Dafinë Vitija: Nuk kam ëndrra, kam qëllime

Gusht 11, 2017 - 9:50 pm

Veprat e saja janë të mbushura me ngjyra, me kontraste dhe me një stil shumë të veçantë. Edhe pse me jo shumë ekspozita, artistja e re kosovare Dafinë Vitija, ka zgjedhur një rrugë tjetër për promovimin e punës së saj, nëpërmjet faqes zyrtare në rrjete sociale. Dhe interesimi për veprat e saj ka shpërthyer përtej interesimin lokal, pasi që për ngjyrat e saja po interesohen edhe të huajt, të cilët, shumë shpesh po e krahasojnë edhe me Picason. Në një intervistë për KultPlus ajo ka treguar edhe për projektin e saj të fundit “Hyjneshat” , e cila ka treguar një detaj se ky projekt i saj ka për qëllim promovimin e kulturës shqiptare në vende të ndryshme të botës.

Ardianë Pajaziti
Foto: Meddy Huduti

KultPlus: Ngjyrat e dhezura janë arma më e fortë në veprat e tua, por jo vetëm ngjyrat, por edhe stili. Përdorimi i ngjyrave të tilla reflekton një guxim të madh në raport me artin, si e shpjegoni vetë ju?
Dafinë Vitija:
Gjëja e parë që na bie në sy, kurdo që shikojmë ndonjë vepër arti (në këtë rast piktura) është përmbajtja e ngjyrave. Ngjyra është subjekti i parë që identifikon konceptin e ndonjë vepre. Pa dashur të bëj përgjithësime. Megjithëse, varet nga përmbajtja e veprës dhe disponimi i autorit i shprehur në atë vepër të caktuar.

E dimë që ngjyrat e errëta zakonisht tregojnë diçka të zymtë apo të trishtë, ndërsa ato të ndezura tregojnë të kundërtën e zymtësisë . Personalisht nuk e mendoj shumë këtë çështje, ashtu si ndihem ashtu edhe i kombinoj ngjyrat. Më pëlqejnë kontrastet, e besoj që në nënvetëdije e aplikoj këtë guxim, si e quani ju. Përfundimisht nuk e mendoj shumë, pasi që, në art, në përgjithësi gjërat që nuk mendohen shumë janë më autentike dhe më të bukura.

KultPlus: Si erdhët deri te formësimi i stilit tuaj, pasi që veprat e juaja tashmë dallohen se cilit autor i përkasin?
Dafinë Vitija:
Ka qenë një proces relativisht i gjatë, pasi që kam eksperimentuar në shumë teknika, mënyra apo edhe stile të ndryshme të pikturimit, por gjithmonë e kam pas një ndjesi se është diçka që mungon, në kontekst të asaj që më identifikon si artiste. Megjithëse, ende kam dëshirë të bëj gjëra të ndryshme dhe kohë pas kohe pikturoj gjëra që nuk kanë të bëjnë aspak me stilin tim.
Personalisht mendoj që arritja e një stili të caktuar nuk do të thotë ‘kufizim’ për të pikturuar gjëra tjera, në fakt mendoj që është një mënyrë shumë e mirë që të konkretizohet imagjinata në atë mënyrë që mundet, dhe shpesh edhe të befasosh vetën, pse jo. Duke qenë e tërhequr nga teksturat dhe detajet në përgjithësi kudo që i shoh, kam filluar t’i aplikoj në pëlhurë, në mënyrën time, duke përdorë materiale të ndryshme, prej tekstilit e deri te rëra artificiale që përdoret në maketat e projeketve arkitekturale. Konsideroj që formësimi i stilit, apo edhe ai artistik në përgjithësi është një proces i vazhdueshëm dhe që përditësohet kohë pas kohe.

KultPlus: Disa i kanë krahasuar veprat e tua me ato të Picasos, vetë krahasimi besoj që të ka bërë të ndiheni mirë, por pos ndjesisë, e kishit menduar se jeni duke investuar në këtë rrugëtim, apo edhe ju vetë jeni befasuar kur keni përfunduar me këtë stil?
Dafinë Vitija: Krahasimi i veprave të mia me ato të Picasos nuk më ka bërë të ndihem mirë ose keq. Në fakt kam qenë e ‘përgatitur’ për këtë etiketim, pasi që është piktori i parë me këtë stil, pas të cilit kam qenë e mahnitur qysh si fëmijë. Fakti që më pëlqen shumë kubizmi nuk e dërgon larg mendimin që gjithçka mund të duket si Picasso. Megjithatë, e pranoj që jam e influencuar nga Kubizmi i Picassos, në këtë rast për disa prej pikturave që i kam bërë më herët, dhe mundet me ndodhë dhe në të ardhmen, kurdo që vendosi të bëj diçka të këtij stili.
Nëse konsiderojmë se kjo është diçka pozitive, në këtë rast atëherë mendoj që çdo rezultat i mirë në fund të fundit është i mirëpritur dhe më bën të ndihem mirë, por asnjëherë nuk kam pas tendencë apo qëllim të tillë, paraprakisht.

KultPlus: Pastaj, në faqen e juaj kemi hasur të interesohen për çmimet edhe të huajt, por edhe vendorët, përkundër faktit se ka ankesa nga artistët që nuk ka shumë të interesuar për blerje?
Dafinë Vitija:
Interesimi për punën time nga vendorët por edhe të huajt ka qenë i papritur, pasi që e kam menduar si një proces të vështirë dhe që merr kohë, për vetë faktin që kriza ekonomike-sociale e edhe politike e kanë rolin e vet drejtpërdrejt e te secili, andaj kjo dukuri ka ndikim të dukshëm deshëm apo nuk deshëm ne. Mendoj që ky realitet qëndron në përgjithësi në Ballkan. Sidoqoftë, falë teknologjisë kam pasë rastin t’i shfaqë punimet e mia në rrjete socialedhe më gjerë ku edhe kam pasë qasje tek njerëzit që e pëlqejnë punën time, qoftë ata vendorë apo edhe të huaj.

KultPlus: Po nëraport me eskpozitat, si qëndron, cili është angazhimi i juaj në këtë drejtim?
Dafinë Vitija:
Nuk mund të them që jam shumë e angazhuar në ekspozita në përgjithësi, pasi që mendoj që është përgjegjësi e madhe të bësh një ekspozitë, prej realizimit deri tek përmbajtja. Të paktën unë e marr më me seriozitet këtë punë.Megjithëse kam pasë disa ekspozita kolektive ku kam qenë vetëm pjesëmarrëse, si dhe një ekspozitë personale që ka qenë e mundësuar nga “Raifeissen Bank’. Megjithatë, ekspozitat janë pjesë shumë e rëndësishme për promovim të punës, kështu që me kohë do të kujdesem me qenë më e angazhuar në të ardhmen.

KultPlus: Ju sapo keni bërë të ditur se jeni në përgatitje të projektit të radhës “Hyjneshat”, për çka po bëhet fjalë?
Dafinë Vitija:
Si fiilim, projekti “Hyjneshat” ka qenë një shtytje e personave që e njohin punën time, dhe më kanë sygjeruar që të bëj diçka me motive kombëtare, pasi që është e dukshme lidhja ime me kulturën aziatike dhe afrikane, ku në shumicën prej pikturave vërehet ndikimi i këtyre kulturave.
Andaj vendosa që të hulumtoj më shumë rreth kulturës tonë dhe të gjitha trevave ku kanë jetuar shqiptarët. Kam mbetë e mahnitur nga laramania dhe diversiteti i veshjeve, tu e pasë parasysh që nuk jemi numër shumë i madh i popullsisë. Diçka që është shumë e dukshme është shpirti krijues i jashtëzakonshëm, në këtë hapësirë të vogël gjeografike, dhepopullësi të vogel , ne kemi një pasuri të madhe shpirtërore që pasqyrohet në këto veshje, deri tek detaji më i vogël. ‘Hyjnesha në Fron’ ka qenë subjekti më i ngjajshëm në pamje me subjketet që i përdori zakonisht në pikturat e mia, përmendim këtu nga konturat e fytyrës e deri te qafa e gjatë.
Ky projekt ka me qenë pjesë e një projekti për promovimin e vleravekombëtare-tradicionale në diasporë. Meqenëse, ende nuk është e definuar tamam, nuk jam personi i duhur të zbuloj diçka më shumë, besoj që me kohë do ti kuptoni detajet tjera.

KultPlus: Përpos këtij projekti, a ka diçka tjetër që mund të presim brenda vitit?
Dafinë Vitija:
Momentalisht jam duke punuar në një projekt që është i destinuar për në rajon, dhe disa tjera në vend e nuk kam vend të mendoj për diçka tjetër në këtë kohë, mirëpo në çdo rast keni me qenë të informuar për ndonjë event më të rëndësishem ose diçka të ngjashme.

KultPlus: Ndërkohë, artistët kosovarë së fundi po prezantohen në shumë galeri ndërkombëtare, çfarë përvoje keni në këtë drejtim?
Dafinë Vitija:
Jam e informuar për këto prezantime dhe performanca të artistëve tanë në audiencë ndërkombëtare, megjithëse, realisht (pa dashur që ti përfshijë të gjithë) disa prej artistëve unë nuk di ende se çfarë pune bëjnë ose në çka janë të orientuar, edhe kam dëshirë ti shoh punët e tyre, kurdo që ka me pasë material që të mund të shihen .
Sidoqoftë mendoj që vendi jonë më shumë se kurrë ka nevojë për njerëz të tillë, më shumë se kurrë ka nevojë me i lënë ankesat dhe pesimizmin se ‘ktu s’ka kurgjo’ ‘’ktu s’ka perspektivë’. Perspektiva fitohet kur ka material për të bërë ndryshime pozitive, e të gjithë e dimë që me ‘një lule nuk qel Pranvera’. Qasja ime në këtë çështje është që une dua të kontribuoj për vendin tim në çfarë do mënyre që më ofrohet kjo mundësi, por nësekam fat, du me shkelë dhe vende tjera, mirëpo gjithmonë me një bagazh të mbushun e të lënë pas në vendin tim.

KultPlus: Dhe për fund, çfarë keni pikëarritje që e ëndrroni çdo ditë?
Dafinë Vitija:
Nuk kam ëndrra, kam qëllime. Qëllimetregohen me vepra në kohë dhe momente të caktuara. Shpresoj që keni me qenë edhe ju dëshmitar./KultPlus.com

Të ngjajshme