Vjosa Berisha: Jemi të fokusuar që të zhvillohemi si festival filmi dhe jo festival i eventeve

4 Korrik, 2017 - 4:21 pm

Kanë mbetur vetëm edhe dhjetë ditë deri në nisjen e rrugëtimit të nëntë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë-PriFest. Tashmë kemi pas mundësinë të shohim pak a shumë programin e këtij festivali i cili përgjatë nëntë viteve rresht në kryeqytetin kosovar ka sjellë emra të mëdhenj të kinematografisë botërore, evropiane, rajonale dhe vendore. Si viteve të kaluara, ashtu edhe sivjet PriFest, sjellë risi duke i dhuruar publikut shqipfolës të jetë më afër ekranit botëror dhe jo vetëm. Në prag të nisjes së këtij festivali, KultPlus realizoi një intervistë me drejtoreshën e përgjithshme të PriFest-it Vjosa Berishën, e cila shpalosi detaje interesante e shumë të pathëna në lidhje me programin që ka përgatitur ajo bashkë me ekipin e saj. Sjellja e regjisorit të njohur Paul Haggis, Prishtina Film FORUM, Prishtina Rendezvous, PriFest Afters, janë disa nga temat që kemi shpalosur në këtë intervistë duke mos lënë anash edhe 7 premierat botërore, 4 premierat ndërkombëtare, 3 premierat evropiane, 22 premiera regjionale ku hyjnë në mesin e mbi 80 filmave që sjellë ky festival. Poashtu, Vjosa Berisha për KultPlus, ka folur pak edhe për kinematografinë shqiptare dhe ka dhënë një premtim për publikun shqipfolës.

Sarandë Selimi

KultPlus: Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, ndryshe i njohur si PriFest, edicionin e parë e nisi në vitin 2009. Tashmë ka plotë nëntë vite që udhëtojmë bashkë me këtë festival, me filmat e përzgjedhur, me aktorët (mysafirë) të cilët i sjellë nëpër edicione të ndryshme që janë me famë botërore e me aktorët vendorë e të rajonit. Si fillim Vjosa, na thuaj ndjesinë që ke, ku pavarësisht sfidave vazhdon ta mbash gjallë e fuqishëm PriFestin?

Vjosa Berisha: Është ndjenje e veçantë, jo vetëm të mbërrijmë deri te realizimi i edicionit të nëntë përkundër të gjitha sfidave dhe vështirësive, por që çdo edicion i kemi dhënë vetes detyrë dhe përgjegjësi të bëjmë program më të pasur, më të zgjeruar dhe më përmbajtjesor. Sjellja e filmbërësve me nam botërore në Prishtinë është e vështirë, por ne kemi arritur ta bëjmë çdo vjet. Jam krenarë që jam pjesë e një eventi të madh, jo vetëm filmik, që kontribuon në ngritjen edhe të imazhit të qytetit dhe shtetit tonë, por edhe në zhvillimin e kinematografisë vendore.
KultPlus: Tashmë jemi në prag të edicionit të nëntë të festivalit, na i tregoni risitë që do sjellë ky edicion?
Vjosa Berisha: Si çdo vit, i gjithë programi i filmit është risi, pra premierë në Kosovë. Për më shumë do të kemi edhe premiera botërore, ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale. Rritja e tillë e premierave botërore e rajonale i bën nder festivalit dhe është tregues për rritjen e nivelit të tij. Do të kemi më shumë evente përcjellëse, siç është Prishtina Film FORUM, por edhe pjesën e after party, ku sivjet do të organizojmë dy evente të mëdha muzikore në Amfiteatrin e Gërmisë, një me muzikë elektornike me DJ ndërkombëtar (14 korrik) dhe një me muzikë rock LIVE me bendet e Prishtinës (15 korrik).

KultPlus: PriFest, sivjet hapet aty ku nisi, në Teatrin Kombëtar të Kosovës. Na tregoni pse vendosët të ktheheni në TKK e jo ta mbani ceremoninë hapëse në ambient të hapur, siç ndodhi vitin e kaluar ku Sheshi ‘Zahir Pajaziti’, ishte nikoqir i edicionit të tetë të PriFest?

Vjosa Berisha: Ceremonia e hapjes bëhet njëkohësisht në dy lokacione, pra edhe në Sheshin Zahir Pajaziti edhe në Teatrin Kombëtar. Pra, do të shfaqet filmi i njëjtë, dhe mysafirët e filmit do të jenë në dy lokacionet. Jemi shumë të lumtur që publikut kosovar në natën e hapjes do t’i sjellim premierën ndërkombëtare të filmit kosovar “T’padashtun” në regji të Edon Rizvanollit. Këtë film do ta shfaqim njëkohësisht edhe në Teatër Kombëtar edhe në Sheshin Zahir Pajaziti në kinema të hapur, me një distancë kohore prej 45 minutash në mes dy ceremonive.
PriFest kthehet në shtëpinë e vet ku filloi rrugëtimin, në Teatrin Kombëtar, sepse një festival patjetër që duhet të ketë një hapësirë të mbyllur dhe lokacion qendror, por njëkohësisht do të vazhdojmë traditën e mikpritjes për gjithë qytetarët pa dallim, gratis dhe pa ftesa në kinemanë nën qiellin e hapur në Sheshin Zahir Pajaziti.

KultPlus: Sivjet do e sillni edhe regjisorin e njohur Paul Haggis-fitues i dy çmimeve Oskar, çmimeve Bafta dhe Emmy. Si arritët të kontaktoni me Haggis dhe duke e pas parasysh karrierën e tij, sa do të jetë mundësi e mirë një takim me aktorët e regjisorët vendor?

Vjosa Berisha: Regjisori i mirënjohur botëror Paul Haggis është mysafir nderi i PriFest. Ardhja e tij e nderon festivalin tonë, qytetin dhe Kosovën. Kjo tregon për ngritjen e festivalit tonë, që na gëzon, por edhe na jep obligime dhe përgjegjësi shtesë në organizim edhe sivjet edhe vitet në vazhdim. Dua ta potencoj që nuk është aspak lehtë të bindësh filmbërësit e kalibrit të tillë të vijnë në Kosovë. Mos të përmendi edhe koston e udhëtimit dhe qëndrimit. Neve si festival na nevojitet një përkrahje më e madhe për të vazhduar me këtë punë, e cila nuk është në të mirë vetëm të festivalit, por edhe komunitetit artistik vendor dhe industrisë së filmit të Kosovës. Nëse përkrahja nuk rritet, vitet në vijim ne do të arrijmë në pikë të rraskapitjes, që nuk është mirë për askënd.
Për tu kthyer te pyetja juaj, po patjetër që do të ketë mundësi. Paul Haggis do të qëndrojë në Kosovë 5 ditë, do të ketë agjendë të ngjeshur që të marrë maksimumin e informacioneve. Ndërkohë, si për aktorët e regjisorët, ashtu edhe për mediet, studentët e publikun e gjerë Paul Haggis do të ketë disa paraqitje publike: do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar për shfaqjen speciale të filmit Crash, që do të jetë si program i veçantë ‘Tribute to Paul Haggis’, do të ketë një Masterclass mbi jetën dhe punën e tij, dhe do të jetë pjesë e një paneli diskutimi që do të organizohet në kuadër të PriFest. Në ditët në vijim do ti publikojmë detajet e takimeve dhe aktiviteteve të tij.

KultPlus: Do të keni gjithsej mbi 80 filma në kategori të ndryshme. 7 premiera botërore, 4 premiera ndërkombëtare, 3 premiera evropiane, 22 premiera regjionale, kurse të tjerat janë premiera kosovare. Sa ka qenë e vështirë përzgjedhja e këtyre filmave duke e pas parasysh numrin dhe cilat do jenë premierat botërore që do ua dhuronit publikut kosovar?

Vjosa Berisha: Kemi pasur numër rekord aplikimesh. Kësaj i shtohet fakti edhe i hapjes së një kategorie të re garuese, asaj të filmave dokumentar. Përzgjedhja e filmave është punë që i kushtojmë më së shumti vëmendje. PriFest çdo vit sjell në Prishtinë filmat më të mirë artistik botëror, fitues të festivaleve më të mëdha dhe filma nga rajoni, që vështirë që mund të shihen në kinema apo televizion. Kualiteti i lartë i filmit është prioriteti ynë. Jemi të fokusuar që të zhvillohemi si festival filmi dhe jo festival i eventeve përcjellëse. Andaj, jemi krenar si me numrin e rritur të filmave, por dhe me nivelin artistik që kanë.

KultPlus: Po premierat kosovare cilat janë?

Vjosa Berisha: Që të gjithë filmat në kategoritë garuese janë premiera në Kosovë. Ky është edhe kriter për t’u shfaqur në PriFest. Ndërsa, për shkak se festivali mbahet në korrik dhe ka shumë bashkëqytetar nga diaspora, kemi vendosur të shfaqim një program të quajtur ‘In Albanian’, ku do të jenë filma të metrazheve dhe zhanreve të ndryshme në gjuhën shqipe, ca nga ta që janë shfaqur më parë në kinema apo dhe në edicionet e mëhershme në PriFest apo në Kosovë. Këta filma do të shfaqen gratis për audiencën e interesuar.

KultPlus: A ka arritur që falë PriFest të ketë bashkëpunime në mes regjisorëve apo aktorëve shqiptarë me ata të huaj?

Vjosa Berisha: PriFest që nga viti i parë ka qenë pikëtakim i filmbërësve nga rajoni dhe Evropa. Duke e zhvilluar PriFORUM-in si event disa ditësh ku mblidhen kineastë vendor dhe ata ndërkombëtar, për debate, masterklasa, punëtori, garë projektesh dhe prezantim të projekteve para kompanive të shitjes e distribuimit, ne kemi kontribuar shumë në bashkëprodhimin mes Kosovës dhe shteteve tjera, por edhe rajonit në përgjithësi. Kemi patjetër raste konkrete kur producentët kanë parë prezantimin e projekteve të filmit në PriFORUM dhe kanë lidhur marrëveshje për bashkëpunim, por kemi edhe shumë raste kur miqësitë kanë lindur mu këtu, siç është rasti i takimit të regjisores së njohur boshnjake Jasmila Zbanic me aktorin e njohur italian Franco Nero, në PriFest në vitin e dytë dhe pastaj bashkëpunimi i tyre në filmin e saj të radhës, pastaj interesimi i producentit fitues të Oscar, Cedomir Kolar për projektin filmik të Blerta Zeqirit “Martesa” pasi e ka parë prezantimin në PriFest para 3 vitesh…
Seksioni i titulluar Prishtina Rendezvous që sivjet organizohet për herë të dytë, del të jetë shumë e qëlluar për industrinë vendore, sepse prezantojnë projektet para producentëve te huaj dhe agjentëve të shitjes dhe distribuimit, qysh në fazën fillestare të projekteve.

KultPlus: Poashtu keni një line-up, interesant të PriFest Afters. Të flasim pak edhe për këtë pjesë?

Vjosa Berisha: PriFest Afters ka pas mbrëmje interesante me artist e muzikë çdo vit, por këtë vit jemi përkushtuar që të sjellim shumë më shumë. Do të organizojmë dy mbrëmje muzikore shumë të veçanta me datat 14 dhe 15 korrik. Bendi i ri i titulluar PriBeats nga PriFest, do të përkujdeset për mbrëmjet e muzikës elektronike.
Me datën 14 korrik,në amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë, PriBeats sjell në Kosovë DJ me renome ndërkombëtare Point G, DJ Honesty, Hajdar Berisha si dhe Lekë dhe Altin Boshnjaku nga Kosova.
Ndërsa tjetri event,me 15 korrik, është koncert i muzikës rock i quajtur Dritë e pluhun, Kangë e Prishtinës. I kuruar nga Arbër Salihu, ky event do të mbledh një numër të madh bendesh nga Prishtina që do të performojnë live në amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë si: Lindja, Genc Salihu, Shpat Deda, Oborri, Taste2 dhe Goblenët si dhe bendi Me t’njofshëm.
Por PriFest Afters nuk përfundon këtu, sepse do të sjell edhe më shumë… një Sunset party (event në perëndim t’diellit) në kulmin e Hotelit Sirius përsëri me muzikë elektronike e DJ, disa mbrëmje të vona në BASStore si dhe shumë performanca live në tapetin e kuq te Teatri Kombëtar, si bendi Ves Ves që do të jetë në hapje, dhe një mbrëmje e veçantë që do të quhet Tirana @PriFest që mendojmë ta realizojmë me përkrahjen e Kryebashkiakut të Tiranës, mikun e festivalit Erion Veliaj.

KultPlus: Na thuaj një mendim tuajin për kinematografinë shqiptare në përgjithësi?

Vjosa Berisha: Kinematografia shqipfolëse, pra si në Kosovë, Shqipëri apo në Maqedoni, ka trend të rritjes. Si në buxhetet publike të shteteve përkatëse, ashtu edhe në prezencën e filmave në festivale ndërkombëtare. Sukseset e filmave të Kosovës, përfshirë edhe ato në bashkëprodhim me shtetet tjera, janë rezultat i hapjes së industrisë vendore ndaj bashkëprodhimeve filmike. PriFest e ka për mision që të zhvillojë industrinë vendore filmike me gjithë strukturën që ka, si në zhvillim skenari, trajnime të ndryshme dhe organizime të seminareve, master klasave dhe garave të ndryshme të projekteve. Mos të harrojmë që sivjet PriFest në bashkëpunim me Sarajevo Film Academy jep një bursë të plotë për studim në këtë akademi shumë të mirë ndërkombëtare filmike. Ky është një kontribut që do të sjell efekte pozitiv në afat të gjatë.

KultPlus: Krejt në fund Vjosa, çfarë i premton publikut shqipfolës përmes PriFest-it, duke u nis nga ajo çfarë keni sjellë deri tash?

Vjosa Berisha: Publikut i premtoj shumë filma të mirë, mundësi takimi të shumë filmbërësve nga bota, argëtim të pafund këtë vit çdo mbrëmje, dhe atë që e kemi në slogan, krijimin e miqësive të reja. Përgjithmonë./ KultPlus.com

Të ngjajshme