Argjentina, futbolli dhe kultura e tifozërisë

22 Qershor, 2018 - 8:28 pm

Ndue Ukaj

Argjentina, në kulturë dhe në sport, i ka dhënë njerëzimit jashtëzakonisht shumë.
Pikërisht për këtë arsye, unë kam një simpati krejt të veçantë për këtë vend, dhe kjo lidhet pikësëpari me titanët e letërsisë, si Jorge Luis Borges, Julio Cortazar dhe Ernesto Sabato.
Pa dyshim, si çdo i ri, edhe unë kam ushqyer simpati për futbollin argjentinas.
Ky vend ka zhvilluar futboll të bukur, përmes të cilit i ka mbajtë të mbirë para ekraneve televizive miliona njerëz: i ka mërzitë dhe i ka gëzuar, ndonëse, këtë sport, njëri nga shkrimtarët më të ditur dhe më të mëdhenj botëror, Jurge Luis Borges, e quante “estetikisht të shëmtuar.”
Nuk mund të pajtohem me këtë gjykim të Borgesit, edhe pse, në disa pika, ai ka plotësisht të drejtë. Sidomos kur fletë për kulturën e tifozërisë, të cilën ai e lidhi me mbështetjen popullore që tifozëria iu dha liderëve politikë të lëvizjeve më të tmerrshme politike të shekullit XX.
Shkrimtar i madh argjentinas, Jorge Luis Borges, pohon se, “futbolli është popullor, vetëm se budallaku është popullor.”
Këto mendime tëBorgesit për “lojën e bukur”, lidhen kryesisht me neverinë e tifozërisë.
Sot, gjykimet e Borgesit mund të na duken atipike. Sepse, ky sport ngashënjen të madh e të vogël dhe atë në çdo skaj të botës.
Por, shtrohet pyetja, a kishte të drejtë Borgesi, kur neveritej prej kulturës së tifozërisë, që manifestohet në sferat tjera, sidomos në ato politike dhe nacionaliste. Unë them që po. Pra, sa i përket kulturës së tifozërisë, Borgesi i ka rënë pikës, dhe për këtë duhet të përsiasim.

Populli ynë, nuk ka ndonjë traditë në futboll, por e zhvillon në mënyrë të çuditshme kulturën e tifozërisë, dhe kjo për mua është tejet shqetësuese, sepse kur kjo manifestohet shumë në sferën e politikës, ku shqiptarët dinë të bëhen tifozë fanatikë.

Prandaj, sot, po të ishte gjallë Borgesi dhe të shihte si sillen shqiptarët në raport me këtë sport, ndonëse kontributi i tyre real në këtë fushë është krejt i papërfillshëm, atëherë empirikisht do të thoshte: Po, unë kam të drejtë.

Të ngjajshme