Shkëlzen Doli jep detajet e koncertit të madh

Gusht 12, 2017 - 10:31 pm

Violinisti i njohur shqiptar Shkëlzen Doli rikthehet sërish për publikun shqiptar, në një koncert të pagëzuar “Shkëlzen Doli – Albanian Soul”, që do të mbahet më 23 shtator në sheshin “Skënderbej”.

Njoftimin e ka dhënë vetë artisti në faqen e tij në Facebook ku sqaron se programi i koncertit do të jetë tërësisht me vepra dhe autorë shqiptarë.

“Të dashur miq, bashkatdhetarë dhe simpatizantë të muzikës tonë të bukur shqiptare!-shkruan Doli.- “Me shumë dashuri dhe respekt për Ju, më lejoni t’Ju bëj me dije se më 23 shtator 2017 në Sheshin Skënderbej Tiranë do të zhvilloj për Ju Koncertin Open – Air, “Shkëlzen Doli – Albanian Soul” (muzikë e përzgjedhur shqiptare). Detajet të tjera do të bëhen të ditura për Ju në ditët në vijim”, shkruan Doli.

Kjo shfaqje muzikore do të mirëpresë në sheshin “Skënderbej” artdashës nga të gjitha trojet shqipfolëse dhe diaspora.

Ky koncert pritet ta kthejë Tiranën në datat 22, 23 dhe 24 shtator, në një nga destinacionet turistike më të frekuentuara të Ballkanit.
Prezantimi i fundit dhe shumë mbresëlënës te publiku shqiptar i violinistit Doli ishte ai në Pallatin e Kongreseve, mbrëmjen e 2 janarit.

Në shtator të vitit të kaluar Doli ishte dhe i ftuar special në koncertin e dhënë me rastin e Shenjtërimit të Nënës Terezë në Vatikan. / KultPlus.com

Të ngjajshme