Mos e ngucni Kadarenë!

10 Gusht, 2017 - 7:44 pm

Të paçim, Kadare, për inat të palo-shqiptarëve, të cilët, fatkeqësisht, nuk janë pak!

Jemi “akomoduar” tmerrsisht në sharje, linçime dhe përçmime. Deviza jonë shumë e rekomanduar: «Shaj, shaj dhe shaj sa të mundesh. Kujdes kë po shan, sepse duhet shkuar për “qejf “ trendeve dhe shenjave të hapura që faktorit shqiptar mos t`i kthehet vendi i merituar në historinë evropiane.
Ne ishim aty, por “shqiptarët, bashkatdhetarët e mi, e kishin humbur Evropën në dy raste tragjike, në shek e 15-të, sikur edhe të tjerët në Ballkan, që ranë ndër okupimin ottoman; dhe së dyti, pas luftës së dytë botërore në kthetrat e komunizmit” – sigurisht që po. Por: “Anarkia morale: këtu qeni s’njeh të zotin; këtu karakteret lopësohen, qullosen dhe ndërrojnë forma dita-ditës, si në kaleidoskop. Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi. Këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha. – Fan Noli”

Vagabondët e kombit, duke i gjuajtur vlerat, ligjet e vazhdimësisë dhe obligimet e tij ndaj vetvetes, mundohen të jetojnë jetën e tyre me përcaktimet e tyre dhe kështu është vazhdimisht në grindje me rregullat që na i imponon e vërteta. Të gjitha këto e çojnë në rrugën e kundërshtimit dhe merr pamjen dhe sjelljen e anarkistit dhe na del si një bredhës (endacak, vagabond) intelektual… me bredhje shkrimesh dhe futjen një terren mendor të cilin (nuk) e njohin. Humbje, dhe, më vonë, ikje nga vetvetja.

Nëse Skënderbeun e “përgatitim” për historinë serbe, me Kadarenë duam diçka tjetër më të rëndë.
Diplomati Shaban Murati shumë haptas e thotë: “E majta (e Shqipërisë fxh) ishte në Komitetin Qendror, e djathta na erdhi nga Komiteti qendror”. Rreziku i “patriotëve” të rinj të “demokracisë” shqiptare është shumë i madh, sepse po flasin ata që (ndoshta) janë “Udhëzime” të Katovicës (xh ).

Ç`keni, or miq, me Kadarenë?
“Ilir Demalia kërkon të shesë ngjarjet e ambasadave, duket, i ka kthyer në biznes. Ambasadat ishin një skenar me regji Ramiz Alinë, në role kryesore Berishën, në role të tjera të rëndësishme të gjithë liderët e djathtë, në role sekondare, janë “arnautët” që kapën megafonat, mes demonstruesve, apo dhe në VOA dhe Deutsche Welle, të cilat u bënë njësh me RTSH-në. Në radion gjermane programi për shqiptarët bëhej nga nipi i Eleni Madint, ish-veterane e luftës dhe drejtuese e institucioneve politike, drejtore në fabrikë, etj. Fola për hallën, se nuk ia njoh të atin. Mjafton sot të lexojmë tek intervista që Ilva Tare i bën ambasadorit të parë amerikan Christophor Hill, ndër të tjera, ai shprehet: “Ishte e vështirë për Ramiz Alinë se ne do ta ndihmonim, që po ata njerëz që qeverisën në diktaturë, do të qeverisnin dhe demokracinë”. Pra ky vend u kthye në një skenë teatri dhe ne bëjmë mirë të merremi me çështje me te rëndësishme se mesazhi që na sjell Demalia, “heroi”i ambasadave, që konsumonte minutashin e VOA-s me fjalime boshe dhe pa asnjë nivel. Tashmë duket se Perestrojka është në aktin e fundit dhe duket se kërkon të zhdukë dhe çdo gjurme nga demonstrimi i ligësisë së tyre në diktaturë. Kadare ka përshkruar me vërtetësi këtë marrëdhënie, si një dëshmi me autentike të asaj kohe. Kjo është dhe arsyeja se përse hapen tema të tilla denigruese të figurës së autorit, që janë fundja fare të parëndësishme- shkruan një mik i imi.

Miku tjetër shprehet: “ Lëreni rehat Kadarenë, mos i lehni si qeni diellit! Vepra e tij ka vulosur përjetësinë e tij! Mos u beni qesharakë! Bravo miku I’m, kështu është, se këta që lehin janë të obliguar të hapin tema të tilla denigruese të figurës se autorit, që janë fundja fare të parëndësishme”.

Miku tjetër i të vërtetës shkruan: “Është interesante se si në postime të tjera, nga njerëz të tjerë, gjithmonë mbi Kadarenë, shihet kjo dëshirë e zjarrtë e turmës për linçim. Aq më tepër që ky perversitet ka si iniciatorë njerëz që nuk kanë lexuar një faqe nga vepra e tij, dhe për më shumë, i gjithi ky “sulm moral” ndërmerret në vendin me drejtësinë me imorale në botë, apo perceptimin popullor apo individual më të mbrapshtë mbi drejtësinë.. Radha atëherë përballë viktimës, si edhe sot, ishte e gjatë – vetëm për t’u ulur në bankën e akuzuesit dhe ne karrigen e gjykatësit, kurrkush nuk bëhej palë me të dobëtin apo avokati i tij. Hipokrizia e këtij populli shkon me tej.

Dhe në fund të ditës kjo turmë e kompleksuar dhe e mbytur në të përmjerrat dhe ligështinë e kësaj hipokrizie orientale e ka një fajtor: Ismail Kadarenë». Sa bukur e shkruar!

« Ju, Zotëri, jeni i tokës së shqipeve! Ju i lëvizni shekujt duke e shkruar DAULLET E SHIUT, dhe e shihni Gjergj Kastriotin, i quajtur Skënderbe, princin e Shqipërisë dhe të Epirit, në fikjen morale dhe ushtarake të dy sulltanëve »-thoshte për Kadarenë M. ALAIN PLANTEY (Président de l’Institut, Président de l’Académie).
« Ju, Zotëri, e keni treguar se sa e fuqishme është etika dhe politika nga mesazhi letrar, i cili pushon në guximin dhe talentin tuaj. Vendi juaj është në mesin tonë » – u tha atë mbrëmje. Pra, vendi i Shqipërisë dhe i Kadaresë është në Evropë.

Sharjet ndaj Kadaresë bëhen nga vagabondët intelektualë, duke kundërshtuar të definohen apo të identifikohen, ata i ndërrojnë qëndrimet sipas baticave dhe zbaticave të rrethanave, duke e pranuar një nevojë të imponuar me arsyetimet në emër të taktikave dhe strategjive të mbikohës.

Kjo praktikë e denigrimit të figurave të larta shqiptare, sa gënjeshtare aq edhe e rrezikshme, është një shprehje e përtacisë së intelektualit dhe mangësi e imagjinacionit për pasojat.

Krimbaçët na i mbushin mediat e të gjitha llojeve dhe të gjitha krahinave shqiptare se duhet menduar ndryshe për Kadarenë. Dhe përse ndryshe? Sepse ashtu e do “bossi” i fshehur diku dhe i cili e gërryen vazhdimisht ndërgjegjen dhe vetëdijen tonë, ashtu dhe ashtu të paformuar si duhet.

Të ngjajshme