“Lindja e fashizmit nga fryma e poezisë”, mbylli serinë e diskutimeve në Festivalin POLIP (FOTO)

21 Maj, 2018 - 11:30 am

Festivali Ndërkombëtar i Letërsisë POLIP mbrëmë mbylli rrugëtimin e edicionit të 8-të. Përgjatë tri ditëve këtë festival e karakterizuan aktivitete të ndryshme të cilat në fokus kishin letërsinë. Aktivitetet e këtij festivali kishin një moto të veçantë e tejet kuptimplotë “Republika e Lirë e Letërsisë”.

Paneli i fundit që diskutoi në Qendrën “Multimedia”, përbëhej nga Antoine Jaccoud nga Zvicra, Zora Del Buono nga Zvicra, Matteo Colombi nga Gjermania, Manjola Nasi nga Shqipëria dhe Clemens Meyer nga Gjermania. Ky panel u moderua nga Alida Bremer nga Kroacia.

“Lindja e fashizmit nga fryma e poezisë”, ishte edhe tema bosht për të cilën panelistët do të diskutonin. “A duhet poetët të involvohen në politikë”, ishte pyetja kryesore e moderatores. Me këtë rasti Alida Bremer si shembull tipik e përfshiu Gabriele D’Annunzio të cilin e ka karakterizuar jeta poetike dhe letrare e më pas ajo politike. Ai nga një figurë letrare ishte shndërruar në një hero të luftës. Në një shembull të ngjashëm ajo përmendi edhe Friedrich Nietzsche. Idetë e D’Annunzios e kishin influencuar edhe fashizmin italian të Benito Mussolinit, dhe për këtë arsye ai e quan një “racist poetik”.

Antoine Jaccoud nga Zvicra e mori si shembull Eduard Limonov- një poet, shkrimtar rus i cili kishte një dëshirë të fortë për të qenë një poet radikal.

“Ai kishte disa ambicie pak të “frikshme”, duke shkruar dhe jetuar me të njëjtat ideale, në kërkim të radikalitetit ai ishte i njëjtë në poezi, shkrime dhe në jetën e tij, duke i lidhur edhe me veprimet mizore dhe kriminale. Ai emigroi në Amerikë e Paris. Në Paris atë e donin mjaft shumë, ai ishte provokativ. Më pas ai krijoi Partinë Nacionale Bolshevike”, u shpreh Joccoud gjatë diskutimit.
Zora Del Buono po ashtu nga Zvicra ngriti çështjen se nuk kanë gjetur asnjë grua shkrimtare në të kaluarën e cila ka menduar që është gjeniale, siq është shembulli i Virginia Woolf që kishte mjaft sfida rreth vetes.

“Ndoshta ky mendimi për të krijuar një “botë më të mirë”, apo një “utopi”, është një gjë që u përkiste burrave. Duhet besuar më shumë në krijimin e një “personi më të mirë” dhe kjo ndodh ndoshta për shkakun se gratë lindin dhe ndjenjë dhimbjen”, u shpreh Del Buono.

Manjola Nasi nga Shqipëria po ashtu tregoi për atë se çfarë trajton në librat e saj dhe shfaqi pikëpamjet e saj.

“Nuk dua të gjeneralizoj, dua vetëm të bëj krahasime mes asaj çfarë ka ndodhur, të bëj krahasimin me të kaluarën dhe tani. Të shohim se çfarë janë ngjashmëritë, e gjithashtu të shohim edhe rolin që poetët mund të kenë në këto rrethana. Me ideologji ata mundohen të ndikojnë t’i aplikojnë efektet e tyre në shkalla të ndryshme”, u shpreh Nasi.

Matteo Colombi i cili kishte studiuar në Itali tha se historia për regjionin e Triestes që ishte pjesë e mbretërisë hazburge e që ishte multietnike pasi që kishte italian, slloven, kroat dhe ata kishin të drejta specifike kishin shkolla, teatro dhe institutet e tyre dhe i gjithë ky regjion u bë italian pas Luftës së Parë Botërore.

“Fashizmi kishte një qëndrim imperialist që për njerëzit italian të regjionit ishte shumë i mirë”, u shpreh Colombi.

Këtë vit rreth tridhjetë shkrimtarë të njohur të letërsisë botërore kanë qenë pjesë e festivalit më të madh kushtuar letërsisë në Kosovë. Ndërsa edicioni i 8-të i “Polipi”-it ishte i veçantë edhe për faktin se për dallim nga vitet e tjera festivali përveç aktiviteteve të tij në Prishtinë u shtri edhe në Prizren dhe Ferizaj./ KultPlus.com

Të ngjajshme