U mbajt simpoziumi “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe identiteti kombëtar shqiptar”

22 Janar, 2018 - 4:55 pm

Në kuadër të Vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, Fakulteti i Edukimit në universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës, organizoi simpoziumin me temë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu dhe identiteti kombëtar shqiptar”.

Ky aktivitet u zhvillua në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe bashkinë Durrës.

Fjala përshëndetëse në çelje të këtij aktiviteti të rëndësishëm u mbajt nga Rektorja e universitetit “Aleksandër Moisiu”, e cila ndër të tjera theksoi se: “fjalët e fundit të lëna si testament nga Gjergj Kastrioti, duhet të shërbejnë si udhërrëfyese për rrugën e progresit që duhet të ndjekë kombi shqiptar”.

I ftuar nderi në aktivitet ishte Moikom Zeqo, i cili i kushtoi rëndësi paraqitjes së figurës së Skënderbeut si një hero semantik evropian. “

“Ky personalitet i rëndësishëm”, – pohoi Moikom Zeqo, – ka luajtur një rol themelor jo vetëm në historinë shqiptare, por njëherazi në atë evropiane”.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Jani Sota solli përmes një analize krahasimtare një analogji mes figurës së Skënderbeut dhe figurave më të rëndësishme të historisë së përbotshme, duke theksuar idenë se dimensionet e shfaqjes së kësaj figure, janë të shumanshme.

E njëjta ide u shpreh nga drejtori i Drejtorisë për Arsim, Kulturë, Rini dhe Komunitete fetare pranë bashkisë Durrës, Ardian Gurra, i cili për më tepër sqaroi se jo vetëm historia, por dhe e sotmja i detyrohen shumë Skënderbeut”.

“Për më tepër, – pohoi drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës, Ledjon Lako, – uniteti kombëtar shqiptar e ka gurin e themelit në kohën e Skënderbeut. Është meritë e tij, bashkimi i shqiptarëve në një flamur, dukuri kjo e pazakontë për kohën mesjetare”.

Në një tjetër qasje paraqitet kumtesa e drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, Ardit Bido, i cili edhe pse thekson nevojën e çmitizimit të figurës së Skënderbeut, shpreh kujdesin që duhet treguar për të shmangur rrezikun që vjen nga lidhja e gabuar e kësaj figure vetëm me një besim të caktuar fetar.

Lorenc Agalliu, specialist në Drejtorinë Rajonale e Arkivit Shtetëror Durrës, e vuri theksin në imazhin e prezantimit të figurës së Skënderbeut, si një marrëdhënie mes mitit dhe realitetit, shkruan noa.

Në përfundim të simpoziumit shkencor, pjesëmarrësit u ftuan të ndjekin ekspozitën me temë “Skënderbeu në dokumentet arkivore”, një bashkëpunim mes Fakultetit të Edukimit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. / KultPlus.com

Të ngjajshme