Ai më thotë

31 Korrik, 2017 - 10:30 pm

Poezi e shkruar nga Elona Çuliq.

Ai më thotë:
leni metaforat
s’kanë ça të duhen.
Shkruaji pa doreza të vërtetat.
Ç’fsheh pas “shpatulla e malit brì teje”?
Po kjo a figurë e kotë;
ku ka shpatulla mali?
Po ai vargu
“A e ke ndî si kërcasin sytë në furtunë”?
Po ku kercasin sytë?
Oh ç’të qeshun kam ba kur e kam lexue
këtu e do vite ma parë,
edhe pse me duhet me e pranu
që ajo poezi m’i rrin mirë shpirtit.
Por, kambënguli
shkruaj thjeshtë
pa metafora,
ja si shkruajnë të tjerët bjen fjala,
e kaurdisin një poezi me vajzën që i shkon në shkollë
apo duert e gjyshes në foto.
Të rrijmë shtrembët e të flasim drejtë,
pëlqehen ma shumë,
janë si bukt e bame në shpi,
gjithmonë të shijon.
Pse tash ti nuk shkruen kaq thjeshtë,
me të përtypë qysh në leximin e parë,
por jo, ti ke qejf kur na fton në lojën
e zbërthimit të kuptimësisë së vargjeve.
Kur poezinë ta lexojmë aq herë
sa me ta zbërthye
na i mbërthehet qenësisë si një realitet
që e kena pasë gjithmonë në ne
por nuk e kena ndî.
Pash besën
leni metaforat e shkruaj thjeshtë
a je kah merr vesht?
Unë buzeqëshi,
e ndërmendi shpatullat e nanës brì meje..
Theth, korrik 2017

Të ngjajshme