Trilogjia e Petrit Imamit promovohet në Prishtinë, që nga krimet e deri te dialogu shpalosen marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë

14 Nëntor, 2017 - 4:59 pm

Ai sjellë një të vërtetë që nuk gjendet në libra ose në literaturë. Një trilogji që tregon për historinë njëmijëvjeçare mes serbëve dhe shqiptarëve. Është libri “Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj”, që vjen nëpërmjet tri vëllimeve të autorit Petrit Imami, shkruan KultPlus.

Sarandë Selimi

Qysh para tri dekadash Petrit Imami do të niste një hulumtim që ta sjellë një të vërtetë të “përgjakshme”, mes këtyre popujve. Ai në dy vëllimet e para sjellë të vërtetat mbi krimet e kryera nga serbët ndaj shqiptarëve dhe anasjelltas ndërsa në vëllimin e tretë sjellë bashkëpunimet që këta dy popuj kanë pasur mes vete.

Nën organizimin e Festivalit “Mirëdita, dobar dan!” dhe Shtëpisë Botuese Samizdat B92, sot në Prishtinë u promovuar kjo trilogji “Serbët dhe Shqiptarët ndër shekuj”. Me panelistët si: Aleksandar Pavloviç (Instituti për filozofi dhe teori sociale), Shkelzen Maliqi (Filozof) dhe Shkelzen Gashi (Publicist), u shpalos ajo, që u quajt enciklopedi për të gjithë ata që duan ta kenë një të vërtetë mes këtyre popujve në duart e tyre.

Ky promovim u moderua nga Veran Matic (Drejtor i Samizdatit B92), i cili para se të ia jep fjalën panelistëve tha se do të ishte mirë që këta libra të lexoheshin nga të dy qeveritë sidomos nga ata që janë duke u marrë me dialogun. Pasi që, siç e thanë edhe panelistët, një pjesë e mirë e vëllimit të tretë flet edhe për këtë gjë.

Fjalën në këtë promovim i pari e mori, Shkëlzen Maliqi, i cili tregoi se me Petrit Imamin, njihet që nga viti 1967, asokohe kur ishin studentë. Maliqi tha se ky libër, i dedikohet opinionit të gjerë.
“Është një lloj enciklopedie, dhe poashtu një lloj dokumenti që çdo njeri duhet ta dijë. Kjo pjesa e ngjarjeve të viteve të 90-ta, deri tek dialogu mes Kosovës e Serbisë, sqarohen në këtë projekt ta quaj. Është i rrumbullakuar për ata të cilët nuk kanë shumë njohuri për raportet sero-shqiptare dhe u dedikohet pak më shumë lexuesve serb. Është gjëja e duhur për brezat e rinj që nga ky libër të mësojnë për raportet mes këtyre popujve”, theksoi Maliqi.

Një mendim të përafërt me Maliqin, e pati edhe Aleksandar Pavloviç. Ai u shpreh se ky libër përfaqëson të vetmin botim që përfshinë marrëdhënien shqiptare e serbe që nga kohët e vjetra e deri te këto të fundit.

“Xeni e tha që është një lloj enciklopedie kjo libër, pra është një thesar i njohurive që nuk ka asnjë person të veçantë nga historia e Serbisë apo shqiptare që nuk është përfshirë në të. Pra ky është burimi më i besueshëm. Atë çfarë kërkoni ta dini për këta dy popuj e gjeni në këtë libër. Edhe pse autori nuk ka qenë historian, shkrimet e tij janë më të besueshme se të kujtdo tjetër”, pohoi Pavloviç.

Ndërsa Shkëlzen Gashi, tregoi se janë dy gjëra që i kanë bërë më së shumti përshtypje dhe ai i ka titulluar “Spiralja e dhunës” dhe “Bashkëpunimet e heshtura shqiptaro-serbe”.

“Kur kam nis ta lexoj këtë libër, kam nisë të nënvizoj dhe kur e kam parë e kam nënvizuar të gjithë librin sepse nuk ka asgjë që nuk është interesante. Qysh u tha edhe më herët, ky është një libër publicistik, nuk ka fusnota, nuk ka referenca dhe punë e madhe që nuk ka. E rëndësishme është që autori ka shfrytëzuar shumë dokumente nëpër arkiva, shumë shkrime nëpër gazeta, shumë libra dhe ka intervistuar shumë njerëz, dhe janë dy gjëra që më kanë bërë më së shumti përshtypje: spiralja e dhunës (ashtu ia kam lënë titullin) dhe përmendja e bashkëpunimeve të heshtura shqiptaro-serbe”, tha ndër të tjera Gashi.

Trilogjia e Petrit Imamit, tashmë është në shtije për të gjithë ata që duan ta kenë në dorë një libër që flet më së miri për historinë shqiptaro-serbe ndër vite.
Publikimi i librit është mbështetur nga Zyra për Çështje të Komuniteteve të Kryeministrit të Kosovës dhe Ambasada Norvegjeze në Prishtinë. Festivali “Mirëdita, dobar dan!” organizohet nga Integra (Kosovë) në partneritet me Fondacionin Kosovar për Shoqëri të Hapur (Kosovë), Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (Serbi) dhe Iniciativat Qytetare (Serbi) dhe mbështetet nga Fondacioni Charles Steëart MOTT, Ambasada Zvicerane në Prishtinë dhe Ministria e Kulturës në Kosovë./ KultPlus.com

Të ngjajshme