‘Çarshia Fest’, një kremtim për rikthimin e fuqishëm të Çarshisë së Vjetër në Gjakovë

13 Qershor, 2018 - 10:30 am

Për të mbrojtur dhe promovuar Çarshinë e Vjetër në Gjakovë një grup të rinjsh janë bërë gati për të sjellë një festë të paharruar, më 17 qershor pikërisht në këtë pjesë të qytetit, shkruan KultPlus.

Ideja për festë tradicionale të Çarshisë bazohet në faktin e vetëm të zhvillimit dhe rikthimit të kësaj Çarshie nga shkatërrimi – në një zonë të frekuentuar dhe pikë destinimi për Gjakovën.

Sipas organizatorëve ideja e Çarshia Fest është që të festohet ky rikthim, me synimin që kjo të rikthehet në një festë tradicionale të promovimit të Çarshisë. Duke mbrojtur kështu edhe Çarshinë e cila njihet si çarshia më e madhe në Evropën Juglindore.

Lum Hoxha, nga stafi organizativ i kësaj feste, tregoi për KultPlus se ideja është që të prezantohet diçka ndryshe në Çarshi, një energji pozitive e rinisë por edhe trashëgiminë kulturore.

“Po bëhen mbi 5 vite që Çarshia e Vjetër është shndërruar në një destinacion shumë të frekuentuar dhe shumë të favorshëm për biznese, hoteleri dhe gastronomi dhe me anë të krijim të identitetit të një feste ne po synojmë të promovojmë këtë me anë të këtij organizimi, i cili krijon një atmosferë pozitive me anë të programit, aktiviteteve dhe artistëve pjesëmarrës, duke e shfaqur shpirtin e Çarshisë së Vjetër”, tha Lum Hoxha.

Për herë të parë me një ekskluzivitet do të performojnë shumë artistë nga Gjakova, të ndarë në 4 skena të muzikës, ku gjatë tërë ditës, prej orës 12:00 deri në mbrëmje do të ketë muzikë përgjatë Çarshisë.

Paradite do të ketë perfomanca të ndryshme nga instrumentistët, Altin Tila, Arian Randobrava, Taulant Rruci dhe Art Lokaj nëpër pjesë të ndryshme të Çarshisë, ndërsa gjatë ditës do të vazhdojnë performancën DJ të ndryshëm.

Në fund gjatë mbrëmjes do të performojnë bende të ndryshme duke filluar nga Valon Shehu & Band, BB Poqi, Nita Latifi, Albulena Jashari, Gamblemania & Band dhe Latino Band.

“Ne synojmë të krijojmë një traditë vjetore të mrekullueshme dhe eksploruese në Gjakovë për Çarshinë e Vjetër, që do të krijoj një rritje të dhe vlerësimit për kulturën, artin dhe turizmin në përgjithësi dhe për këtë jemi në koordinim dhe bashkëpunim me të gjitha institucionet komunale, në veçanti me Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Gjakovë, bashkë me shumë mbështetës privatë: duke filluar nga bizneset, artistët e kështu me radhë”, tha Hoxha për KultPlus.

Gjatë ditës përveç muzikës, do të ketë dhe live painting ku shumë artistë do të bashkëngjiten me punimet e tyre të cilat do t’i ekspozojnë në Çarshi dhe disa prej tyre do t’i punojnë përgjatë kohës sa zgjat festa, duke kombinuar mediume të ndryshme të artit bashke me muzikë.
Çarshia Fest nisë më 17 qershor në Çarshinë e Vjetër të Gjakovës./KultPlus.com

Të ngjajshme