Një teatër i përzier me letërsinë që ironizon erdhi mbrëmë në ‘Kosovë is everywhere’

29 Shtator, 2017 - 1:56 pm

Arbër Selmani
Foto: @kosovoeverywhere, https://web.facebook.com/mrjadisproduction?_rdc=1&_rdr

Janë të rrallë ata që në mes të Prishtinës mund ti kuptojnë shtatë gjuhë. Sidoqoftë, kur vijnë të tilla dhe me humor e me realitet nga shtete të ndryshme ku ato fliten e vihen në funksion linguistik, e do rendi që njerëzit të kuptojnë kontekstin dhe të qeshin me realitetin e mjerimin. Dikush qeshet se një francez flet për Ramushin, dikush qeshet se një shqiptar tregon për ish të dashurat e tij, e dikush qeshet me zviceranin që zbulon se qenka shkruar qëmoti të jetë astronaut.

Arben Idrizi, Gerhard Meister, Antoine Jaccoud, Milos Zhivanoviq, Ariane von Graffenried dhe Shpëtim Selmani mbrëmë sollën diçka në mes të teatrit, letërsisë së performuar, emocioneve, lëvizjeve, mjuzikllit letrar, stereotipave dhe dëlirësisë së hoteleve të shteteve të ndryshme prej nga ata vijnë.

Në Prishtinë e nisi kësisoj maratonën organizimi “Kosovë is Everywhere”, në Qendrën Multimedia. Një aheng shumëgjuhësh, me shkrimtarë nga disa shtete që këndojnë, performojnë, aktrojnë, recitojnë poezi të përdala, ngërthehen në anekdota, përthekojnë absurditetet e vende të ndryshme, do të udhëtojë që nga sonte drejt Graçanicës, më pas në Ferizaj me 30 shtator, në Prizren me 5 tetor, në Gjakovë, në Pejë e në fund edhe në Prishtinë, përsëri.

Një prej autorëve pjesëmarrës, Gerhard Meister nga Cyrihu, tregon për KultPlus se është ushtruar shumë që në skenë të vinte një emocion sa më i qartë.

“Kemi punuar me të gjithë shkrimtarët tjerë për një kohë të gjatë. Për mua nuk ka qenë problem ta përshij edhe aktrimin në pjesën time sepse diçka të tillë në Zvicër e kemi bërë për rreth 15-të vite. Mos harroni që shqipja është një nga gjuhët që flitet në Zvicër, dhe ishte e rëndësishme për ne të vinim në një shtet ku kjo gjuhë flitet nga të gjithë” tregon për KultPlus Meister, një shkrimtar që shkruan kryesisht për teatër dhe e njëh mirë lidhjen mes teatrit e letërsisë.

Meister ka një sens të dukshëm humori kur del në skenë. Afër tij është Millosh Zhivanoviqi nga Serbia. Librat e tij me poezi janë shpesh të frikshëm, e gjithmonë provokojnë. Dikur atë e ndërpret me një “čekaj” Shpëtim Selmani, shkrimtari nga Kosova i cili flet më pas për historinë e tij të mbushur me heronj, për ambasadat e kthyera në faltore. Ariane von Graddenried, në anën tjetër, ka një zë radiofonik dhe një “RR” të fortë para mikrofonit. Të gjithë herë ulen e herë zgjohen nga karriget e tyre ndërsa janë shumë afër me publikun dhe ndoshta janë në thesin e njëjtë të histerisë e hipokrizisë, sikur audienca, shkruan KultPlus.

Ariane von Graffenried nga Zvicra tregon se i pëlqeu ardhja e grupit në Prishtinë. Asaj i pëlqejnë gjuhët, luan me gjuhët në punën e saj dhe inspirimin e saj si artiste.
“Sonte ka pasur shumë hajgare me shtetet tona, me ironinë dhe sarkazmën por edhe kemi provuar ti thyejmë të dyja. Mua më pëlqejnë gjuhët dhe provoj të luaj me to në shkrimet e mia. Performanca ishte shumë muzikale, kishte shumë zëra, shumë gjuhë, realitete të ndryshme dhe publiku pati mundësinë të njoftohej me shumë të vërteta” tregon shkrimtarja nga Berni.

Shpëtim Selmani, në anën tjetër, tregon se performanca erdhi e formuar si e tillë që të mos kishte vetëm një mesazh e të mos thumbonte vetëm një territor.

“Ishte emocion i mire me i njoftë njerëzit dhe me ditë se çka po ndodhë me letërsinë në vende të ndryshme. Është ndoshta një zhanër i ri në skenën tonë përgjithësisht, me muzikë dhe performancë e letërsi, dhe me komunikim me anëtarët e tjerë që lexojnë. I kemi fuqizuar disa stereotipa por shpesh kjo jep një këndvështrim tjetër të tyre” tregon Shpëtim Selmani.

Dhe tregimet kalojnë nga një kontekst në tjetrin. Antoine nga Lozana tregon për qëndrimin e tij në Hotel Begolli në kryeqytet, Arben Idrizi tregon situatën e përballjes së dy forcave që luftojnë mes tyre dhe që ndoshta lumturia shpesh mund të jetë tragjike. Secilës situatë prapa i qëndronte muzika nga Art Lokaj në kitarë dhe Maru Rieben në përkusione, sa për ti shtuar dramën dhe shpesh më-pak-seriozitetin leximeve autoriale.

Që nga sonte, “Kosovë is Everywhere” udhëton në lokacione të ndryshme, me autorë të tjerë. Në Gjakovë, me 7 tetor në ora 20:00 në Teatrin e Qytetit, do të mund të shihni performancën nga Blerina Rogova Gaxha, Laurence Boissier, Ervina Halili, Kujtim Paçaku, Pedro Lenz, Gerhard Meister e Meral Kureyshi. Nëpër qytete do të ndërrohen edhe autorët, dhe emocionet e tekstet që ata sjellin në këtë projekt letrar të Bern is überall dhe Qendrës Multimedia nga Prishtina. / KultPlus.com

Të ngjajshme