“Në fillim ishte Drita”, vepra më e re e Sali Bashotës

7 Tetor, 2017 - 12:17 pm

Këto ditë PEN Qendra e Kosovës botoi librin më të ri me poezi të Sali Bashotës, me titullin “Në fillim ishte Drita”, përcjellë KultPlus.

Libri i Bashotës përbëhet nga 99 poezi, të ndara në tre njësi ciklike: Si, Nëse, Kur. Secili cikël përbëhet nga 33 poezi, të cilat e funksionalizojnë ligjërimin e tij poetik në tri rrafshe: në rrafshin erotik, filozofik dhe estetik, për të konceptuar rruzullimin e Dritës si figurë dhe mishërimin e saj si frymë lirike.

Stilistika krijuese e Bashotës në këtë vëllim poetik sjell një botë interesante, pikërisht me magjinë e Muzës poetike, duke ndërtuar një realitet të figurshëm përmes imazheve të ndryshme. Në librin e tij më të ri Bashota shkruan për një fillim dhe përjetësim të ndjenjave shpirtërore (sikurse universi që pati një fillim apo librat e shenjtë që e përcaktonin fillimin e botës e të njerëzimit), mirëpo ky libër është si zanafilla e krijimit të Dritës në universin e dashurisë.

Vepra shquhet për mjeshtërinë e arritur në nivelin ligjërimor, stilistik dhe figurativ. Mund të konsiderohet si një libër unik përnga ritmika, muzikaliteti, fryma humane dhe vlera estetike.

Vepra “Në fillim ishte Drita”, është libri i tridhjetë e pestë i shkrimtarit Sali Bashota. / KultPlus.com

Të ngjajshme