Me ndarjen e çmimeve përfundon Festivali Ndërkombëtar i Poezisë ‘Ditët e Naimit’

24 Tetor, 2017 - 5:30 pm

Është mbyllur Edicioni i 21-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”, i cili u mbajt prej 19-22 tetor 2017, në Tetovë dhe në Pogradec. Atë e karakterizoi një program i ngjeshur letrar, artistik dhe kulturor. U mbajtën dy lexime letrare, u promovuan 6 libra të rinj të shtëpisë botuese “Ditët e Naimit”, si dhe u bënë vizita të ndryshme në monumentet kulturore, historike dhe fetare në qytetin e Tetovës dhe të Pogradecit.

Në Edicionin e 21-të të Festivalit Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës, si: Xhorxh Uallas (SHBA), Riki Daskal (Izrael), Gustavo Vega (Spanjë), Tonia Passola (Kataloni), Nivedita Lakhera (Indi), Poul Lynggaard damgaard (Danimarkë), Giuseppe Napolitano (Itali), Dinos Koubatis (Greqi), Abel D Andrea (Porto Riko), Silke Liria Blumbach (Gjermani), Sema Guler (Turqi), Milosava Pavloviç (Serbi), Anton Baev dhe Elka Dimitrova (Bullgari), Slavica Gaxhova dhe Marta Markoska (Maqedoni), Belfjore Qose dhe Arjan Kallço (Shqipëri), Bardh Frangu, Migena Arllati dhe Ndue Ukaj (Kosovë), Iljaz Osmani dhe Ekrem Ajruli (Maqedoni).

Hapja e ceremonisë së Edicionit të XXI i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë përmes një performance të bukur fishekzjarrësh, para qendrës së kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati amerikan Xhorxh Uallas, zonj. Teuta Arifi Komunës së Tetovës dhe sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Valmir Aziri, një delegacion nga Komuniteti Bektashian vendosën buqete lulesh para shtatores së poetit “Naim Frashëri”…

Në hyrje të Qendrës së Kulturës, publikut edhe në këtë hapje iu dhurua Antologjia e këtij edicioni dhe pesë libra e tjerë të rinj të Festivalit.
Hapjen e Edicionit jubilar e bëri, drejtori i Festivalit, z. Shaip Emërllahu, i cili tha se, “Botën vazhdojnë ta shoqërojë një dis’harmoni, një kaos që herë herë është i përmasave shumë shqetësuese. Ky dimension disharmonie të kujton mitin e Abilit dhe Kabilit, ku vëllai vret të vëllanë dhe nis rruga e një lufte në mes të mirës e të së keqes. Për të bërë peshoren të anojë nga e mira shoqëria ka njohur projekte profetësh dhe libra të shenjtë, të cilët kanë luajtë një rol të rëndësishëm për të bërë një botë më të mirë. Më vonë vijnë krijuesit e arteve, të letërsisë, poezisë, të cilët me forcën e vet ndikojnë të përsoset shoqëria, njeriu, duke e bërë një botë më humane, më fisnike, më të përkryer… ku pushtetin ta ketë dashuria dhe harmonia e natyrës. Edhe operatori kulturor yni “Ditët e Naimit” ka këtë mision, i cili me aktivitetet e ndryshme letrare, muzikore, të artit pamor e artistik për më se dydhjetëvjeçarë ka luajtur rolin në humanizimin e njeriut, në ndërtimin e një bote më të mirë.
Në hapje të këtij Edicioni, aktori Arsim Kaleci, recitoi poezinë “Fjalët e Qiririt” të Naim Frashërit, ndërsa një pikë muzikore me piano ekzekutoi, pianistja e talentuar, Biondina Selami.

Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, poetët nga vendet e ndryshme lexuan poezitë e tyre, ndërkaq kryetari i Jurisë, Ndue Ukaj, lexoi motivacionin. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu ia dorëzoi laureatit çmimin e madh ‘Naim Frashëri’ që jepet për “Vlera të larta estetike dhe artistike”, si dhe ia akordoi titullin Anëtar Nderi të Festivalit, poetit të njohur amerikan Xhorxh Uallas.

Me këtë rast, laureati taivanez Lee, pasi falënderoi organizatorët dhe Jurinë për dhënien e këtij çmimi të lartë të Festivalit, theksoi se, “Pasi falënderoj Jurinë e Festivalit, ai tha se, është një nder i madh për mua të nderohem me këtë çmim letrar, që bart emrin e poetit kombëtar shqiptar Naim Frashëri…”
Titullin e lartë, Anëtarë Nderi të Festivalit, deri tani, e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray, (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA), Tua Forsstrom (Finlandë), Athanase Vantchev de Thracy (Francë), Sebastiano Grasso (Itali), Kuei shien Lee (Taivan) etj.

Në këtë edicion, poetit grek Dino Koubatis, iu dha titulli i lartë Anëtar Nderi i Festivalit, për kontributin e dhënë në letërsi.
Në ditën e dytë të Programit, në lokalin e artistëve “Oda” u bë përurimi i gjashtë titujve të rinj të shtëpisë botuese “Ditët e Naimit”. Libri i punimeve të Konferencës shkencore, që u mbajt vitin e kaluar, në 20 vjetorin e këtij operatori kulturor e letrar me titull “Ndërkomunikimet kulturore – ‘Ditët e Naimit’ dhe poeti kombëtar Naim Frashëri”, ku janë përfshirë kumtesa të poetëve dhe studiuesve të huaj dhe shqiptarë. Pastaj, libri me tregime i poetes Silke Liria Blumbach, “Një vit pas vdekjes sime”, me parathënie të poetit Moikom Zeqo, i poetit italian Xhuzepe Napolitano “Tetova e Poezisë”, të përkthyer nga poeti dhe përkthyesi Arjan Kallço, i poetes indiane Nivedita Lakhera, “Jastëku i ëndrrave”, të përkthyer nga Silke Liria Blumbach, i poetit shqiptar Ndue Ukaj, “Krijimi i dashurisë” dhe antologjia e poetëve pjesëmarrës të këtij edicioni “Vallëzim refugjati” e përgatitur nga Shaip Emërllahu. Për këto libra folën poetët dhe studjuesit Ndue Ukaj, Xhelal Zejneli, Remzi Salihu dhe Reshat Sahitaj.

Pasdite pjesëmarrësit u nisën për në Pogradec. Atje, ata mbajtën pjesën e dytë programit të Festivalit në bashkorganizim me Bashkinë e Pogradecit.
Programi i Edicionit të 21-të i Festivalit Ndërkombëtar i Poezisë “Ditët e Naimit” u mbyll me orën e madhe letrare ‘Meridiane poetike’, e cila u mbajt në qendrën e kulturës “Lasgush Poradeci” në Pogradec, ku poetët lexuan poezitë e tyre dhe u ndanë edhe çmimet e tjera letrare të Festivalit. Çmimi për vlera të veçanta poetike ‘Menada’ iu dha poetes katalonase, Tonia Passola.
Çmimi letrar ‘Ditët e Naimit’, që jepet për karrierë letrare iu nda poetit shqiptar, Bardh Frangu.
Çmimin letrar për ciklin më të mirë poetik ‘Oaeneumi’ e mori poetja shqiptare, Belfjore Qose.
Çmimin letrar ‘Qiriu i Naimit’ për poezinë më të mirë iu dha poetes turke, Sema Guller.
Në ditën e tretë poetë pjesëmarrës vendosën buqete lulesh te shtatorja e poetëve, Lasgush Poradeci dhe Mitrush Kuteli. Në sheshin e poetëve, drejtori i Festivalit Shaip Emërllahu, ia dorëzoi edhe mirënjohjet kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Eduart Kapri dhe zevendeskryetarit të Bashkisë, Avdulla Cano të dhënë për ndihmesën e dhënë për organizimin e Festi. Ata, më pas vizituan disa monumente kultuore dhe historike të qytetit të Pogradecit, pastaj Drilonin, Ohrin dhe Strugën.

Drejtoria e Festivalit edhe në këtë edicion botoi antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës, ‘Ti shfaqesh si ishull”, të përgatitur nga Shaip Emërllahu.
Në 21 vjetorin e Festivalit, Drejtoria ndau Mirënjohje për kontributin e dhënë në plotësimin e programit me vepra muzikore dhe ngritjen e Festivalit, Jeton Pustinën, Naser Dulen, Shkëlzen Pajaziti dhe Biondina Selami. Festivalin e udhëhoqi moderatorja Arlinda Zymeri. Poezitë në gjuhën shqipe i lexoi aktori Arsim Kaleci, kurse me kitarë i shoqëroi Naser Dula.
Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës së Republikës së Maqedonisë, Bashkia e Pogradecit dhe sponzorët, “Logos A” e restorant “Kurtishi”.

Dimal Hadri

Tetovë, 23 tetor 2017

Të ngjajshme