Feride Rushiti: Dhuna seksuale e luftës ka qenë njëra prej heshtjeve më të mëdha të historisë sonë

Prill 3, 2018 - 9:40 pm

Feride Rushiti sapo është nderuar me çmimin “Grua e Guximshme” nga Departamenti i SHBA-ve dhe pikërisht për ndjesinë që i ka dhënë ky çmim, në një interviste të dhënë për KultPlus, Rushiti ka treguar për rrugëtimin e saj 20 vjeçar deri të pranimi i këtij çmimi që i është dhënë nga Zonja e Parë e SHBA-ve, Melania Trump.
Por rruga deri te ky çmim, ka pas një çmim edhe për vetë Feride Rushitin, pasi që, për 20 vite të tëra ajo ka dëgjuar me mijëra rrëfime jo të lehta nga gratë e dhunuara, që padyshim, ishte sfiduese edhe për vetë Rushitin që të rikthejë në jetë këto gra, që përpos dhunimit ato kanë qenë edhe të dënuara nga familjarët, rrethi dhe shoqëria në përgjithësi.

Për krejt këtë rrugëtim, për rrëfimin më rrëqethës përgjatë këtyre 20 viteve, për pranimin e këtij çmimi dhe se kujt ia dedikon ajo, mund ta kuptoni nëpërmjet kësaj interviste ku Feride Rushiti shpalosë edhe shumë gjëra.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Ju sapo jeni nderuar me çmimin “Grua e guximshme” nga Departamenti i SHBA-ve, me çfarë emocioni e keni pranuar këtë çmim?
Feride Rushiti:
Ndjenjë e papërshkruar, vërtetë ndihem e nderuar që më është dhënë çmimi ndërkombëtar dhe e vlersuar si Grua e Guximshme nga Departamenti i Shtetit Amerikan. Përfitoj nga rasti për të shprehur mirënjohjen për këtë çmim krahas këtyre grave të mrekullueshme, të guximshme nga anë të ndryshme të botës. Jam thellësisht mirënjohëse që marr çmimin prestigjioz “Gratë e Guximshme” në emër të mijëra grave të Kosovës – guximi, këmbëngulja dhe vendosmëria e të cilave bëri të mundur nderimin tim me këtë çmim.

Pas gati dy dekadave të punës sonë të palodhshme në lehtësimin e pasojave të traumës dhe torturës, avokimin për njohjen e statusit ligjor, si dhe adresimin e stigmës, të mbijetuarat e dhunës seksuale, më në fund e kanë një status ligjërisht të rregulluar dhe mund të përfitojnë nga reparacioni. Janë ato në të cilat gjeta kurajë dhe janë ato në të cilat gjeta inspirim.

Faleminderit Zonjës së parë Melania Trump, Departamentit të Shtetit, ambasadorit të SHBA-ve Delawie,stafit te ambasades se SHBA-ve për mbështetjen e zërave tonë të padëgjuar.

Faleminderit kolegëve të QKRMT-së dhe aktivistëve tjerë të të drejtave të njeriut, Parlamentit të Kosoves, Qeverisë së Kosovës dhe familjes sime!


KultPlus: Ky çmim iu është dhënë me dedikimin si një grua që keni kontribuar shumë për të drejtat e njeriut, me theks të veçantë për rolin e juaj, duke u shndërruar në zërin e grave të dhunuara nga serbet në Kosovë, kujt ia dedikoni këtë çmim?
Feride Rushiti:
Për gati dy dekada, ne punuam me ngulm për të rehabilituar traumën fizike e shpirtërore për dhjetëra e mijëra të mbijetuar të torturës dhe dhunës seksuale nga koha e luftës, duke luftuar për njohjen e tyre ligjore e morale. Ka qenë një përpjekje e vështirë, me të përpjetat e të tatëpjetat e veta, por vendosmëria dhe këmbëngulja e këtyre grave na dha fuqi të gjithëve: shoqërisë civile, Qeverisë, Parlamentit dhe të gjithë shoqërisë së Kosovës për të ecur përpara. Më në fund, të mbijetuarat e guximshme kanë një status ligjor dhe gëzojnë reparacionet për vuajtjet e tyre.
Këtë çmim ia dedikoj të gjitha grave dhe mbarë Kosovës!


KultPlus: Sa ishte sakrificë, dhimbje, sfidë të shndërroheshit në zërin e këtyre grave, sidomos kur kemi parasysh mentalitetin e Kosoves?
Feride Rushiti:
Kosova kaloi një luftë që solli shumë mizori, vrasje masive, persona të zhdukur dhe shumë viktima të dhunës seksuale . Kjo e fundit, e përdorur si armë e luftës është një nga përvojat më traumatike që solli shumë vuajtje dhe pasoja, jo vetëm për të mbijetuarit, por edhe për familjet dhe komunitetin e tyre në përgjithësi. Pothuajse për dy dekada, të mbijetuar nga dhuna seksuale e luftës janë ende në pritje të drejtësisë dhe përkrahjes shoqërore.
Shumë nga të mbijetuarit e dhunës seksuale të luftës janë duke u përballur me një traumë të gjatë fizike, mendore dhe emocionale. Për shumicën e tyre, ëndrra për një jetë më të mirë në periudhën e pas luftës është shuar nga momenti kur trupi i tyre i pambrojtur u përdor si mburojë e fushëbetejës dhe si një instrument i terrorit.

Të mbijetuarat shpeshherë e perceptonin veten si një njeri të pafuqishëm dhe të paaftë për të ecur përpara. Abuzimi seksual barte njolla në kujtesën e tyre duke thelluar edhe më tej stigmën dhe viktimizimin e tyre. Për më shumë, edhe familja dhe rrethi i gjerë kishin një kulturë paragjykuese ndaj grave, e veçanërisht viktimave të përdhunimit, duke i sjellë ato shpeshherë në pozitë përjashtuese dhe izoluese.
Prandaj, identifikimi i tyre dhe qasja në komunitet, përveçse që paraqisnin rrezik për vetë të mbijetuarit, njëkohësisht sfidonin edhe punën tonë, dhe jo rrallë familja dhe të afërmit e tyre na kërcënonin vetëm e vetëm që mos të shpërfaqej ‘sekreti familjar’ dhe e kaluara e hidhur.

Prandaj, viktima e përdhunimit vuan dy herë: së pari duke u dhunuar dhe së dyti duke u dënuar nga një komunitet patriarkal. Në punën tonë të përditshme, jeta e tyre pas përdhunimit është një jetë e dytë që ndryshon të mbijetuarit në një personalitet tjetër, ku disa prej tyre thonë se ata thjesht jetonin të vdekur në mesin e të gjallëve.

Të jesh pranë tyre, t’i dëgjosh hallet dhe vuajtjet, e më pastaj të punosh për t’i rimëkëmbur nga plagët e shpirtit, ka qenë dhe vazhdon të jetë mision plot sfida që shumë herë të bën të ndihesh i pafuqishëm, i lodhur e depresiv. Por, thirrjet e tyre për ndihmë, nevoja për t’i fuqizuar dhe për t’ua kthyer shpresën për jetë, na bëri që bashkërisht me një ekip profesional dhe aktivistë të drejtave të grave, të bëheshim zëri i tyre duke e mobilizuar shoqërinë, duke e thyer heshtjen dhe luftuar stigmën që na rrethonte.

‘Dëgjoni zërin tim’ është motoja e punës sonë me viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë për gati dy dekada, është më shumë se një moto. Është një mesazh i kthyer në një mision unik dhe të jashtëzakonshëm. Ajo që kishte filluar qysh me 1998 si një përpjekje e parë për t’u ardhur në ndihmë të mbijetuarve të dhunës seksuale, tani është rritur në një lëvizje të fuqishme që mbron të drejtat e tyre. Pra ‘Dëgjo zërin tim’ rrjedh nga vetë vuajtjet e viktimave dhe nevoja për dëgjueshmëri institucionale e shoqërore.

Dhunimet e luftës kanë lënë plagë të thella në shoqërinë tonë. Gruaja në Kosovë, gjatë tërë periudhës së luftës, ka qenë pjesë e pandashme e tragjedisë dhe e përpjekjeve të përbashkëta për të siguruar një të ardhme më të mirë.

Fatkeqësisht, gratë, nënat dhe motrat tona kanë qenë edhe shënjestra të drejtpërdrejta të dhunës seksuale si armë lufte, luftë kjo e cila për to kurrë nuk do të ketë një fund. Sepse, gratë e përdhunuara gjatë luftës, jo vetëm që janë viktima të përdhunuesve, të mbijetuara të torturës, por ato shpesh janë edhe viktima të rrethit në të cilin jetojnë, për shkak se përballen me përbuzjen dhe përjashtimin nga shoqëria.

Prandaj dhuna seksuale e luftës ka qenë njëra prej heshtjeve të mëdha të historisë sonë. E tërë kjo është ndërlidhur me faktin që, viktima e dhunimit është konsideruar si njollë dhe turpi i familjes ku përveç pasojave psikologjike, fizike, morale, sociale e ekonomike të viktimës, në mënyrë të drejtpërdrejt është fyer dhe rënduar edhe familja e saj.
Po ashtu, heshtja dhe stigma rreth dhunës seksuale në kohë lufte dhe paqe, në njëfarë forme ka mbrojtur dhunuesin për të mos marrë dënimin e merituar, duke përforcuar më tej paragjykimet sociale.

Ato janë në mesin tonë dhe kanë nevojë për përkrahje të vazhdueshme. Ato ndihen më të fuqishme, atëherë kur ne e bashkëndjejmë të kaluarën e tyre, duke i respektuar dhimbjet e tyre.

Prandaj, duke i ndihmuar të mbijetuarit, në ndarjen e përvojës dhe përpunimin e traumës, e ardhmja e tyre ka një rreze shpresë. Në dritën e situatës së dëshpëruar të viktimave të dhunës seksuale dhe me qëllim të lehtësimit të vuajtjeve të tyre, QKRMT-ja nisi një udhëtim të gjatë, të vështirë dhe të trazuar, jo të vetëdijshëm në kohën e pasojave të rënda të kësaj përpjekjeje. Para shumë kohësh, kjo përpjekje për të ndihmuar viktimat e luftës dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre bëhet mision dhe vizioni i organizatës për të cilën unë kisha filluar të mendoja që në vitin 1998. Për vite me radhë kemi ofruar mbështetje mjekësore dhe psikosociale për viktimat dhe kemi synuar njohjen ligjore të statusit të tyre si viktima të luftës.


KultPlus: Të jetosh çdo ditë me rrëfimet e të vuajturve, padyshim që ato vuajtje të kenë reflektuar edhe te ju, pse zgjodhe këtë rrugetim?
Feride Rushiti:
Torturat dhe përvoja jonjerëzore që kishin përjetuar të mbijetuarit e dhunës seksuale, derisa i dëgjoj shpesh më bënin të pafuqishme, qaja me to por edhe ndihesha e zemëruar për gjithë atë sjellje degraduese dhe shkatërruese që ishte ushtruar ndaj trupit të tyre, duke mos i kursyer as fëmijët, nënat në moshë të shtyrë, gratë shtatzëna dhe nganjëherë edhe personat me aftësi të kufizuar.
Të gjitha këto rrëfime rrëqethëse më kishin vendosur para një përgjegjësie personale dhe profesionale. Nga një mjeke e re që ëndërroja sa më parë të përfundoja specializimin, në atë kohë pranë Universitetit të Tiranës, vazhdova me shumë përkushtim si një aktiviste e të drejtave të njeriut. Prandaj, edhe kisha themeluar një organizatë ku të mbijetuarit do të kishin mundësi që t’i ndanin rrëfimet tyre dhe të përfitonin nga programet e ndryshme.

KultPlus: 20 vjet rrëfime, rrëfime, rrëfime…, cilin moment e konsideroni më të ndjeshmin që do ta ndanit me ne?
Feride Rushiti:
Në jetën time kam pasur me dhjetëra momente të paharruara, të cilat kanë lënë gjurmë edhe në psikologjinë time, por një rast kisha dashur ta ndaja pasi ishte rast shumë i rëndë dhe të cilin ende e mbaj në mendje.

Ishte një mesditë me shi dhe ishim duke ofruar shërbime psikosocial për gra dhe fëmijë në kampet e Kukësit, në kudër të UNICEF, dhe derisa isha duke punuar me fëmijë më thërrasin për ta takuar një grua në kampin italian për refugjatë, në Kukës. Derisa i afrohesha tendës së saj, shihja që shumë gazetarë ishin afruar, duke pritur që gruaja e gjorë të ndante tregimin me ta.

Derisa bisedoja me të, ajo mbante në krah një fëmijë të vogël, dhe një tjetër afër saj. U ula afër dhe fillova të bisedoja me të … më fliste si e mpirë, nuk kishte emocione fare, ishte e ulur dhe i shtrëngonte fëmijët fort, njërin në krah e tjetrin afër, duke u munduar të kuptoj çfarë i kishte ndodhur ajo vazhdonte me refrenin e saj: më ka vdekur vajza, e kam lënë rrugës nuk më dhanë mundësi as që ta varros … dhe prapë vazhdonte vajza më ka vdekur…duke e vështruar kisha vërejtur se nga fytyra dhe gjoksi kishte edhe ca plagë ….isha e pafuqishme para saj, nuk dija si të veproja dhe një moment e pyeta për burrin, duke u orvatur që të merrja më shumë informata …po edhe burrin ma kanë marr dhe nuk di nëse është gjallë. Ishte ai moment kur nuk duroja më dhe ja pëlcita së qari duke e përqafur atë…ku çuditërisht edhe ajo filloi të qante, por të qarat e saj ishin të trishtuara, aq sa edhe gazetarët nga jashtë dëshironin të hynin brenda për të parë se çfarë po ndodh…

Më pastaj, ajo e ndau rrëfimin e saj. Aq trishtues ishte, saqë shumë herë të vë në dilema se si është e mundur që qenia njerëzore mund të ushtrojë diçka të tillë ndaj trupit te saj.

KultPlus: Gratë për të cilat keni punuar tashmë e 20 vite, e kanë kuptuar që tashmë jeni shpërblyer me çmimin si gruaja më e guximshme?
Feride Rushiti:
Jam e privilegjuar që jam themeluese dhe një udhëheqëse e një organizate prej 25 anëtarësh të cilët janë profesionistë dhe të dedikuar, të palodhur në realizimin e misionit të tyre. Nuk kemi rreshtur së punuari për të mbrojtur të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe për të luftuar stigmën që i rrethon. Ne u kemi dhënë zë njerëzve të pashprehur dhe pashpresë, u kemi dhënë fuqi të pafuqishmëve, dhe ne kemi rivendosur një drejtësi, sado që mund të jetë e vonuar dhe simbolike. Ata kanë qarë, ne kemi ngritë zërin, por bota ka dëgjuar tani më. Pra janë ato gra dhe vajza te guximshme që më kanë inspiruar të vazhdoj misioni për 20 vjet me radhë. Po ashtu, ky vlerësim ju takon të gjitha grave të Kosovës të cilat kanë ndihmuar në shtyrjen përpara të kësaj kauze.

KultPlus: Rrugëtim i gjatë deri te ky çmim, po para ketij çmimi, falë angazhimit tuaj, gratë e dhunuara gjate luftës tashmë kanë mbështetje edhe institucionale, nëse do të rinisje këtë rrugëtim, a do të kishe pasë fuqi që ta ndjekësh këtë angazhim!
Feride Rushiti:
E vështirë, shumë e vështirë … rrugëtimi ka qenë plot sfida, sakrifica, lodhje mundim por edhe zhgënjim. Por, kur dëgjon rrëfimet e tyre, sikur vetvetja më nuk ka rëndësi, kërkesa për t’i bërë të fuqishme të mbijetuarat të jep energji dhe elan për të vazhduar.
Mbi të gjitha, kur e sheh që tërë puna, aktiviteti, veprimtaria dhe dedikimi i jonë ka prodhuar rezultate shoqërore, atëherë kjo na shtyn edhe më shumë që të ecim përpara dhe të marrim përgjegjësi të reja.

KultPlus: Dhe për fund, si e përshkruan një grua të guximshme dhe sa është e vështirë të jeshë një grua e guximshme në Kosovë!
Feride Rushiti:
Kosova ka me dhjetëra gra të guximshme, të cilat në jetë kanë lënë gjurmë të mëdha, duke sakrifikuar vetveten, familjen dhe duke qenë gurëthemel i ndërtimit të shtetit dhe adresimit të të drejtave për grupet e ndjeshme shoqërore. Unë rastësisht jam njëra nga ato, që kam kaluar po në të njëjtat rrugëtime, duke u përballuar me shumë peripeci e barriera, por në jetë duhet ta kesh të qartë qëllimin dhe të jesh vazhdimisht këmbëngulës dhe me strategji të qarta për t’i tejkaluar barrierat.
Mbi të gjitha, të jesh i përkushtuar, i përulur ndaj atyre që i përfaqëson, gjithmonë në sinergji me akterët e tjerë në arritjen e qëllimeve të përbashkëta./KultPlus.com

Të ngjajshme