Pse është harruar poeti ynë i madh, Mirko Gashi?

21 Shtator, 2017 - 9:12 pm

Shkruan: Tefik Selimi

Kaluan shumë kohë nga vdekja e poetit, Mirko Gashi dhe askush nuk bën asnjë fjalë asnjë shkrim për te. Pse, athua? Kjo dhemb. Dhemb për faktin se ai ishte njeri i madh në jetë. Kjo është një “dhimbë” për njeriun si njeri, por edhe për krijuesin e madh të anës së Malësisë së Karadakut jetik.

Siç dihet, Mirko Gashi jetoi më pak në vendlindje, Selishtë, e më shumë jetoi në Prishtinë. Këtu edhe vdiq, më (1995). Vdiq dhe sikur u harrua përgjithmonë. Prishtinas, ia keni borxh këtij shoku e kolegu tashmë të ndjerë, Mirko Gashit një përvjetor. Ai nuk e meritoi këtë “harresë” kaq të gjatë. Nuk e meriton këtë “largim” nga mendja Mirkoja ynë i madh. Ai më nuk është në mesin tonë. Por, me ne jeton vepra e tij madhore.

Mirko Gashi ishte nga një familje me tradite atdhetare. Është i lindur më 2 janar të vitit 1939 në Kralevë të Serbisë. Shkollën fillore e kreu në Preshevë, kurse gjimnazin në Gjilan. Kreu edhe shkollën e gazetarisë. Një kohë punoi si mësues në fshatin Caravajkë, komuna e Preshevës. Pastaj punoi si gazetar në Radio Prishtinë, në Teatrin e Kombësive në Shkup, në Teatrin Popullor Krahinor në Prishtinë dhe më në fund punoi në gazetën “Kosova” derisa u pensionua. Jo vetëm kaq..

Ai la vepër të pavdekshme. Për sa kohë jetoi, la një krijimtari të dalluar dhe të veçantë në letërsinë tonë shqipe. Për sa kohë ishte gjallë, ai botoi disa vepra letrare, si janë: “Në vorbullën e ujit”, Prishtinë,1972, “Netët e bardha”, Prishtinë- 1975, “Gjarpri i shtëpisë”, Prishtinë -1980, “Arbror vitae”, Prishtinë -1988, “Plagë uji” Prishtinë -1990.

Ky autor është përkthyer në disa gjuhë, frëngjisht, serbokratisht, gjermanisht, arabisht, sllovenisht, anglisht, turqisht dhe maqedonisht. Është i prezantuar në disa antologji të autorëve të ndryshëm. Ai ka kontribuar në përkthimin e disa veprave nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate. Ka përkthyer poezitë e A. Podrimjes, Din Mehmetit, Qerim Ujkanit, Sabri Hamitit, Ibrahim Kadriut etj. Mirko Gashi, pas një veprimtarie të begatshme letrare, vdes në vitin 1995 në Prishtinë. Dhe, jo vetëm kjo.

Vdekja e tij është plot dhimbë. Dhimbë për njerëzit që e kanë dashur dhe njohur njeriun e krijuesin e madh. Ai jetoi jo vetëm si të gjithë njerëzit, por jetoi dhe ajo “jeta” e tij është paksa më e veçantë se e të tjerëve. Pse po e themi këtë? Fakt është. I madh e i vogël i Malësisë së Karadakut e njohin dhe e nderojnë poetin e kësaj ane, i cili, sa jetoi, krijoi vargje me vlera të larta letrare e artistike.

Ai qe një krijues i madh i artit. Arti për Mirko Gashin ishte një gjë e “shenjtë”, sepse atë art e deshi me thellësi të shpirtit e të zemrës. Ai poezinë e kuptoi si diç që “flet” dhe kjo madhështi sikur në shpirtin e tij të madh zuri “vend”. Ai ishte një shpirt i ndjeshëm dhe i fuqishëm prej poeti. Sikur vokacioni i tij poetik ka një ndjeshmëri edhe sot.
Mirko Gashi ka një jetë që do të duhej të shkruanin të tjerët shumë për te. Shpirti i tij, edhe si njeri, por edhe si poet, ishte një bohem që la gjurmë prej krijuesi të madh.

Ishe jo i hajthëm si Migjeni, por më i ndjeshëm se shumë të tjerët. Pos veprave letrare, Mirko Gashi, ai la edhe “vepra” tjera në jetë. Ishte një artist i madh i skenës së filmit. Si i tillë, ai jetoi jo vetëm me vargun poetik, të cilin e deshi shumë, por jetoi edhe me rolet që i luajti në jetë. Biografia e tij është shumë interesante. Ai ka qenë një njeri i lindur i artit e i skenës. Sikur ky art e “pushtoi” dhe e mori para kohe. Nuk deshëm me këtë shënim të bëjmë ndonjë analizë për veprën e tij letrare, por deshëm t”ia përkujtojmë lexuesve dhe miqve të tij se Mirko Gashi është i harruar prej shokëve, miqve e krijuesve. Është harruar qe sa kohë. Nuk përmendet e as që shkruhet. Pse?

Ai nuk meriton të harrohet. Ai meriton të nderohet dhe të shkruhet më shumë se disa të tjerë. Nuk harrohet vendi ku ai gjithnjë ka pirën e ka ndejtur. Edhe sot shokët dhe kolegët e tij të çmuar e nderojnë vendin e tij dhe e quajnë: “Vendi i Mirkos”. Ja vetëm një argument e shtuam, por sa e sa argumente të tjera janë për Mirkon e nderuar dhe shumë të çmuar.

Do të ishte mirë që të afërmit e tij, që sot jetojnë në Gjilan, Zhegër e në vendlindje, Selishtë, ta ngritin zërin për një Akademi përkujtimore për të madhin, Mirko Gashi. Ai ka merita të mëdha në jetë jo vetëm si krijues, por edhe si njeri dhe si artist i jetës… E meriton një shënim pak më të gjatë apo më shumë se ky që sot vetëm e zumë në fjalë. Besoj… / KultPlus.com

Të ngjajshme