Ëndrra e jetimëve: Të hanë një çokollatë pa i fotografuar…

21 Tetor, 2017 - 1:40 pm

Nga Alma Nikolli

Shoh fytyra të qeshura vogëlushësh. I mbajnë në krahë zotërinj dhe zonjusha elegante. Bamirësit, për pak sekonda kanë harruar se ata sy që në mëngjes shikonin veten e zbukuruar në pasqyrë do të përballeshin më vonë me vështrime të përhumbura jetimësh, të pastrehësh a të sëmurësh. Ndërsa pozojnë gati si pa mendje para aparatësh në dukje rastësore, në njërin krah mbajnë vogëlushin me rroba të palara dhe në tjetrin një qese të mbushur plot e përplot me vaj, makarona e sheqer, që do zgjasë gatiiiiiii 100 vjet.

I varfëri, jetimi apo i sëmuri, që thuajse në çdo rast të lakmueshëm nga bamirësit i ka të treja, duket sikur gëzohet me pak dhe me të vërtetë ashtu ndodh. Ata i gëzohen një keqardhje të sinqertë, një bisede të paqëllimtë a një lëmoshe të heshtur. Një lëmoshe që dikush e jep pa bërë jehonë në media, pa e fotografuar nga çdo kënd, një lëmoshe shfajësuese. Po, po, shfajësuese. Çdokush që ka më shumë duhet të ndihet me faj që një qenie e njëjtë me të, krejt pa faj ka më pak se ai. I pasur a i gjorë, shëndetplotë a i plogësht, jetim a dëgjues përrallash natë për natë, një fëmijë përherë ka për t’iu gëzuar një aeroplani lodër që fluturon në dhomë vetëm për të. Por këta të gjorët, në ndryshim nga bijtë, a nipat tuaj do ta kuptojnë direkt të nesërmen e ikjes suaj se janë vetëm. Ata e kuptojnë në shikimin tuaj se ç’doni prej tyre.

Të mos bësh keq është mjaftueshëm mirë, jam dakord me këtë. Por, t’u hedhësh ndonjëherë shikimin e t’u zgjasësh dorën të mjerëve, vetëm për hir të lavdisë virtuale, e cila në jo pak raste përkthehet në përfitim monetar për llogari të organizatave fitmiprurëse bamirëse, është varfëri. E në këto raste nuk më dhimbsen më jetimët, të varfërit a të sëmurët e pashpresë. Më dhimbsen jetimët me nënë e baba që me këto para ushqejnë fëmijët a të dashurat, më dhimbsen të sëmurët shëndetplotë që me këto para blejnë kokainë, verë a aulinë, më dhimbsen të varfërit që me këto para blejnë një celular për të bërë fotografi më cilësore në bamirësinë e radhës.

Pavarësisht dhimbjes që realiteti i jetimëve të ngjall përherë kam dashur ta shoh me shpresë të ardhmen e tyre, qoftë edhe për faktin që kjo fjalë përmban në vete shkronjat jetë.

Një vogëlushe që shumë e dua, e varfër po gjithmonë e buzëqeshur, më kërkoi 20 lekë një ditë. “I dua për të blerë sapun që të ndihmoj mamin të lajë teshat“, më tha. Nuk i dhashë më shumë, jo se do ta lëndoja krenarinë e saj, është shumë më tepër njerëzore se unë për ta pasur, por sepse do t’i zbehja buzëqeshjen. Bëra sikur nuk u trondita. Asaj duhet t’i dukej normale që të kërkonte 2 lekë për të ndihmuar mamin. E shoh shpesh, përherë më buzëqesh, kurrë më nuk më ka kërkuar gjë. Ata nuk kanë nevojë për ne me qese plot, ata duan t’u buzëqeshim, të na ndiejnë të afërt. Jemi ne që kemi nevojë për ta, që të përfitojmë dhe të pastrojmë veten nga mëkatet e përditshme duke u dhuruar lëmoshë. Cilën shkollë ndërtuan bamirësit për ta? Cilën bamirësi të njerëzishme të pazhurmshme bënë? Cilën çokollatë u dhanë pa e fotografuar? Cilën herë u buzëqeshën natyrshëm? / KultPlus.com

Të ngjajshme