Bosnja anulon vendimin për ta nderuar shkrimtarin turk Orhan Pamuk

26 Shkurt, 2018 - 11:00 am

Shkrimtari Orhan Pamuk, laureat i Nobelit, i cili është një kritik i zëshëm i presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan, u propozua për t’u nderuar për shkrimin e skenarit për luftën në Bosnjë.

Por qyteti i Sarajevës ka braktisur planet për ta bërë Orhan Pamuk-un një “qytetar nderi” të kryeqytetit të Bosnjë-Hercegovinës, ndërsa kritikët thonë se kjo u bë nga frika e ofendimit të Turqisë.

Pamuk ishte nominuar për t’u nderuar nga botuesi dhe libraria vendore Buybook, e cila sugjeroi që laureati i Nobelit të bëhej “qytetar nderi i Sarajevës” ndërsa po planifikonte të vizitonte qytetin këtë pranverë duke punuar në skenarin për Bosnjën gjatë luftës. Sipas drejtorit të Buybook, Damir Uzunoviq, ndërsa komisioni i këshillit fillimisht votoi shtatë me zero për ta bërë autorin turk një qytetar nderi, një votim i dytë e kishte refuzuar kandidaturën e Pamuk duke votuar, katër me tre.

“Shpjegimi i komisionit të këshillit ishte se Orhan Pamuk nuk bëri asgjë ose pothuajse asgjë për qytetin e Sarajevës. Disa anëtarë nga partia qeverisëse vlerësuan se dekorimi i zotit Pamuk mund të shkaktojë zemërimin e qeverisë aktuale të Turqisë. Ata shfrytëzuan këtë mundësi për të dërguar një mesazh te Pamuk … se ai nuk është i mirëpritur në Sarajevë”, tha Uzunoviq.

“Ne kemi deklaruar se Orhan Pamuk është një nga shkrimtarët më të rëndësishëm bashkëkohorë dhe se asnjë nga laureatët aktualë të Nobelit kurrë nuk ka ardhur në Sarajevë. Pamuk është shkrimtari më i lexuar dhe më i famshëm në Bosnjë dhe Hercegovinë, dhe si botues i tij ekskluziv për BeH, ne e kemi ftuar Pamukun të vizitojë disa herë Sarajevën”.

Pamuk është një figurë e diskutueshme në Turqi, ku ai është përballur me burg për “fyerjen e gjërave turke”. Sipas Agencisë Franceze të Lajmeve, e cila për herë të parë raportoi për vendimin, Bakir Izetbegoviq, i cili kryeson partinë në pushtet të SDA, është i afërt me presidentin turk, Rexhep Tajip Erdogan.

Samir Fazliq i partisë opozitare ‘Nasha Stranka’ i tha AFP-së se rezultati i dytë i votimit ishte për shkak të “kundërshtimit të politikës së presidentit turk Erdogan” nga Pamuk dhe “frikës….nga Erdogani”.
Zyra e Kryetarit të Bashkisë së Sarajevës nuk iu përgjigj një kërkese për koment.
Ndryshimi i mendimit për Pamuk u kritikua gjithashtu nga Partia Social Demokratike (SDP) e opozitës në Bosnjë-Hercegovinë. “Këta zotërinj në pushtet u zgjodhën të ishin etërit e qytetit të Sarajevës, por ata sillen si foshnje të një fshati të vogël të Erdoganit”, tha zëdhënësi Malik Garibi.

“Unë jam i sigurt se Turqia është vendi ynë miqësor dhe se turqit janë një popull miqësor për ne, kështu që unë jam i sigurt se edhe ata do të zbrapsen nga gjeste të tilla, ashtu si do të bënte çdo mik i mirë. Një mik do të na ngriste dhe nuk do të lejonte që ne të gjunjëzohemi para tij”, tha Garibi.

“Shpresoj që Orhan Pamuk të bëhet qytetar nderi i qytetit tonë. Librat e mëdha që ai ka shkruar e bëjnë atë një nga turqit më të famshëm dhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj në histori dhe ne do të nderohemi që ta kemi atë si bashkëqytetar. Këto trazira politike janë të përkohshme dhe me siguri do të kalojnë, por shkrime të tilla mahnitëse do të vazhdojnë të ekzistojnë shumë kohë pasi të gjitha këto projekte politike janë harruar. Të dyja, shkrimet e Sarajevës dhe Orhan Pamuk janë pjesë të mrekullueshme të historisë njerëzore dhe sigurisht se do të qëndrojnë atje së bashku, ndryshe nga autoritetet aktuale të qytetit dhe vendimet e tyre të turpshme”.

Ai shtoi se SDP do të kërkonte që çështja “të zgjidhet” nga këshilli i qytetit”, por kam frikë se tashmë është tepër vonë dhe se qyteti është tashmë i turpëruar, dëmi i reputacionit të Sarajevës është bërë sapo lajmi i tillë mori dhenë”./ KultPlus.com
Marrë nga “The Guardian”.

Të ngjajshme