Blerta Zeqiri: Filmi “Martesa”, filmi më i mirë që kam realizuar deri tani (FOTO/VIDEO)

Nëntor 26, 2017 - 5:30 pm

Ekipi i filmit “Martesa” me skenar dhe regji të Blerta Zeqirit, me aktorët: Adriana Matoshi, Alban Ukaj e Genc Salihu në rolet kryesore janë në ethet e premirës së këtij filmi, që pikërisht në ditën e flamurit ka premierën në një festival shumë prestigjioz në Estoni. Në një intervistë për KultPlus, pikërisht para nisjes në Estoni, regjisorja Blerta Zeqiri ka treguar për pritjet që ka për këtë film. Për këtë film që ka guxuar të prekë për herë të parë një temë mjaftë të ndjeshme, atë të dashurisë në mes gjinisë së njëjtë, Zeqiri ka thënë se pret të hapë debat në shoqërinë kosovare, dhe pikërisht premiera në Prishtinë, sipas saj i jep ethe më shumë se sa paraqitjet jashtë vendit. Për filmin “Martesa”, sa i përket lojës së aktorëve, skenarit, regjisë, fotografisë dhe shumë elementeve të tjera që përbëjnë realizimin e filmit, ajo ka thënë ta ketë zemrën plot, pasi që realizimi i filmit ka tejkaluar edhe pritjet e saj.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Tashmë jeni në ethet e premierës së filmit “Martesa” që do të prezantohet më 28 nëntor në festivalin e kategorisë A në Estoni, një pritje e gjatë, por duket të jetë një pritje e suksesshme, me çfarë emocioni jeni duke e kaluar këtë periudhë?
Blerta Zeqiri:
Tani po bëhen 5 vite prej kur kemi filluar punën në këtë film. Ka qenë punë e gjatë, shumë sfiduese, herë herë e lodhshme, por gjithnjë me shumë dashuri e entuziazëm, sepse kemi pasur një ekip të mrekullueshëm. Jam shumë e gëzuar që më në fund do ta japim premierën e filmit dhe e pres me padurim ta shoh nëse ky film do të komunikojë edhe me publikun, ashtu siç ka komunikuar edhe me profesionistët e idustrisë së filmit, sepse shpesh një film mund të pëlqehet nga industria, por jo edhe nga publiku. Jam duke i numëruar ditët deri në premierë.

KultPlus: Është filmi i parë kosovarë që ka guxuar të prekë një temë më të ndjeshme, sikurse është dashuria në gjininë e njëjtë, dhe zakonisht këto tema shumë shpesh janë përcjellë me zhurmë, je e përgatitur për këtë “zhurmë”?
Blerta Zeqiri:
Prej momentit kur kemi filluar punën në këtë film, e kemi diskutuar gjithmonë këtë çështje. Kemi folur edhe për zhurmën që do ta bëj ky film tek ne. Unë kam dëshirë shumë që filmi të shikohet dhe të hapë debat në shoqëri. Kohët e fundit kam parë shumë projekte artistike që kanë trajtuar këtë temë dhe nuk kanë shkaktuar skandale. E kam ndjenjën se në Kosovë ka ndodhur një lloj përparimi sa i përket të drejtave të komunitetit LGBTIQ- natyrisht ende jo aq sa duhet – por mjaftueshëm sa projektet artistike të kuptohen dhe të trajtohen si të tilla.

KultPlus:Filmi është një ndërlidhje: skenar, regji, aktorët, fotografia dhe shumë elemente të tjera, megjithatë, cilën e konsideroni si pikën më të fortë të këtij projekti?
Blerta Zeqiri:
Mendoj se natyrshmëria e lojës së aktorëve është ajo që më së shumti karakterizon punën time dhe më së shpeshti ndjehem krenare me lojën e aktorëve në film. Kësaj radhe është hera e parë që përveç aktrimit, në film ndjehem krenare për të gjitha elementet e filmit: çdo element i dizajnit të produkcionit (udhëhequr nga Lendita Zeqiraj), ka qenë jashtëzakonisht mirë i punuar, si skenografia (Burim dhe Blendina Arifi), kostumet (Yllka Brada), grimi(Leonora Mehmeti), ndaj dhe kemi arritur të kemi një fotografi shumë të bukur të drejtuar nga syri i Sevdije Kastratit.
Montazhin në film e ka punuar Keka Kreshnik Berisha dhe është kjo një montazhë shumë fluide e cila e ngrit lart punën e aktorëve duke e arritur që të bëj filmin të duket shumë i vërtetë.
Kolonën zanore gjithashtu e kemi të mrekullueshme: kemi këngë shumë të bukura që i interpretojnë aktorët kryesorë të filmit (Genc Salihu dhe Alban Ukaj), kemi muzikën popullore nga grupi Melodia e Vjetër me solisten e mrekullueshme Nezafete Shala. Zëri i filmit (Pëllumb Ballata) është i punuar për mrekulli. Kemi këngë nga artistë të ndryshëm kosovarë, si Shpat Deda, Nesim Maxhuni, Armend Xhaferi, Labinot Sponca, Bicalko e Iliros. Thjeshtë secili ka bërë punën e tij me përkushtim dhe kjo shihet në rezultatin final të filmit.

KultPlus: Ju pastaj keni rrezikuar në përzgedhje të aktorëve, duke përfshirë edhe jo profesionistë, sikurse është rasti me Genc Salihun, pse besove kaq shumë te Genci?
Blerta Zeqiri:
Performancat e Gencit gjithmonë i kam përcjellur, sepse është i mrekullueshëm kur është para publikut: këndon, folë, imiton, luan, të gjitha i bën pa pikën e kompleksit, ndaj dhe kam qenë e sigurt se do t’ia del edhe kësaj sfide. Gëzohem shumë që nuk kam gabuar, sepse Genci ka realizuar një performancë të mrekullueshme në film.

KultPlus: Në anën tjetër, rolet kryesore në këtë film vijnë nga aktorët më të treguar të periudhës së fundit, sikurse është Adriana Matoshi e Alban Ukaj, sa keni nxjerrë ndryshe këta aktorë, duke pasë parasysh se tashmë kanë pasë shumë role?
Blerta Zeqiri:
Albani e Adriana janë aktorë të përkryer. Jam shumë e lumtur që kanë qenë pjesë e projektit që nga fillimi (viti 2012). Kisha pasur shumë dëshirë t’i falenderoj publikisht, sidomos Albanin, me të cilin nuk kam punuar asnjëherë më parë, për besimin që ka pasur në mua dhe që ka pranuar të bëhet pjesë e projektit ende pa u shkruar skenari, atëherë kur filmi ka qenë vetëm një sinopsis. Zakonisht draftet e para të skenarit nuk janë edhe aq të mira dhe unë jam frikësuar shumë se Albani me të cilin nuk kisha punuar më herët, nuk do të qëndroj në projekt. Por, fatmirësisht që të tretë kanë qëndruar në projekt dhe bile kanë kontribuar në punën e skenarit, sepse pas çdo drafti të rëndësishëm kemi bërë punëtori, ku e kemi lexuar skenarin, kemi diskutuar për karakteret, aktorët kanë bërë improvizime të skenave të ndryshme dhe këto prova i kemi xhiruar, pastaj kemi inkuadruar gjëra nga provat në skenarin final. Aktorët, kanë arritur të mishërohen aq shumë me personazhet e tyre në film, sa që ata për mua në film janë Bekimi, Anita dhe Noli.

KultPlus: Personalisht, si skenariste dhe regjisore e keni zemrën plot me nxjerrjen e këtij rrëfimi?
Blerta Zeqiri:
Unë e kam përshtypjen se ky film është filmi më i mirë që unë kam punuar deri më tani. Ndoshta nuk do të pëlqehet nga të gjithë për shkak të temës që trajton, porse si realizim, unë mendoj se është puna më e mirë e imja deri më tani. Po. Zemrën e kam plot. Gjithmonë ka mundësi që diçka të jetë edhe më mirë, porse ky film i ka tejkaluar pritjet e mia dhe ndjehem krenare për realizimin e tij.

KultPlus: Filma me tema të tilla kanë përfunduar si filma shumë te suksesshëm, po guxon të mendosh për një sukses të tillë?
Blerta Zeqiri:
Filma që kanë trajtuar këtë temë kanë qenë shumë të suksesshëm në botë viteve të fundit. Nganjëherë kam frikë se kjo temë për botë nuk është shumë interesante, sepse ata i kanë trajtuar këto tema shumë. Porse, gjithsesi do të jetë një film i rëndësishëm për ne në Kosovë dhe ndoshta në rajon. Por tani filmi do të ketë premierën në Tallinn Black Nights dhe kjo më gëzon, sepse e shoh mundësinë e një suksesi edhe ndërkombëtar.

KultPlus: Filmi më pas do të prezantohet në dhjetor edhe në Kosovë, cila audiencë të jep ethe më shumë, ajo e Estonisë apo e Prishtinës?
Blerta Zeqiri:
Së shpejti do ta lajmërojmë edhe datën e premierës në Kosovë. Mua definitivisht gjithmonë më japin ethe paraqitjet në Kosovë, sepse kam dëshirë që filmi të përjetohet si i vërtetë dhe audienca të harrojë se është duke shikuar film dhe të zhytet brenda rrëfimit. Audienca jonë më së miri e gjykon këtë, ndaj dhe reagimi i publikut tonë është shumë i rëndësishëm për mua.

KultPlus: Keni marë ndonjë konfirmim për ndonjë prezantim tjetër?
Blerta Zeqiri:
Së pari do të shfaqet filmi në festival, pastaj nuk besoj se do të mungojnë edhe prezantimet tjera, porse të gjitha do të vijnë pas premierës.

KultPlus: Dhe për fund, ju jeni regjisore e shperblimeve me filma të metrazhit të shkurtë, mendon se jeni prej atyre regjisoreve që jeni e bërë vetëm për çmime?
Blerta Zeqiri:
Hahahahah. Si me u përgjigj në këtë pyetje? Po e marr si kompliment, faleminderit Ardianë!
Po provoj të përgjigjem disi: Unë i bëj filmat sipas vizionit tim dhe fatmirësisht deri më tash ky vizion më është shpërblyer. Por bota e filmit të gjatë është krejt tjetër dhe nuk e kam as edhe ndjenën më të vogël se si do të shkojë puna me këtë film. Besoj se do ta përcjellim bashkarisht jetën e këtij filmi./KultPlus.com

Të ngjajshme