Gjoci sjellë industrinë e filmit hollivudian në Kosovë, për realizimin e filmit “Bregu i Diellit”

Shtator 8, 2017 - 9:36 pm

“Bregu i Diellit” me skenar dhe regji të Blerim Gjocit do të sjellë industrinë e filmit hollivudian në Kosovë. Përpos producentëve më me zë në Amerikë e Evropë, ky film ka pas vete edhe mjeshtrin e efekteve Michael Fink, që është i njohur edhe për filmin e famshëm “Avatar”. Vetë Blerim Gjoci në një intervistë për KultPlus ka treguar se në Kosovë, do të vjen edhe një aktore amerikane për të realizuar personazhin kryesor të gruas së këtij filmi, që 80% e filmit është e bazuar në jetën personale të Gjocit. Dhe jo vetëm për këtë film, ai për KultPlus ka treguar edhe për shumë projekte të tjera filmike që tashmë është duke i realizuar në Amerikë, sikurse që ka treguar edhe për projektet që për bazë kanë rrëfime shqiptare.

Ardianë Pajaziti

KultPlus: Filmi i metrazhit të gjatë “Bregu i Diellit”, i mbështetur nga QKK, është projekti më i madh që keni fituar në Kosovë, sa jeni duke besuar se do të sillni një film më ndryshe se sa ata që janë realizuar deri tashti në Kosovë, gjithnjë duke pasë parasysh se tashmë ju jeni shkolluar për film në Amerikë?
Blerim Gjoci:
Ky projekt i ka rrënjët qysh në vitin 1999. Kam pritë kaq gjatë, sepse nuk kam besuar që kam krijuar distancën që të tregoj këtë rrëfim. Me shkuarjen time në Amerikë, unë për tri vite rresht, përgjatë studimeve kam pasë edhe skenarin, jam trajnuar me skenaristët ndër më të mirët në botë, ku secili profesor i imi ka qenë fitues i Oscar për skenarë, dhe kemi punuar shumë në këtë drejtim.
Dhe filmi që kam punuar për diplomë “Pas territ”, më ka mundësuar që të kualifikohem edhe në një sfidë tjetër, atë të skenarit, ku pikërisht skenarin “Bregu i Diellit”, e kam punuar për një vit, nën monitorimin e katër mentorëve më të mirë për skenarë, ku nga 200 skenaristë, pikërisht skenari “Bregu i Diellit”, është përzgjedhur si skenari më i mirë, dhe tek atëherë skenari ka filluar me marrë formën që e kam dashtë dhe unë. Gati nuk ka asgjë me versionin e atëhershëm, sepse tek tashti e ka thellësinë që duhet ta ketë një skenar.
Në Kosovë, krejt filmat që bëhen për luftën, sepse edhe filmi im flet për luftën, e kanë nga një mallkim që i përcjellë, sepse, ne shpesh herë e humbim rrugën duke u munduar që të tregojmë cfarë na ndodhi, hapemi shumë rreth asaj të përgjithshmës dhe nuk fokusohemi në konkreten, ose cfarë u ka ndodhë atyre personazheve.
Unë duke ardhë prej këtij vendi, që nuk kemi trajnim për skenarë, nuk kemi njohuri se si duhet ti qasemi, qysh hetohet përralla…, përgjatë studimeve të mia, përkatësisht gjatë punimit të skenarit tim, me krejt këto gjëra jam ballafaquar dhe më pas i kam aplikuar në skenarin tim.
Unë po flas fjalë të mëdha për skenarin tim, por me të vërtetë skenari i mirë është baza e një filmi, prandaj shumë filma tek ne nuk funksionojnë, sepse kanë probleme në skenar, kanë probleme në shkrim. Unë jam munduar që njohuritë e mia ti aplikoj në këtë skenar, pa u rrëmbyer prej senzacionales, pa u joshë prej spektaklit, jam munduar të mbajë këtë rrëfim që është njerëzor.

KultPlus: Në bazë të asaj se cfarë po thoni, po nënkuptohet se filmi i juaj mund të konsiderohet edhe si filmi i parë mbi luftën, duke iu referuar qasjes që do të praktikoni në këtë film?
Blerim Gjoci:
Unë mendoj që filmi “Bregu i Diellit”, do të jetë filmi i parë për luftën që do të shkojë më larg, pasi që, qysh tash ka të involvuar producentë në zë, jo vetëm të Amerikës, por edhe të Evropës. Dhe pjesë e filmit janë pikërisht për shkak se ju ka pëlqyer rrëfimi.
Krejt parametrat tregojnë që ky film do të shkojë larg , edhe pse është shumë vështirë që të paragjykohet një film, ajo që i ka tërheqë producentë me zë që të jenë pjesë e filmit, kompani të mëdha, kompani serioze edhe të distribuimit, janë një matës që tregon se gjasat janë që të del një film shumë i madh.

KultPlus: Po flasim për një skenar që i ka rrënjët për 19 vite me radhë, një skenar kaq i heshtur brenda një shpirti artistik,vështirë të besohet se nuk ka dicka personale?
Blerim Gjoci:
80% e ngjarjes është ajo që e kam përjetuar, që e kam parë, kurse 20% është që kam marë nga rrëfimet e të tjerëve, pakëz fiksion, pastaj edhe përmbledhje interesante nga njerëz që kanë mbetë në Prishtinë, në kohën edhe kur është zbrazë Prishtina nga paramilitarët, pasi që po flasim për kohën e luftës. Filmi tregohet nëpërmjet dy personazheve të cilët e shohin luftën në vetën e parë.

KultPlus: Ndërkohë, këtë skenar e punove me mbiqkyrjen e skenaristëve që në shpatullat e tyre bartin Oscar, kurse pikërisht këtë skenar e solle në QKK, që të vlerësohej nga një juri kosovare. Pse e zgjodhe QKK-në?
Blerim Gjoci:
Ke të drejtë, unë në QKK kam konkurruar edhe më herët me një film tjetër, poashtu për luftë, një rrëfim shumë interesant. Me të vërtetë më vjen shumë keq që nuk është bërë, tash ai skenar i imi po realizohet me një producent irakian, dhe filmi po bëhet për luftën e Irakut, e ngjarja ka ndodhë në Kosovë, por lufta mund të përdoret si rrethanë në secilin shtet ku ka ndodhur lufta.
Një prej arsyeve se pse aplikova në QKK, ishte se po ti merrja paratë e para në Amerikë, atëherë filmi do të bëhej një film amerikan, me parametra të Amerikës, dhe nuk do të mund të imponoja ndjesinë e vendit tim. Kjo është arsyeja pse kam ardhë në Kosovë, që të kem një mbështetje bazë, që filmi të mbetet si filmi Kosovës. Dhe më pas të aplikoj edhe në fonde shtesë në rajon.
Mirëpo,edhe pse e kanë mbështetur filmin tim “Bregu i Diellit”, unë ende vazhdoj të mendoj se QKK është një prej institucioneve që nuk punon mirë, që punojnë me preferenca. Juritë që i kanë lexuar skenarët, mund të them me kompetencë se nuk kanë lidhje me skenarë. Por vazhdojnë të vendosin për ata që duhet të bëjnë filma në të ardhmen.

Blerim Gjoci me Michael Fink, mjeshtër i efekteve që do të punojë edhe në filmin “Bregu i Diellit”

KultPlus: Po shihet një entuziazëm për këtë film, si po mund të duroni deri në kllapën e parë të xhirimeve?
Blerim Gjoci:
Është e vërtetë që mezi po pres deri te momenti kur mund të them edhe ‘aksion’, por në të njëjtën kohë e di që pa u krijuar kushtet është gabim që të futemi në produksion, shumë më mirë është të presim deri sa të krijohen kushtet. Por po besoj që deri në vitin tjetër mund të jemi gati që edhe të fillojmë xhirimet.

KultPlus: Mund të na zbërthesh me pak fjalë se për cfarë flitet në këtë film?
Blerim Gjoci:
Jane grua e burrë, ideja e filmit është se si ky cift mundohen që të shpëtojnë vajzën ë tyre të sapolindur, në kohën e dyndjeve e të deportimit. E këta duke menduar që janë duke e shpëtuar vajzën, gjatë procesit e kuptojnë se vajza është duke i shpëtuar këta. Kjo është ideja, në krejt këto rrethana shihet tmerri i luftës së Kosovës.

KultPlus: Vetë jeni skenarist i filmit, dhe skenaristët përgjatë ndërtimit të karaktereve vec i shohin edhe fytyrat e aktorëve, i ke menduar këto personazhe.
Blerim Gjoci:
Unë jo që kam menduar për ta, po edhe kur bie në gjumë i shoh. Personazhi kryesor në këtë film është një grua amerikane,dhe aktorja që duhet të luaj në këtë film duhet të jetë amerikane.Një nga producentët e mi ka propozuar një aktore super të famshme amerikane, dhe pikërisht edhe ajo aktore pasi ka lexuar skenarin ka thënë një po të plotë. Mirëpo, nga frika se filmi do të merr fokusin pikërisht te kjo aktore, mediet si do të vërshojnë se pikërisht kjo aktore duhet të vijë në Kosovë për të xhiruar një film, na ka bërë që të mendojmë më thellë se mos po e zhvendosim foksuin.
Ende nuk jemi në një vendim të prerë, mirëpo në të njëjtën kohë jemi në diskutim edhe me tri aktore të tjera amerikane, që poashtu janë të njohura, por jo në formatin e së parës. Por gjithashtu duhet të presim edhe deri te hapja e audicionit, deri në vendosjen e rolit të mashkullit, pasi që, ata duhet të reflektojnë si një cift real. Por, përpos këtyre dy roleve ka edhe shumë role të tjera, që do të zgjidhen po nëpërmjet audicionit që do të hapet në periudhën e Vitit të Ri. Filmi do të ketë edhe skena masive, do të jenë skena reale sikurse që kanë ndodhë dyndjet në Prishtinë, kur edhe është boshatisë qyteti me urdhër të paramilitarëve serb. Xhirimet e eksterierit do të bëhen në Bregun e Diellit, kurse ato të interirerit do të realizohen ose në Zvicër ose në Gjermani.

KultPlus: Duke pasë parasysh se keni producentë të rëndësishëm, jeni duke e diskutuar se në cilin plan e keni më në fokus, atë të festivaleve apo atë të kinemave?
Blerim Gjoci:
Kemi shumë këso diskutime, në Amerikë është filozofia kinematë dhe festivalet, sepse edhe festivalet janë të rëndësishme për shkak të cmimeve, por edhe për kinematë, sepse duan që të shihet në krejt botën. Ne e dimë që asnjë film shqiptar nuk ka qenë në repertor të kinemave të botës, do të jetë nder i madh nëse e arrijë këtë. Një holokaust ka ndodhë në Kosovë në vitin 1999, po për fat ka intervenuar bota, dhe këtë duhet që ta tregojmë besushem, pasi që edhe ngjarja është e bazuar në ngjarje të vërtetë. Pastaj është edhe një film që ka një kosto prej 2 milionë dollarëve.

KultPlus: “Bregu i Diellit” po shihet të jetë një film i madh, po për projekte tjera sa ke pasë kohë që të angazhohesh?
Blerim Gjoci:
Unë kam shkruar një komedi, dhe jam në bisedime me disa producentë të tjerë po mbi këtë komedi. Pastaj jam duke e përgatitë një Look Book për Tv Show, për film serik të cilin e kemi kaluar në fazën e parë të prezantimit, po flas për një Tv Show të buxhetit të madh, jam në përgatitje të këtij seriali për katër sezona. Poashtu jam duke punuar edhe në një triologji, tashmë jam i angazhuar në këtë projekt. Triologjia do të jetë kulmi i asaj që do të bëj në Amerikë, sepse është një skenar që jam i angazhuar për ta bërë, mendoj që ajo do të jetë një ndër më të arrirat e mia.

KultPlus: Përvoja juaj në Kosovë, përvoja në Amerikë, qysh po e krahason karrierën para dhe pas jetës në Amerikë?
Blerim Gjoci:
Krejt koha që kam bërë filma në Kosovë është një bekim i madh, dhe gjithçka ka qenë e bazuar në instikte, e jo në njohuri në themel. E quaj fat të madh që nuk kam shkuar për të studiuar filmin diku në Evropë, sepse pata ardhë në një fazë kur pata thënë se sa instiktive është te ne krijimi i filmit. Nuk është një njohuri, se ne kemi kujtuar që dijmë të bëjmë filma, por në fakt ne nuk kishim ditur. Kur kam shkuar në Amerikë, muaji i parë më ka mundësuar që të kuptoj se më herët qasja me filmin kishte qenë sikur të shihje një film me perde të mbyllura, atje më kanë mësuar ti heq ato perde. Ne jemi popull emocional, jemi rrëfyes të mirë, jemi zanatlinj të mirë, fatkeqësia është që nuk po ka kush të na tregojë se si duhet të bëhen më mirë.

KultPlus: Dhe krejt këto projekte po dërgojnë një sinjal se e ardhmja e juaj është në Amerikë dhe jo në Kosovë, sa do të doje që pos “Bregu i Diellit”, të punoje prapë me rrëfime dhe me njerz të Kosovës?
Blerim Gjoci:
Michael Fink, mentori im, i cili është i njohur sidomos për punën e tij të efekteve në filmin e famshëm “Avatar”, i cili do të punojë edhe në filmin “Bregu i Diellit”, më pat pyetur se cfarë do të bëja pasi të përfundoj studimet. Unë i pata thënë se edhe unë jam duke kërkuar këtë vendim dhe po kërkoj dikë që të më ndihmoj për orientim. Ai me këtë rast më pat thënë: Unë nuk e njoh Kosovën, por e njoh Evropën, i njoh filmat e Evropës, dhe që të punosh atje film është njësoj sikurse të kryesh shkollën për pilot dhe të punosh në një taksi.
Dhe pikërisht kjo përgjigje më pat ndihmuar dhe më pat qartësuar se rruga ime është Amerika. Atje më janë dhënë të gjitha mundësitë për bërje të filmit, por në asnjë moment nuk do ta lë pa e kthy kokën nga Kosova. Se e kam kthyer kokën nga Kosova është dëshmia se tashmë jam duke punuar atje në një rrëfim për Skënderbeun, pastaj kam aplikuar me një rrëfim tjetër për Gjergj Elez Alinë. Dhe vazhdoj të besoj se Kosova ka plot njerëz me zemër prej ari, madje edhe në mesin e politikanëve. /KultPlus.com

Të ngjajshme