Dimensione mbresëlënëse

14 Maj, 2018 - 7:30 pm

Ekspozita e Merita Malokut në Galerinë Monet Art&Books në Prishtinë

Ibrahim Kadriu

Ditë më parë në Galerinë Monet Art&Books në Prishtinë u hap ekspozita e piktores Merita Maloku, hapjen e të cilës e bëri shkrimtari Ibrahim Kadriu. Po sjellim tekstin nga hapja e ekspozitës.
Çdo rrëfim arti ka dimensionet e veta me të cilat i afrohet artdashësit që, në qaste të përjetimit, gllabëron me shikim e ndjenja.; përvetëson reflekset që ia zënë pritën, në rastin konkret – nga format shprehëse në pëlhurë që i kemi përpara. Këtë formulim e sajova derisa, në atelienë e Merita Malokut, qëndroja para pëlhurave të veshura me ngjyrat e shpërndara të cilat i kanë dhënë shkas autores të komunikojë artistikisht në mënyrën më të përshtatshme. E cilësoj mënyrën si të përshtatshme duke pasur parasysh se, kjo autore e zellshme, i ka rrumbullakuar këto vepra figurative me domethënie universale, që domethënë se çdokush do të kënaqet në mënyrën e vet derisa qëndron para tyre, si në rastin e sotshëm që i kemi përpara.

Këto vepra, siç shihen, përmes shprehjeve subtile krijojnë imazhe të një bote imagjinatave, e cila zanafillën mund ta ketë në shprehjet poetike, të kushtëzuara nga përjetimet reale. Kjo mënyrë e komunikimit artistik shfaqet nga përjetimet shpirtërore të autores, e jo nga imitacionet që na janë servuar nga krijues të varfër shpirtërisht.

Merita Maloku na bind me argatinë që ia bën frymëzimit vetjak. Prandaj veprat e saja na dalin origjinale, të shtrira në pëlhurë vetëm si produkte të frymëzimit real dhe si të tilla na imponohen dhe bëhen të pëlqyeshme. Motivet të cilat e kanë nxitur autoren të jetë krijuese, si thuhet, me marifet, janë intime, të shprehura me panel të sigurt, pa dridhje dore. Kjo përshtypje krijohet sapo ndeshesh me veprat e saj,sapo e shikon me vëmendje perceptimin e ngjyrave të shtrira, shpesh në përngjasim të hapësirës qiellore, herë të kthjelltë, herë të ngarkuar me vranësira, por përgjithësisht të mbështetura në bazën emocionale dhe që janë mbresëlënëse.

Këto vepra të ekspozuara definohen edhe me një lloj karakteri sugjestiv,që domethënë se ofrohen mundësi interpretimi sipas ndjesive personale. Zakonisht këtë mënyrë komunikimi e kanë krijimet që i përkasin modernitetit, të tilla çfarë na ka falë vullneti krijues i autores, me një stil unik origjinal . Kjo autore, me sa mund të kuptohet nga veprat e krijuara, ka ndjeshmëri të pazakontë, një butësi shpirtërore e shprehur përmes ngjyrave të lehta që reflektojnë botën e brendshme. Ngjyrimet fluide bindin edhe për subtilitetin e autores e cila, ka kujdes të mos e rëndojë pikturën me nuanca të ashpra. Kjo butësi shprehëse i bën pikturat më të afërta, të pëlqyeshme./KultPlus.com

Të ngjajshme