçantë në këtë fushë por e rëndësishme është mbështetja që duhet për ata talent, sepse ata janë e ardhmja e vendit. Ndërsa sa i përket mundësisë që ai të vijë në Shqipëri për të ushtruar profesionin e tij, kjo gjë është paksa e vështirë, por ai premtoi që do të bëjë shumë për Shqipërinë në këtë fushë.
“Emigracioni është bërë pjesë e jetës sime nga angazhimet e shumta që kam me kompaninë që ushtrojë, por sigurisht do kemi shumë surpriza në të ardhmen por pse jo edhe një restaurant të superfuqishëm botërorë në Shqipëri si ata që menaxhoj deri tani”, ka thënë Jorgo Hasani për KultPlus.
Në të ardhmen e afërt Jorgo ka në plan fillimet e xhirimit të filmit të tij të parë ku do të paraqes karrierën e tij deri më tani me ngjarje të vërteta por ai premton edhe shumë surpriza në vitin e ardhshëm. / KultPlus.com

Të ngjajshme