Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sylejmani” pasurohet me 900 tituj të rinj

21 Shtator, 2017 - 1:21 pm

Biblioteka e Qytetit “Hivzi Sylejmani” ditët në vijim pasurohet me një fond prej 900 titujve të rinj profesional shkencor, përcjellë KultPlus.

Me këtë furnizim, fondi i titujve shkencor nga Arkitektura, Biologjia, Bujqësia, Ekonomia, Fizika, Gjeografia – Gjeologjia, Informatika, Juridiku, Kimia, Matematika, Mjekësia, Ndërtimtaria dhe Shkencat Teknike do të jetë pikë kthese për bibliotekën e qytetit dhe degët e saj në vazhdimësi tash e tutje krahas pasurimit të fondit nga letërsia dhe publicistika, të pasurojë edhe fondin shkencor e profesional.

Për një gjë të tillë ka njoftuar drejtori i Drejtorisë për Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja.

“Sigurisht, lajmin kryesor e përbëjnë titujt e rinj, por meqenëse fondet janë publike, e kemi obligim të sqarojmë që: Titujt e rinj të librave buxhetit tonë i kushtojnë 50 mijë euro, Procedura e zhvilluar për furnizim me libra gjithmonë është sfidë për autoritetet publike sepse zhvillimi i aktivitetit të prokurimi për libra zakonisht është kompleks dhe vështirë i realizueshëm. Me këtë aktivitet kemi nxjerrë një model të jashtëzakonshëm të konkursit publik për furnizim me tituj, i cili përveç që përkujdeset që titujt të plotësojnë kriteret për veprimtarinë botuese, të plotësojnë kriteret për tituj shkencor, respekton 100 përqind edhe Ligjin për Prokurim Publik, të cilin ne jemi të detyruar ta zbatojmë”, ka shkruar Vllahinja. / KultPlus.com

Të ngjajshme