‘Java e No Recess’ sjellë muzikë alternative në Hamam Bar Prishtina

13 Tetor, 2017 - 3:52 pm

Në Hamam Bar Prishtina, më 16 tetor hapet Java e No Recess (The Week of No Recess), festival një-javor i muzikës alternative, i cili do t’i sjellë në Hamam Bar Prishtina para publikut kosovar 4 bende nga Evropa dhe Amerika Veriore, shkruan KultPlus.

Festivali hapet të hënën, më 16 tetor, në orën 21:00, me performancën e bendit holandez BIRTH OF JOY. BoJ janë formuar në Utrecht në vitin 2005, por së shpejti nënshkruan kontratë me shtëpinë e njohur diskografike Suburban Records dhe u prezentuan në festivale të mëdha si Rencontres Trans Musicales në Francë dhe Eurosonic Noorderslag në Holandë. Edhe pse të influencuar nga psikodelia dhe bluzi, muzika e tyre përfshinë interpretime moderne të Stoner, Grunge dhe Punk. Bendi ka pas vetes 4 studio dhe 1 album live; ata vijnë në Javën e No Recess duke promovuar albumin e fundit “Get Well” të publikuar në vitin 2016.

Të mërkurën, më 18 tetor, në orën 21:00, në Hamam Bar Prishtina performon bendi grek psych/noise A VICTIM OF SOCIETY. AVOS ka filluar si lo-fi projekt në vitin 2011 nga Vagelis Makris (vokal, gitarë) dhe Fotis Ntouskas (gitarë) në Athinë, Greqi. Albumi i tyre i parë ishte vetëpublikimi në kasetë 6-trakëshe; në vitin 2011 nxorrën një 7″ EP përmes Sëeet Mistake Productions/Fractal Press. Gjatë vitit 2013 kanë performuar së bashku me The Black Angels, Moon Duo, Dirty Beaches dhe Disappear. Albumi i tyre i parë është publikuar përmes Inner Ear në prill 2014. Në vitin 2015 bendit iu bashkua Pantelis Karasevdas (bateri). Albumi i fundit “Freaktown” tani mund të blihet përmes Inner Ear Records dhe web store të The Fuzz Club Records.

Të premten, më 20 tetor, në orën 21:00, nga Kanadaja vjen BEN CAPLAN & THE CASUAL SMOKERS. Ben Caplan e përshkruajnë si sharmer karizmatik dhe torturues i pianos. Njeri i çmendur dhe poet i sinqertë. Pas nxjerrjes së albumit të dytë, ai kishte krijoi adhurues në Australi, Evropë dhe në gjithë Amerikën Veriore. I inspiruar nga tradita e folkut të Evropës Lindore dhe hebreje, me mjekër të gjatë dhe figurë markante, ai është thjeshtë i paharrueshëm. Zëri i tij i thellë shpërthen turmat e mëdha njerëzish; por dukja nganjëherë mashtron, sepse ai mund të jetë më i çiltër se një gotë uiski, duke shpërndarë të bukurën gjithandej. Independent thotë se ‘përkundër dukjes së tij kanadeze asgjë s’mund të ju përgatis për zërin e tij, në të folur dhe kënduar.’

Java e No Recess mbyllet më 22 tetor me koncertin e BATTLEME nga Portland, Sh.B.A. Më së miri i njohur si vokalisti dhe gitaristi i bendit nga Austin, Texas, LIONS, Matt Drenik hulumton lo-fi folk dhe electro me projektin e tij solo BATTLEME. I filluar në vitin 2009, autori zgjeroi diapazonin e tij tekst-shkrues në drejtim shumë personal. Në kërkim të modusit për materialin e tij të ri, ai u rilokua nga Austin në Portland, Oregon, dhe filloi të shkruaj këngë nga bodrumi, duke kompletuar më tepër se 40 këngë para se që u zbulua nga Ghostland Observatory’s Thomas Turner, të cilët e kontraktuan në Trashy Moped në vitin 2010. Albumi i tij i parë me emrin e bendit “Battleme” u publikua në vitin 2012. Pas “Future Runs Magnetic” (2014) dhe “Habitual Love Songs” (2016), BATTLEME nxori albumin e katërtë “Cult Psychotica” më 6 tetor përmes El Camino Media.

NO RECESS është platforma e re kulturore e bazuar në Prishtinë, e cila mëton promovimin e shprehjeve alternative artistike në Kosovë, si dhe eksportimin e iniciativave të ngjashme jashtë vendit. Pas festivalit të parë një-javor të muzikës alternative, të mbajtur mes 15 – 21 majit 2017 në Hamam Bar Prishtina, ky është intervenimi i dytë më i madh i NO RECESS në skenën alternative kosovare. Gjatë 10-muajshit të parë të ekzistimit të platformës (performanca e parë ishte më 21 dhjetor 2016 me REPETITOR nga Beogradi), para publikut vendor performuan Marc O’Reilly (IRL), Camera (GER), I Tpame I Tvrame (ALB), Kralj Cacka (Serbi, në bashkëpunim me festivalin POLIP), Desert Mountain Tribe (UK/GER), My Baby (NL), RiB (MK), Bledi Boraku dhe Dritëro Nikqi (ALB/KS), Stray Dogg (SRB), Transformer (UK), Tetris (KS), Chickn (GR), Inaktiv + Uj Pa Gaz (ALB), K-X-P (FIN), si dhe Damo Suzuki, këngëtari legjendar i bendit CAN, i cili performoi në Hamam Bar së bashku me Tetris nga Prishtina më 18 qershor 2017.

Pas përfundimit të Javës së No Recess koncerti i rradhës do të jetë më 16 nëntor kur në Prishtinë zbarkojnë OTHERKIN nga Irlanda, senzacioni më i ri nga skena e respektuar e rockut në Dublin. / KultPlus.com

Të ngjajshme